17-vjeçarja nga Klina që po mbledh barna në Amerikë për t’i sjellë në Kosovë

Amerika

17-vjeçarja nga Klina që po mbledh barna në Amerikë për t’i sjellë në Kosovë

Më: 25 tetor 2019 Në ora: 14:17
Elizabeta Berisha

Elizabeta Berisha, është një 17-vjeçare e lindur dhe e rritur në Amerikë, ka filluar një aksion humanitar për të mbledhur medikamente dhe pajisje mjekësore në mënyrë që të ndihmojë fëmijët e Kosovës.

Berisha, me prejardhje nga fshati Dobërdol i Klinës, jeton me prindërit e saj qysh moti në SHBA dhe është duke studiuar për mjekësi.

Ideja për të mbledhur donacione për të ndihmuar fëmijët e Kosovës i erdhi pasi që në vitin 2014 ishte me pushime në Kosovë dhe një nga të afërmit e saj u sëmur dhe kërkoi ndihmë në QKU.

Në spitalin publik të Prishtinës Elizabeta pa se mungonin gjërat elementare dhe nisur nga ky fakt ajo e filloi ta jetësojë idenë e saj.

“Nuk mund të besoja që në spital nuk kishte termometër, diçka shumë e vogël por shumë e rëndësishme”, ka thënë Elizabeta për mediat në SHBA.

Tashmë 17-vjeçarja ka themeluar fondin e quajtur “Beta’s Healthcare Supplies Drive” (Pajisjet shëndetësore Beta).

Ndjenja e shoqëruar me dhembshurinë për të tjerët e shtyu Elizabetën të bëjë diçka për të ndryshuar situatën në Prishtinë dhe kështu lindi ‘kutia e Betës’ ku njerëzit mund të japin donacione.

Për të ndihmuar projektin e vajzës shqiptare nga Kosova janë shprehur të gatshëm edhe farmacitë në qytetin Westchester të cilët kanë pranuar që të shfaqin kutitë e dhurimit në dyqanet e tyre.

Këto kuti kanë shërbyer si pikë grumbullimi për medikamente dhe pajisje mjekësore.

Ndihmat e mbledhura Elizabeta Berisha i ka dorëzuar te organizata “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” në një aktivitet që kjo organizatë ka mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo thotë se edhe më tej do të vazhdojë me aktivitetet e saj humanitare.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat