NYT - Tetor 1960 : “Në New York, hapet “lufta” midis Greqisë dhe Shqipërisë”

Amerika

NYT - Tetor 1960 : “Në New York, hapet “lufta” midis Greqisë dhe Shqipërisë”

Nga: Beqir Sina Më: 25 shtator 2020 Në ora: 19:49
Arkiv

Si e ka kujtuar Ekrem Bardha , përleshjen e përgjakshme e shqiptarëve të arratisur( ballistëve dhe mbretërorve) me nacionalistët grekë, gjatë vizitës së Kryeministrit Mehmet Shehu në Kombet e Bashkuara, më 1960, në një intervistë për gazetën Dita, gazetarin Erion Habilaj 

Habilaj : -Në një intervistë të kohëve më parë jeni shprehur se e keni protestuar me pankarta antikomuniste Mehmet Shehun para zyrave të OKB. Por më pas i hodhët pankartat dhe nisët përleshjet me disa protestues grekë. Si është kjo histori?

Ekrem Bardha : Në 12 tetor 1960, në Nju Jork erdhi kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu. Mërgata politike, e udhëhequr nga Balli Kombëtar, Legaliteti, organizoi përpara selisë së OKB-së një demonstratë të fuqishme, ku hidhte parulla kundër kryeministrit komunist Mehmet Shehu dhe mungesës së lirisë në Shqipërinë komuniste.

Ajo ditë, 12 Tetor 1960, do të mbetet dita e lartësimit të identitetit tonë kombëtar, dinjitetit e krenarisë kombëtare, në të gjithë historinë e diasporës. Rruga, midis të “First Avenue” & 49 Street, u gjakos me gjak shqiptari. Ajo ditë dhe ajo rrugë, do të mbetet rruga e simbolit shqiptar në SHBA, rruga ku diaspora shqiptare, patriotët, atdhetarët e anti-komunistët, që kishin dalë ato ditë kundër Kryeministrit komunist shqiptar, Mehmet Shehut, e harruan atë dhe spontanisht, të motivuar nga një provokacion i rëndë i grupeve shoviniste të diasporës greke, për disa orë u përleshën fizikisht me grekomëdhenjtë, që kishin dalë të protestonin, me parulla dhe flamuj grekë, e që kërkonin nga Kombet e Bashkuara, njohjen e të ashtuquajturit Vorio Epir – Epiri i Veriut.

Kryeministri Mehmet Shehu, ishte përfaqësuesi zyrtar i RPS të Shqipërisë, ndodhej në Nju Jork në Sesionin 15 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përfaqësues të diasporës greke, të ushqyer nga qarqet shoviniste greke në Amerikë, dhe ato anti-shqiptare minoritare në mërgim, e organizuan këtë demonstratë, me parulla të ashpra provokuese dhe thirrje anti-shqiptare. Ata kishin ngritur zërin duke shfrytëzuar pjesëmarrjen e Mehmet Shehut dhe liderëve nga e gjithë bota, duke kërkuar, sipas tyre, të ashtuquajturat të “drejtat” e nëpërkëmbura të minoritetit grek në Shqipëri, zhdukjen e çështjes çame, dhe mbajtjen në fuqi të Ligjit të Luftës, kërkonin që të merrnin, sipas tyre, gjithë Jugun e Shqipërisë, me pretendime të egra shoviniste, deri në Shkumbin. Diaspora shqiptare ndodhej në të njëjtin shesh, për të protestuar kundër regjimit komunist, që kishte izoluar Shqipërinë dhe dënonte mijëra shqiptarë për fjalën e lirë.

Mehmet Shehu dhe qeveria komuniste në Tiranë ishte armike secilit prej nesh, por Shqipëria na përkiste edhe ne. Mes Shehut dhe Shqipërisë, ne zgjidhnim këtë të fundit dhe nuk mund të lejonim shovinistët grekë, në mesin e Nju Jorkut, të përdhosnin dinjitetin e vendit tonë.

Përplasja filloi duke u goditur fillimisht në distancë, ku në mes qëndronte një rresht me policë amerikanë, ndërsa protestuesit hidhnin mjete të forta dhe parulla fyese e ofenduese, si nga protestuesit shqiptarë dhe turma greke, që ishte më e organizuar dhe e përgatitur për t’ju kundërvënë shqiptarëve, duke menduar se “edhe ata do t’i bashkoheshin atyre, meqenëse kishte ardhur Kryeministri komunist.”

Më pas, gjakrat u ndezën, vendin e fjalëve dhe të sendeve të forta, e zuri përleshja, askush nuk qëndronte mënjanë as që nuk mendonim gjë tjetër, veçse të mbronim dinjitetin e kombit tonë.

Kjo situatë vazhdoi për disa orë, derisa përleshja u vu nën kontrollin e policisë njujorkeze, e cila, kërkoi që protestuesit e të dyja palëve të mos afroheshin shumë afër njeri-tjetrit. Demonstratën dhe përleshjen e përgjakshme, e kanë ndjekur për herë të parë gazetarët e gazetave dhe radiove më të mëdha amerikane. Të nesërmen, ishte hera e parë që shqiptarët “pushtuan” lajmet e asaj dite, në faqet e para të gazetave më të njohura të Nju Jorkut. Të gjitha gazetat, radiot më të mëdha amerikane dhe më prestigjiozet e botës e pasqyruan ngjarjen me tituj te mëdhenj dhe në faqe të parë; disa prej tyre shoqëruar edhe me fotografi përshkruanin se çfarë kishte ndodhur dhe sesi kishte ndodhur. “New York Times” – “USA Today” – “Washington Post” – “St Petersburg (FL) Times” – Associated Press”, “Denver Post”, “Chicago Tribune”, – “Christian Science Monitor” e të tjera në faqe të parë pasqyruan demonstratën dhe ngjarjen, duke e trajtuar atë si lajm kryesor i asaj dite. Disa prej tyre dolën me tituj të tillë si : “Gjakoset rruga përballë Kombeve të Bashkuara”- “Në New York, hapet “lufta” midis Greqisë dhe Shqipërisë” – “Nacionalistët, dhe antikomunistët shqiptarë në Amerikë, për hir të Shqipërisë, dalin e “mbrojnë” udhëheqësin komunist, Kryeministrin Mehmet Shehu”, “Për hir të kombit të tyre – emigrantët politikë shqiptarë për pak e harruan udhëheqësin komunist” – “Shqiptarët, treguan se janë nacionalistë të mëdhenj” – e shumë e shumë tituj të tjerë të kësaj ngjarje.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat