Urime Kosovë, kjo ditë e madhe - Bota Sot
Urime Kosovë, kjo ditë e madhe

Amerika

Urime Kosovë, kjo ditë e madhe

Nga: Harry Bajraktari Më: 13 qershor 2020 Në ora: 07:18
Ilustrim

Për Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar sot është një ditë e madhe. Në këtë ditë, para 21 vitesh, hynë trupat e NATO-s dhe bashkë me forcat e UÇK-së, vendit tonë i sollën lirinë aq gjatë të pritur. Kjo ditë e shenjtë i dha fund pushtimit dhe terrorit të egër serb, u hap një kapitull i ri për Kosvën dhe popullin tonë. Pra, fitoi e drejta, që shqiptarëve iu kishte mohuar më shumë se një shekull.

Kosova sakrifikoi shumë për liri: mijëra të vrarë e të dëbuar, femra të dhunuara, mijëra të zhdukur e të hedhur në këneta e varreza masive. Mbi gjithë këtë sakrificë Kosova nisi ringjalljen nga gërmadhat e luftës për të formuar shtetin dhe organet e saj legjitime demokratike.
Sot kur po kremtojmë 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, nuk duhet ta harrojmë gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e popullit, si dhe ndihmën që na dha Aleanca Veriatlantike, SHBA dhe të gjitha vendeve mike.

Organet shtetërore e qeveritare, kanë obligim moral e politik të punojnë shumë me tepër se sa që kanë punuar për për këto 21 vite, që në Kosovë të krijojnë kushte për një jetë më të mirë e më të qëndueshme për të gjithë qytetarët. Këtë ua kemi borxh atyre që sakrifikuan jetën për liri, fëmijëve tanë dhe breznive që do të vijnë pas nesh.
Është koha që së bashku t’i kthehemi të ardhmes, zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. T’i heqim pengesat që po na përcjellin për të ecur përpara.

Të bëjmë hapa më të mëdhenj drejt integrimit në BE dhe të forcojmë themelin e shtetit tonë, duke mos i harruar asnjëherë ata që flijuan jetën dhe sakrificën e popullit.
Urime Kosovë, kjo ditë e madhe.

New York, 2020 

Image
Harry Bajraktari, Rifat Jashari
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat