Shtatori i gjuhës shqipe-2020

Amerika

Shtatori i gjuhës shqipe-2020

Nga: Llazar Vero Më: 21 shtator 2020 Në ora: 19:04
Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”

Shtatori përsëri na dha ditën e parë të shkollës për mësimin e gjuhës amtare fëmijëve të emigrantëve shqiptar. Por ky shtator është pak më ndryshe se të mëparshmit: është vazhdimi i vitit të kaluar shkollor. Në mbledhjen e saj me të fundit kryesia e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” vendosi që ky vit shkollor të plotësonte vitin shkollor që u ndërpre për shkak të pandemisë në muajin mars dhe viti i ri shkollor 2020-2021 të filloj në muajin dhjetor 2020. Mësimet do të zhvillohen “online”, ashtu sic veprohet në shkollat publike te shtetit të Pensilvanisë.

Ky ishte objektivi. Por për realizimin e tij kërkohej shumë punë. Duheshin siguruar kompjutera (laptopë) për mësueset, duhej përgatitur plaforma e mesimit online në google clasroom, duheshin trajnuar mësueset, duhesh testuar dhe siguruar shpejtesia nevojshme e internetit për të gjitha klasat, duhej marrë takime me prindërit e nxënësve,që të njiheshin me situatën dhe të përgatiteshin për këtë formë mësimdhënie… Të gjitha këto detyra që ne i përmblodhëm në 3-4 rreshta, kërkonin organizim dhe punë këmbëngulëse. Kryetari dhe nënkryetarët e shoqatës Bujar Gjoka Rudina Bani e Dritan Matraku mbajtën barrën kryesore të këtyre punëve. Megi Pajolllari dhe Eldion Pajollari morën përsipër gjetjen e kompiuterve falas nga kompania ku punonte Megi. Ing. Ermir Cenaj mori përsipër intalimin e programeve dhe vendosjen në punë të kompjuterave. Mësueset me në krye n/kryetaren Rudina Banin kontaktuan në mënyrë periodike nëpërmjet telefonit me prindërit e fëmijëve për sigurimin e adresave të emailit për secilin nxënës si dhe anëtaren e shoqatës Orela Suku e cila me këto të dhëna ndërtoi të gjithë platformën e mësimit online për secilën klasë në google classroom dhe trajnoi mësueset në këtë program.

Lajmërimi i shoqatës për fillim (vazhdimin) e vitit shkollor ngjalli interesim dhe përkrahje jo vetëm nga prindërit e nxënësve dhe bashkatdhetarët tanë në Filadelfia dhe me gjërë, por edhe nga shokë dhe miq tanë dhe të shoqatës në Shqipëri, Greqi, Itali, etj. Gazetari dhe miku ynë Sefedin Çela nga Tirana se nga ky lajm “Na jepni krahë edhe neve këtej.”. Një tjetër njeri i letrave, Hekuran Iljazi, në mesazhin e tij shkruan: “Zoti i
bekoftë mësimdhënësit, kontribuesit për përpjekjet që të mos harrohet gjuha e bukur shqipe!” Keshtu,me përshëndetje dhe urime vazhdon edhe gazetarja tjeter Vadete Antoni etj.

Dhe erdhi data 20 Shtator, dita e parë e plotësimit të vitit shkollor 2019-2020. Megjithëse shumë më ndryshe se vitet e mëparshme, kur dita e pare e shkollës ishte një ditë e madhe feste, me prindër dhe fëmijë të veshur bukur, me ceremonin e shkurtër dhe përshendetjet e rastit dhe me këndimin e himnit kombëtar nga të gjithë nxënësit, fillonte dita e pare e shkollës, përsëri edhe kjo ditë pati emocionet e veta. Mësuese dhe
nxënës u përshendetën gjithë mall nëpërmjet kompiuterit. Mësuese Rudina nuk harroi të këndonte së bashku me nxënësit edhe himnin kombëtar. Pas kësaj filloi ora e mësimit. Me pak vështirësi në fillim por mënjëherë pranë mësueseve gjendeshin ish antare e kryesise së shoqates dhe përherë e gatshme për ndihmë, Orela Suku, apo ish nxënësit e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Sara Matraku, Arbiona Muzhaqi e Anthoni Thanasi,tani gjimnazista, ose studentë në high school, siç i thonë në Amerikë. Bujari

Gjoka dhe Dritan Matraku kalonin nga një kat në tjetrin, nga një klasë në tjetrën derisa cdo gjë u normalizua. Kështu filloi nga puna “Shtatori Gjuhës Shqipe-2020”! Në fund të kësaj dite mësueset ishin të kënaqura dhe të çliruara,sikur sapo kishin dalë nga provimi. Mësuesja “veterane” e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Rajmonda Bardhi u shpreh e emocionuar: “pjesëmarrja në mësim e nxënësve të klasës së pestë është për t’u vlerësuar me notën 10. Po kështu edhe për angazhimin në procesin mësimor, korrektësinë në postimin e ushtrimit dhe zgjidhjen e saktë të tij…”. Me entusiazëm folën edhe mësueset e klasës së pare Irini Zenelaj, klasës së dytë Ermira Tusha dhe e klasës së tretë Rudina Bani. Ndërsa mësuesja e klasës së katërt Afërdita Muzhaqi, në mesazhin e saj shkruan: “Një vit i pazakontë kur takimi me nxënësit u bë nëpërmjet ekranit të kompiuterit. Ishin po ato emocione që unë kam provuar cdo vit shkollor. Me to u perzienë edhe shqetësimi se si do të shkonte mësimi “online”. Por shqetësimet u shuan kur para meje, në ekranin e kompiuterit u shfaqen u shfaqen fytyrat e dashura të nxënësve të mi. Në to shihja dëshirën dhe vullnetin për të mësuar gjuhën shqipe.Kjo më jep zemër për të ecur përpara dhe për të mposhtur çdo vështirësi.” Midis këtyre emocioneve, kujtoj se midis nesh, sot për herë të parë që nga dita e parë e shkollës shqipe në Filadelfia, mungonte sekretari i shoqatës Vlashi Fili, Një gëzim familjar, ditëlindja e tij dhe e bashkëshortes Yllka, gjatë javës që shkoi, që i bashkangjiteshin nderimit të tij me titullin “NDERI I QYTETIT TË KUÇOVËS, pak kohë me pare, që e mbajti larg kësaj dite tjetër të bukur.
        
Në fund të kësaj dite të veçantë në historinë e shkollës tonë, një falenderim i vecantë u takon prindërve që qëndruan pranë fëmijëve gjatë procesit mësimor në ditën e pare të mësimit “online”! Por janë me qindra, për të mos thënë me mijëra prindër të rinjë  që akoma e nënvlerësojnë, nevojën, domosdoshmërinë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare, gjuhën tonë të bukur shqipe. Pa kuptuar, në këtë mënyrë ata i kanë ndarë fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat nga prindërit e tyre, nga të afërmit, dhe në fund të fundit, pse mos ta themi,edhe nga atdheu i tyre. Do të vij një ditë që fëmijët, sot të vegjël, do t’i dënojnë për këtë veprim.
 
Javën që shkoi dhe sot filluan mësimdhënien shumë shkolla shqipe në Amerikë dhe në Europë. Është SHTATORI I GJUHËS SHQIPE! U urojmë nga zemra për këtë punë të shënjtë! Paçin gëzime dhe mbarësi të gjithë organizuesit,mësuesit, nxënësitdhe prindërit, për ruajtjen e gjuhës së bukur shqipe!

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat