Trump kërcënon me pezullim të punës së Kongresit

Amerika

Trump kërcënon me pezullim të punës së Kongresit

Më: 16 prill 2020 Në ora: 15:15
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me pezullim të punës së Kongresit, pasi është zemëruar që ligjvënësit janë duke punuar me ritëm të ngadalshëm për të miratuar kandidatët e tij në pozita të larta, duke përfshirë të nominuarin e tij për një agjenci federale që mbikëqyr mediat e financuara nga taksapaguesit amerikanë.

Ky kërcënim gjatë një konference për media ka ardhur pas akuzave të Shtëpisë së Bardhë se Zëri i Amerikës ka shpërndarë propagandë kineze gjatë pandemisë me koronavirus.

“Senati duhet të përmbushë detyrimet që ka dhe të votojë të nominuarit e mi, apo duhet të pezullohet zyrtarisht, ashtu që unë të bëj emërimet”, ka thënë ai.

Trump i është referuar një mekanizmi në kushtetutë që lejon presidentin të pezullojë punën e Kongresit për t’i lejuar atij të bëjë emërimet drejtpërdrejt dhe jo me shumicë të votave nga Senati, që aktualisht kontrollohet nga republikanët.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ndonëse ai është zotuar për gjetjen e një rruge për të konfirmuar të nominuarit në një kohë kritike të luftimit të koronavirusit “sipas rregullave të Senatit duhet miratim” edhe nga lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer.

Deri më tani asnjë president amerikan nuk ka shfrytëzuar këtë mundësi të kushtetutës.

Më 2014, Gjykata Supreme ka marrë vendim që një veprim i tillë nuk mund të merret përveç nëse Senati është në pushim apo i pamundësohet puna.

Trump ka specifikuar shtyrjen në Senat për konfirmimin e regjisorit të filmave dhe dokumentarëve, Michael Pack në pozitën e udhëheqësit të Agjencisë amerikane për Media Globale, që mbikëqyr mediat e paguara nga taksapaguesit amerikanë.

Udhëheqësja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett ka hedhur poshtë kritikat e Shtëpisë së Bardhë një javë më parë, duke thënë se mediat e pavarura dhe të financuara nga publiku janë të lira që të tregojnë të gjitha anët e një çështjeje “dhe kanë mandat për ta bërë këtë gjë me ligj”.

Mediave ndërkombëtare amerikane u ndalohet me ligj që të shënjestrojnë në programin e tyre audiencën amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat