Instrumentistët e Ansamblit “Kastriotët” promovojnë vlerat kulturore të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Amerika

Instrumentistët e Ansamblit “Kastriotët” promovojnë vlerat kulturore të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Nga: Beqir Sina - New York Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 17:14
Koncerti

Orkestri i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve” Kastriotët” për 11 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ishte për vizitë në Nju Xhersi - SHBA. Vizita e tyre erdhi me ftesë nga një Universitet i këtij shteti federal - me përkujdesjen e dy kolegëve e tyre, që janë çifti bashkëshortor, i dy muzikantëve të mrekullueshëm Raif Hyseni dhe Merita Halili.

Të cilët, si mësimdhënies në universitetin prestigjioz Monteclair në Nju Jersey, ishin ata që kanë vendosur kontaktin, ku është dhënë edhe koncerti që profesori Astrit Mustafa e vlerëson si një sukses të Ansamblit “Kastriotët”, në Amerikë ku ata shfaqën muzikë shqiptare së bashku me studentët e këtij Universiteti nga lënda e folklorit shqiptar.

Kryetari i Ansamblit “Kastriotët”, profesori Astrit Mustafa, thotë në këtë intervistë me gazetën Bota sot, se “Qëllimi i kësaj vizite ishte bashkëpunimi me studentët e Montclair State University, pra, këmbimi përvojave me instrumentistët e ansamblit të Ferizaj dhe studentët , të cilët kanë zgjedhur Lëndë Zgjedhore – Interpretimin e Muzikës Shqiptare, e që në mënyrë mjeshtërore e zhvillojnë me Maestro z. Raif Hyseni dhe këngëtarja e mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare znj. Merita Halili, të cilët po bëjnë një punë kolosale në zhvillimin , mbajtjen gjallë dhe afirmimin e folklorit tonë”.

Ai thotë po ashtu se ky aktivitet në të njejtën kohë ishte edhe si një koncert që lidhet me shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, edhe si një sukses i folklorit të qytetit të Ferizajt, promovimin e Ansamblit “Kastriotët” prezantimit të vlerave të Kosovës nëpërmjet muzikës së saj në tempullin e dijës në SHBA - me studentët e Montclair State University, dhe pjesëtarët e komunitetit shqiptar në zonën e Tri-Shteshit.

A është hera e parë kjo që vini në Amerikë së bashku me ansamblin “Kastriotët” nga Ferizaj?

Astrit Mustafa: Po, e vërtetë se unë vi për herë të parë e poashtu edhe Ansambli për herë të parë e kaloi Oqeanin , për të shpaluar vlerat e muzikës sonë popullore , të cilat i kultivojmë që nga themelimi i këtij ansambli, në vitin 1967, nga patriotë, politikanë, biznesmenë, entuziastë e dashamirë të muzikës në Ferizaj.

Cili është qëllimi i vizitës suaj këtu në Amerikë dhe si u bë që juve të jeni të pranishëm këtu në Montclair State University?

Astrit Mustafa: Qëllimi i kësaj vizite është bashkëpunimi me studentët e Montclair State University, këmbimi përvojave me instrumentistët e ansamblit tonë dhe studentët , të cilët kanë zgjedhur Lëndë Zgjedhore – Interpretimin e Muzikës Shqiptare e që në mënyrë mjeshtrore e zhvillojnë me Maestro z. Raif Hyseni dhe këngëtarja e mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare znj. Merita Halili, të cilët po bëjnë një punë kolosale në zhvillimin , mbajtjen gjallë dhe afirmimin e folklorit tonë mes të dy ansambleve ishte i përkryer e që rezultoi me një koncert të suksesshëm e që sigurisht se do të mbahet mend gjatë e për së miri jo vetëm për studentët e mësimdhënsit e Universitetit Monteclair por edhe për pjestarët e komunitetit shqiptar që morën pjesë në këtë koncert .

Po publiku Shqiptaro-Amerikan si ju pritën, cka kishte dicka e vecantë? që sollët në këtë koncert në Nju Xhersi

Astrit Mustafa: Publiku ishte i flaktë ! Ishin mbledhur nga të gjitha anët sapo kishin ndëgjuar për këtë shfaqje . Gjatë gjith kohës publiku ka kënduar bashkë me ne gjë që tregonte më së miri se ata po kënaqeshin dhe sigurisht se edhe po cmalleshin me këngët popullore , të përzgjedhura nga perlat e folklorit tonë . Aq shpejtë kaloi koha , sa ata e poashtu edhe mbetëm gjatë në skenë duke falenderuar njëritjetrin . Poashtu, shpërmallimi me bashkëatëdhetarët dhe mysafirë të tjerë vazhdoi pas shfaqjes, në koktej rasti , të cilin e kishin organizuar nikoqirët , për cka ne I falenderojmë shumë. Ishte një atmosferë e ngrohtë e mikëpritëse të cilën ne e ndienim në shpirt.

Ku qëndron muzika popullore e mirëfilltë sot në Kosovë? Në promovimin e vlerave të saj - sidomos në botë. Si po trajtohet ajo në institucione , shkolla dhe në përgjithësi?

Astrit Mustafa: Ne jemi një vend në tranzicion e tranzicioni sic dihet ka edhe turbullira nga më të ndryshmet, deri sa njerëzit e gjejnë rrugën e drejtë mund edhe të ketë devijime. Në tregun e lirë gjithçka që shitet është e mirë, por kjo nuk vlen për artin e mirëfilltë . Ne si ansambël përpiqemi t’a mbajmë kursin drejtë muzikës së mirëfilltë, por kjo varet shumë edhe nga emancipimi kulturorë i popullit tonë, e poashtu edhe nga mbështetja e institucioneve përkatëse , të cilat duke pasur prioritete të tjera , jo rrallë i lejnë pasdore kujdesin ndaj vatrave kulturore , te cilat akoma ne baza vullnetare kontribuojnë në mbajtjen gjallë të traditës së mirëfilltë.

A ishte sfidues bashkëpunimi me Raifin dhe Meritën se bashku me Ansamblin Shqiptarë pranë Montclair State University?

Astrit Mustafa: Sigurisht se ishte sfiduese sa edhe vet ardhja jonë në Nju Xhersi - SHBA , ngaqë takimi me Raifin tregoi se kjo do të jetë një ngjarje e cila po rrjedhte aq këndshëm sa ne në çdo sekondë jemi kënaqur shumë. Pregatitjet ishin bërë shpejt por të sigurt, dhe profesional, kështu që nuk kishte vend për brengosje se si do të rrjedhnin punët. Aty edhe i vërtetova fjalët e z. Hyseni, të cilat ishin shndërruar në refren tashmë – “ Mos ke merak Astrit, gjithçka do të shkojë mirë”, dhe në fakt ashtu ndodhi.

Ansambli ishte i përgatitur në nivel mjeshtërorë nga dy mjeshtrit e muzikës Raifi Hyeseni dhe Merita Halili , ata ishin instrumentistë , dhe ineterpretuan së bashku me vajza e djem , të shkëlqyeshëm e të talentuar. Ishin ata që na dhanë të parët një mikpritje shqiptare, poashtu edhe në interpretimin orkestracioneve dhe veprave te zgjedhura për koncert. Kështuqë gjithçka ishte në rregull dhe sipas planit të paraparë.

Vlen të përmendet në përgjigjen e kësaj pyetje se edhe puntoria(workshop) me klasën e Raifit e Meritës si dhe njohësin e shkëlqyeshëm të folklorit, valleve e koreografive shqiptare z. Stephen Kotansy si dhe zonja e tij e mrekullueshme znj. Susane Kotansky, te cilët në mënyrë perfekte e shtjelluan koreografinë e Valles Dropullite, duke shpjeguar e demonstruar deri në imtësi këtë valle përderisa ne të dy ansamblet e interpretuam muzikën e orkestruar nga maestro Raifi me shumë shije e me lehtësi edhe pse kjo valle është në metrikën 11/8 e që është goxha e koklavitur edhe për ne e le më për amerikanët.

Në këtë konstatim tuajin a mund të ketë ndikim, apo mund të ketë motivacion puna e Raifit dhe Meritës tek gjeneratat e reja në Kosovë përfshi këtu edhe këngëtarët dhe muzikantët Shqiptar që sot ushtrojnë aktivitetin e tyre në gjithë Ballkanin?, sipas një këndëshikimi tuaj

Astrit Mustafa : Sigurisht se ka ndikim puna e Raifit dhe Meritës ! Jehona e punës së tyre është shpërndarë në gjithë botën shqiptare.Është pikërisht puna e tyre me ansamblin e MSU ajo që na solli ne këtu për të pare nga afër e për të përjetuar edhe ne këtë mrekulli. Sigurisht, duke falenderuar edhe të gjithë ekipin e MSU. Zonjën Dr. DeLorenco, z. Robert Card, etj.

Mendoj dhe e them me shume përgjegjësi se këtë formë pune duhet ta marrim shembull e gjithë shqiptaria , në trojet tona e në diasporë , se si një njeri i vetëm mund të bëjë kaq shumë për popullin e tij. Ndoshta edhe mund të duket se nuk është ndonjë punë e madhë, por ky program artistik që u shfaq në skenën e MSU me 15 Shkurt 2019 është vetëm maja e “Icebergut” , ndërsa pjesa nën siperfaqe është i gjithë mundi e sakrifica e një jete të tërë të cilën e ka bërë Maestro Raif Hyseni me Zonjën e tij, Merita Halili. Të mirat e mëdha vijnë nga të mirësitë e vogla por të përditshme është një thinjë e të Shënjtes Nëna Tereze.

Cilat janë përshtypjet tuaja pas kësaj vizite në Amerikë gjegjësisht në Universitetin MonteClair në Nju Xhersei?

Astrit Mustafa: Jam i impresionuar me madhështinë në çdo aspekt të këtij vendi të madh e të begatë . Pikërisht siç e kanë cilësuar – Vendi i realizimit të ëndrrave. Sigurisht se e kam paramenduar të jetë kësisoj por kontakti i drejtpërdrejtë më ka lënë pa frymë. Këtu e ndjeva se sa të vegjël jemi e sa të rëndësishëm mbahemi . Jemi të rënduar me ngjarje ditore e harrojmë se sa e shkurtë është jeta. Duhet të punojmë aq shumë sa për të arritur të lejmë ndonjë gjurmë të vlefshme pas vetes , siç kanë bërë Raifi me Meritën.

Kush ishin anëtarët e tjerë të ansamblit që erdhën së bashku me ju dhe roli i tyre në orkestër?

Astrit Mustafa: Në përbërje të AKV “Kastriotët” nga Ferizaj ishin Fitim Bytyqi – Fizarmonikë (orkestrues dhe Udhëheqës Artistik poashtu drejtues i orkestrës në ansamblin Shtetërorë “Shota”),Besë Hajdari –Kilaj – soliste vokale(anëtare e ansamblit nga Podujeva – fituese e trefishtë në Festivalin “Kosovarja Këndon”), Arditë Lubishtani-Hasani – flaut(prof. flauti në Shkollën e Muzikës Cesk Zadeja në Ferizaj), unë Astrit Mustafa – klarinetë (prof.ass. në Universitetin e Prishtinës dhe solist I Filhamonisë së Kosovës), Agim Sinani – kitarë, Fatmir Domaneku – Daire , Agon Kelmendi – lodër (mysafir i ansamblit nga Peja) , Florint Rexhepi – tastierë .

Cili do jet hapi i ardhshëm i juaj artistik pas këtij suksesi ne Nju Xhersey?

Astrit Mustafa: Ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona koncertale , ndërsa përqendrimi i të gjithë kapacitetit tonë është me Gala Koncertin e datës 4 Korrik 2019 , ditës së Pavarësisë së Amerikës, kur do të mirëpresim edhe Ansamblin MSU që të na bashkangjitet ansamblit tonë ne Kampin Bond Steell që fatmirësisht është në komunën tonë në Ferizaj, ku ne si cdo vit do të festojmë bashkë Ditën e Pavarësisë së SHBA, në shenjë falënderimi popullit dhe ushtrisë Amerikane, në ndihmën e dhënë për Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Me atë rast do të bëjmë edhe një ekskurzion modest për të ju shfaqur bukuritë e vendit tonë mysafirëve amerikanë.

Ju deshirojmë gjitha të mirat dhe suksese në të ardhmen!

Astrit Mustafa: Falënderime vëllazërorë për të gjithçka keni bërë për ne, për çiftin bashkëshortor mjeshtret Raif e Merita u jemi pafundësisht mirënjohës! Mbarë e mirë paqi ! Mirëmbetëshi e mirëardhëshi ! “N’ Ferizaj, n’ma t’mirin ven’ !” Faleminderit!, Bota sot, Beqir Sina –Gazetar, në SHBA.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat