Largohet nga posti sekretari i Departamentit të Pasurive Natyrore

Amerika

Largohet nga posti sekretari i Departamentit të Pasurive Natyrore

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 15:47
Ryan Zinke

Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën se sekretari i Departamentit të Pasurive Natyrore, Ryan Zinke, i zhytur në skandale, do të largohet nga administrata e tij në fund të vitit.

"Ryan ka realizuar shumë gjatë qëndrimit të tij në detyrë dhe unë dua ta falënderoj atë për shërbimin e tij ndaj Kombit ", shkruajti presidenti Trump në Twitter të shtunën në mëngjes, duke shtuar se zëvendësuesi i zotit Zinke do të shpallet javën e ardhshme.

Njoftimi i presidentit Trump, i cili nuk saktëson nëse zoti Zinke dha dorëheqjen apo u shkarkua, vjen pasi Departamenti i Drejtësisë thuhet se po shqyrton mundësinë nëse do të nisë një hetim penal kundër tij. Sjellja e tij personale dhe vendimet ekzekutive kanë ngritur pyetje nëse ai ka përdorur pozicionin e tij për përfitime personale, duke nxitur të paktën 15 hetime, disa prej të cilave e kanë gjetur atë të pafajshëm.

Ish-kongresmeni republikan nga shteti i Montanës, i cili ka shërbyer si Sekretar i Pasurive Natyrore për pothuajse dy vjet, po largohet vetëm disa javë para se demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Transferimi i pushtetit te demokratët ka të ngjarë të rezultojë në një përshkallëzim të hetimeve në sjelljen e tij.

Zinke ndihmoi në heqjen e suksesshme të rregullave mjedisore të administratës Trump për të nxitur zhvillimin e energjisë së SHBA-së, por pyetjet rreth sjelljes së tij e ndoqën gjatë gjithë mandatit të tij.

Organi mbikëqyrës i brendshëm i Departamentit të Pasurive Natyrore hetoi zotin Zinke për përfshirjen e tij në një marrëveshje të tokës në Montana të mbështetur nga David Lesar, kryetar i kompanisë së shërbimeve të naftës, Halliburton.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë ia ka referuar hetimin Departamentit të Drejtësisë për keqbërje të mundshme. Zinke, një ish antar i forcave speciale të marinës amerikane, ka mohuar të ketë bërë shkelje.

Zinke është kritikuar gjithashtu për ndërthurje të biznesit zyrtar me fushatën politike dhe udhëtimet familjare. Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm tha në një hetim të publikuar në tetor se Zinke kishte vënë antarë të personelit t'i caktonin gruas së tij një vullnetare në mënyrë që ajo të mund të udhëtonte me të me shpenzimet e taksapaguesve.

Largimi i zotit Zinke e bën atë më të fundit në një varg zyrtarësh që largohen nga administrata Trump nën një re polemikash, duke përfshirë Sekretarin e Shëndetit Publik dhe Shërbimeve Njerëzore Tom Price dhe Administratorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Scott Pruitt./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat