Zonjat Bardha e Kokalari dërgojnë ndihma humanitare në Shqipëri

Amerika

Zonjat Bardha e Kokalari dërgojnë ndihma humanitare në Shqipëri

Nga: Moza Boletini Më: 28 prill 2020 Në ora: 17:33
Moza Boletini

Dëmet që la pas tërmeti i vitit të kaluar në Shqipëri, veçanerisht në Durrës dhe Tiranë e zonat përreth, si dhe situata e rëndë në kohën e pandemisë nxiti fondacione, organizata e individë të ndryshëm për ti ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve tyre në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e treva të tjera shqiptare. 

Pas kontakteve me miqtë e mi në Shqipëri ish të persekutuar politikë, Ada Veliu - Kryetare e Degës së Tiranës pranë Shoqatës Antikomuniste të ish të Persekutuarve politikë dhe Edi Belishova - Kryetar i Shoqatës së ish të Persekutuarve Politikë në Durrës, mësova se dy zonja ish të persekutuara politike nga rregjimi komunist në Shqipëri - Donika Bardha dhe Evi Kokalari banuese në SHBA, dërguan ndihma humanitare në Shqipëri për familjet me të ardhura të pakta financiare dhe ish të përndjekura politike. 

Shoqata Antikomuniste e Shqipërisë sot drejtohet nga gazetari i njohur Z. Nebil Çika i cili bën një punë shumë të mirë në evidentimin e krimeve të komunizmit dhe vlerësimin e figurave të shquara të kombit, të cilët me qëndrimin e tyre të lartë e patriotik sfiduan diktaturën më të egër në Europë.

Kontakti i parë me zonjat Bardha e Kokalari ishte pikërisht me Kryetarin e kësaj Shoqate, i cili u angazhua menjëherë në hartimin e listave e dhënien e kontakteve grupit të punës për ndarjen e këtyre ndihmave, ku përfshiheshin ushqime e artikuj higjenikë. Çdo paketë peshonte 30 kg, dhe u ndanë në mënyrë korrekte e të kontrolluar nga vetë organizatoret e kësaj nisme. Ato u shpërndanë kryesisht në Tiranë, Durrës, Thumanë e Bathore.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë Z. Nebil Çika, Znj. Ada Veliu, Z. Edi Belishova e të gjithë anëtarët e kësaj Shoqate falenderojnë zonjat Donika Bardha dhe Evi Kokalari, për xhestin e tyre fisnik dhe për kujdesin e veçantë që treguan duke mos lënë në harresë motrat e vëllezërit e tyre që vuajtën padrejtësisht nga rregjimi totalitar komunist në Shqipëri. Shënim: autorja gëzon titullin presidencial për "Merita të Veçanta Civile".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat