Reagime pas vendimit që rrëzon Obamacare

Amerika

Reagime pas vendimit që rrëzon Obamacare

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 07:21
Senati amerikan

E ardhmja e kujdesit shëndetësor në Amerikë është më e paqartë se kurrë ndonjëherë më parë, pasi një gjykatës federal arriti në përfundimin se ligji i administratës së Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor, është jokushtetues.Ligji për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm, osesiç quhet në përgjithësi, Obamacare, është ende në fuqi, në pritje të apeleve që mund të arrijnë në Gjykatën e Lartë Amerikane.

Në më pak se dy vjet, Presidenti Donald Trump ka zhbërë disa pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së Barack Obamës, duke i nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ajo e Parisit për Klimën, si edhe duke shfuqizuar një sërër urdhrash ekzekutivë për çështje që nga imigracioni deri tek standardet e ekonomisë së karburantit. Tani, një përpjekje republikane për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor që ka marrë emrin e zotit Obama, ka shënuar fitore në gjykatën federale.

“Ishte një vendim i madh dhe shumë i mirë”, tha Presidenti Trump.

Një gjykatës federal në Teksas ra dakord me prokurorin e përgjithshëm të shtetit republikan se Obamacare, që përdor subvencione dhe gjoba për t’i bindur amerikanët të blejnë sigurime private shëndetësore, është jokushtetues. Mbi 10 milionë vetë janë të mbuluar nga sigurimet sipas ligjit, që i ndalon kompanitë e sigurimeve të kërkojnë pagesa më të larta nga ata që kanë sëmundje kur aplikojnë.

Demokratët janë të indinjuar nga vendimi i gjykatësit.

“Patjetër që duhet të apelohet por ndërkohë republikanëve do t’u duhet të përballen edhe një herë me pyetjen: a besoni që duhet të kemi sigurime shëndetësore të përballueshme dhe që të mbulojë ata që kanë sëmundje në kohën e aplikimit. Mendoj se kjo ishte çështja kryesore që përcaktoi rezultatin e zgjedhjeve të fundit”, tha senatori demokrat, Dick Durbin.

Shumë amerikanë nuk e pëlqyen Obamacare kur hyri në fuqi, por ligji ka fituar popullaritet dhe anketat kanë treguar se shumë votues në zgjedhjet për Kongresin në nëntor, donin t’i ruanin dispozitat e tij mbrojtëse. Udhëheqësit republikanë të Kongresit nuk janë shprehur shumë për vendimin e gjykatës, ndërsa disa të moderuar brenda partisë kanë shprehur pakënaqësinë.

“Vendimi i gjykatësit ishte shumë i gjerë. Ai mund të kishte mbajtur një qëndrim më të fokusuar dhe të godiste vetëm mandatin individual dhe të mos ta prekte pjesën tjetër të ligjit. Ligji ka klauzola shumë të mira,q që duhet të mbahen”.

Por Presidenti Trump sheh një mundësi për të hartuar një ligj të ri.

“Nëse republikanët dhe demokratët punojnë së bashku, do të kemi një kujdes shëndetësor shumë të mirë, dhe ashtu duhet të ishte bërë që në fillim dhe do të ndodhë, tani ka një shans të ndodhë”, tha presidenti Trump.

Republikanët kanë argumentuar për një kohë të gjatë se askush nuk duhet të detyrohet që të blejë sigurime shëndetësore, por kanë kërkuar lehtësime në taksa për t’i bërë më të përballueshme politikat. Ndërkohë demokratët më liberalë shohin një shans për diçka shumë më ambicioze, sesa Obamacare në të ardhmen: mbulim shëndetësor universal të paguar nga qeveria federale./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat