E bota qeshet me ne, teksa duartrokasim zhgënjimin tonë

Amerika

E bota qeshet me ne, teksa duartrokasim zhgënjimin tonë

Nga: Marjana Bulku - New York Më: 2 mars 2019 Në ora: 17:30
Marjana Bulku

Ndodh shpesh që përpara se të rendisësh fjalët ngjyrat të të vijnë më shpejt në ndihmë. Kështu më ndodhi mua ndërsa mundohesha të gjej pak arsyeje përtej valës duartrokitëse që rivjen si dallgë që trazon kohët, i zhvesh, i vesh, i qartëson, mjegullon.

Një retrospektivë e errët puthur me një perspektivë pikëpyetjesh ngjyrë rozë…

Nuk jam piktore, por sa herë që nuk gjej dot fjalët, ngjyrat më vijnë në ndihmë.

Simbolika e ngjyrave më shpie në dikur, diku, në diçka … sa shumë të tilla bashkë.

…Dikur i quajtën të arratisur, ua mohuan atdheun sepse kishin kaluar ilegalisht kufijtë e një vendi ku E drejta dhe Liria ishin ilegale.

…Pastaj i quajtën huliganë sepse guxuan të tejkalonin mure ndërsa brenda u ishin murosur ëndrrat për liri ekonomike, kulturore, politike

…Më vonë trupat e shumë prej tyre do të lundronin, fundoseshin, zhdukeshin detit të shpresës dhe zhgënjimit.

Vargu që i ikën atdheut plot bukuri dëshmon palumturin e tyre mbi atë truall të cilit të gjithë ia dimë dhembjet por çuditërisht i duartrokasim vazhdimisht fitoret.

Është e pamundur ti pyesësh të gjithë se përse i ikën atdheut por në dhjetëra përgjigje mund të kuptosh mijëra fate të përbashkëta si dhe udhëkryqe të njëjta gjithashtu.

Në ato dhjetëra arsyeje ikjesh dashuria për vendin amë dhe dëshira për t’u kthyer aty mbeten sa të gjalla po aq edhe tunduese duke nxitur kështu idealizma e ndjesi me të cilat është krim të abuzosh.

Ne kemi 500 vjet që ikim dhe 100 vjet që duartrokasim. 500 vjet që derdhim lot porteve, aeroporteve , kufijve pa pyetur me zë të lartë PSE?

Janë miliona sepse që rënkojnë bri Pse-së 500 -vjeçare dhe nuk ka asnjë sepse përbri duartrokitjes absurde ka 100 vjet.

Një duartrokitje që e bën të vështirë dialogun mes nesh, të shkuarës , të ardhmes, një përplasje absurde duarsh kur shpirti rënkon, një gëzim i shtirur kur familja copëzohet, një ngërdheshje hipokrite kur plaga të lexohet në sy…një pamundësi për të thënë dhe shpjeguar çfarë do të ishte më mirë .

E bota qeshet me ne, teksa duartrokasim zhgënjimin tonë.

Në vargun e duartrokitësve diku , dikush rrinte i ftohtë, do të ishte dialogu më domethënës që edhe pse në mes të furisë absurde të duarve që rrihen , më rrëfente fatin e dhimbshëm të një atdheu të cilit i ikin bijtë e vet çdo ditë.

Heshtja e tij rrëfente për babin që dikur i ishte arratisur, vitet e vështira të rritjes pa prind , mes goditjesh që vetëm në Shqipëri kanë ndodhur, fëmijët e larguar rishtazi, shtëpitë e tyre të boshatisura. Mes ikjesh të shumëfishta ku natyrshëm kjo e fëmijëve dhemb më shumë ai qëndronte ftohtësish i fortë. Në duar shtrëngonte një tufë çelësash, me siguri të shtëpive të boshatisura , pa zëra fëmijësh plot ulërima dhe ofshama prindërish që si ky kanë mbetur vetëm në atdheun e braktisur me një popull që duartroket edhe pse siguria i mungon, shërbimi shëndetësor, uji i pijshëm.

Eh sa e sa të tillë ka nëpër qytetet tona ?!

Por duart tona janë mësuar të rrihen për më të mirët, më të suksesshmit, më të fuqishmit që kanë para dhe pushtet pa dëgjuar kurrë ato rënkimet e vërteta të këtyre shtegtimeve 500 vjeçare nëpër të cilat ndodh që të takosh edhe suksesin por ne e dimë se nuk ka sukses më të madh sesa kur atdheu , familja, jeton dhe gëzon liri ekonomike e më gjerë.

Kërcitja e çelësave ma zëvendësoi në çast atë zhurmë duartrokitëse ,me zëra fëmijësh, gurgullimë uji dhe tinguj të rralluar dasmash ndërsa për ti vizatuar këto , çuditërisht ngjyrat nuk po më vinin më në ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat