Në Boston, u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare Van Christo

Amerika

Në Boston, u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare Van Christo

Nga: B.S Më: 25 janar 2020 Në ora: 23:39
Van Christo

Van Christo erdhi në Amerikë nga Korça kur ishte fare i vogël, mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore në radhët e ushtrisë amerikane dhe mbaroi Universitetin e Bostonit për art dhe letërsi. 

Për shumë dekada ai punoi në biznesin e reklamave dhe drejtoi disa programe radioje në Boston. Van Christo është krijues i një teatri në radio që mbante emrin e tij. Pjesët transmetoheshin në radiostacione të ndryshme në të gjithë Bostonin.

Kori shqiptar i Usterit i drejtuar prej tij dha koncerte me këngë patriotike dhe popullore shqiptare në Masatchussets, Nju Jork dhe Pensilvani. 

Van Christo do të mbahet mend për ndjenjat e tij të pastra si atdhetar dhe ruajtës i traditës. Ai vazhdimisht u fliste bashkatdhetarëve për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe përpiqej ta ndihmonte vendin amë. Fondet që u mblodhën nga koncertet e dirigjuara prej tij u përdorën për ndërtimin e Kishës shqiptare të Usterit.

Van Christo drejtonte pa u lodhur faqen informative Frosina për të ndihmuar shqiptarët e sapo ardhur në Amerikë pas rënies së komunizmit në Shqipëri. 

Në bisedat me Zërin e Amerikës ai fliste me krenari për rolin e shqiptarëve të Bostonit, ku dikur lindi dhe u zhvillua shoqata panshqiptare Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në vitin 2012, zoti Van Christo tha:

"Shqiptarët e atyre kohëve të para bënë shumë për të ngritur një komunitet, gazeta dhe një kishë për ta çuar përpara shqiptarizmën. Kjo na mungon shumë sot, jo vetëm në Amerikë por edhe në Shqipëri... Ata munden që në kuptimin e vërtetë të fjalës të bëhen zëri i ri i Shqipërisë në Amerikë, në mënyrë që të tjerët të kenë mundësi të dinë se cilët ishin shqiptarët, cilët janë dhe përse meritojnë një vend shumë të respektuar, sidomos në Ballkan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat