Nëntë vjet heqje lirie ish shoferit të konsullatës së Kosovës në New York

Amerika

Nëntë vjet heqje lirie ish shoferit të konsullatës së Kosovës në New York

Më: 1 shkurt 2020 Në ora: 01:14
Albert Veliu, ish shoferi i Konsullatës së Kosovës në New York

Një gjykatë federale në Brooklyn, dënoi një shqiptar me prejardhje nga Kosova me 9 vjet heqje lirie në lidhje me rolin e tij në një skemë pastrimi parash, që çoi në blerjen dhe shitjen nga ana e të pandehurit të një rakete anti-tank dhe pushkëve automatike AK-47 në Kosovë.

Albert Veliu, ish shoferi i Konsullatës së Kosovës në New York, dënimi i të cilit u shqiptua nga gjykatësi Kiyo A. Matsumoto, pranoi fajësinë e tij në shkurt të vitit 2019.

Ai ishte arrestuar pas një procesi hetues që kishte filluar në muajin tetor të vitit 2016 dhe kishte vazhduar të paktën deri në fund të muajit maj 2017.

Prokurori Richard Donoghue, citohet të ketë thënë pas shpalljes së vendimit se

"Arrestimi dhe dënimi i Veliut paraqesin një fitore të rëndësishme për zbatimin e ligjit në shkatërrimin e një rrjeti ndërkombëtar të pastrimit të parave dhe trafikimit të armëve, i gatshëm dhe i aftë për të siguruar një kanal armësh vdekjeprurëse për kartelet e supozuara të drogës në Meksikë". Ai përgëzoi edhe policinë e Kosovës për ndihmën dhe bashkëpunimin gjatë operacionit.

Sipas prokurorëve federalë, Albert Veliu ndërmjetësoi shitjen e një rakete antitank dhe të pesëmbëdhjetë pushkëve AK-47 në Kosovë, që përfunduan në duart e agjentëve federalë amerikanë.

Hetimet filluan kur një informator u tha agjentëve se një person me emrin Christopher Curanovic, po i bënte trysni Veliut që t’i kthente një borxh prej 40 mijë dollarësh. Operacioni filloi në tetor të vitit 2016 dhe përfshinte një sërë bisedash të regjistruara.

Menjëherë pas arrestimit, ministria e Jashtme e Kosovës, tha se Albert Veliut, i është ndërprerë marrëdhënia e punës me konsullatën e Kosovës në New York.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat