Artistja Mrika Krasniqi, takohet në Washington me veteranin e gazetarisë Shaqir Salihu

Amerika

Artistja Mrika Krasniqi, takohet në Washington me veteranin e gazetarisë Shaqir Salihu

Nga: Beqir SINA - New York Më: 19 tetor 2020 Në ora: 23:37
Shaqir Salihu dhe Mrika Krasniqi

WASHINGTON D.C.: Mrika Krasniqi, një artiste e komunitetit shqiptar, dhe, një figurë udhëheqëse në zhvillimin e partneritetit midis artit dhe komuniteteve të biznesit në Nju Jork, dhe jashtë vendit, drejtoresha ekzekutive dhe themeluesja e “Nil Production”, Agjencia Shqiptare e Modës dhe e Javës së Filmit Shqiptar në New York, është takuar në Washington me veteranin e gazetarisë, ish gazetarin e Zërit të Amerikës, mësimdhënësi e veprimtari i shquar shqiptar, Shaqir Salihu, autorin e librit “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”.

Këtë e bëri të ditur ajo vet në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, duke shkruar : “E takova në Washington DC, këtë njeri të mrekullueshëm, që një jetë ia kushtoi gazetarisë, duke promovuar e mbrojtur fjalën e lirë, gjithnjë në shërbim të Atedheut. Pasi u ktheva në NY me dërgoi librin e tij, të mrekullueshëm “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” : Lexova disa rrëfime nga libri qe sa kohë dhe vetëm tani e mbarova, por do ti kthehem prap, sepse ky nuk është thjesht një libër që e lexon një herë dhe e harron. Është një histori e tërë qē duhet ta njohim, e të jemi mirënjohës për sakrificën e vazhdueshme të bashkë-atedhetareve Shqiptaro- Amerikan.”

God Bless you all.

Shaqir Salihu, e përuroi librin në 2017, në Washington, dhe në Prishtinë

Gazetari, mësimdhënësi e veprimtari i shquar shqiptar, Shaqir Salihu promovoi në Tetor 2017 librin e tij “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” brenda Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë,.

Ky libër prej gati 600 faqesh përmban jetëshkrimin e autorit si një mësues në zonën e Lipjanit dhe historinë e një institucioni. Në këtë libër janë të përfshira përjetimet e tij si mësues në zonën e Lipjanit, përjetimi në burgjet serbe në kohën e Jugosllavisë e deri tek detyrimi i tij për tu nisur drejt Uashingtonit. Viti i tij i lindjes-1942 koincidon pikërisht me vitin e themelimit të “Zërit të Amerikës”, aty ku ai ka kaluar plot 32 vite të karrierës së tij si gazetar dhe producent, ku arrin që edhe larg atdheut të vazhdoj kontributin për lirinë e vendit.

Në këtë përurim, fjalën e pasur edhe gazetari nga Shkupi, Emin Azemi i cili letrën e shkruar për autorin e ka titulluar “Shtegtimi i pambaruar i një disidenti”. Ai derisa tregoi për përmbajtjen e këtij librit shtoi se pas leximit të këtij libri lexuesi e kupton se sakrificat individuale dhe kolektive kanë pasur një cak të vetëm lirinë e atdheut.

 

“Libri është i organizuar si një tërësi organike me një funksionalitet të brendshëm përmbajtjesor i ndarë në tri pjesë, pjesa e parë është “Rinia ime në Kosovë, burgu politik dhe nisja drejt mërgimit”, pjesa e dytë “Zëri i Amerikës shqip arriti të përplaset me median epokale” dhe pjesa e tretë “Veprimtaria e shqiptarëve të Amerikës”. Ai me këtë libër po na thotë se për të qenë i ndershëm nuk do të thotë vetëm ta duash atë që të takon por edhe të sakrifikohesh për atë që të mungon”, u shpreh tutje Azemi.

Në këtë përurim të librit fjalën ka folur edhe gazetari Behar Zogiani i cili nuk mund t’i përmbante emocionet derisa fliste për veprimtarinë dhe figurën e autorit Shaqir Salihu.

“Kushdo që i lexon fragmentet e këtij libri hyn brenda tij dhe e ka të vështirë të dal jashtë. Prej atyre librave që kam lexuar, nuk kam parë libër më të mirë të kësaj natyre. Është një libër studim për gazetarët dhe publicistët se si duhet të ndahet njeriu nga ndjenjat e veta në interes të prezantimit të faktografisë . Gjatë rrëfimeve të tij gjithmonë është njohur për revolucionaritet, por revolucionariteti i tij nuk është i kuq, është revolucionaritet i argumenteve”, theksoi Zogjani.

Profesori Zymer Azemi, në fjalën e tij përshëndetëse e kishte titulluar me një titull simbolik “Shaqir Salihu, veteran i brezit të Republikës”.

“Ky emër i shkon Shaqirit dhe librit të tij, pasi që ai në rininë e tij të hershme i takoi brezit të Republikës dhe të demonstratave të përgjakshme , të atij brezi që në vitin1968 e vazhdoi rrugën e për liri e bashkim”, citohet të ketë thënë Azemi në atë përurim.

Kurse vet autori Shaqir Salihu, në raportin gazetaresk të atij përurimi, thuhej të dukej i entuziazmuar që po takohej me bashkëvendësit e tij. Ai përmes kravatës së tij të kuqe ku ishte e vendosur një shqiponjë me ngjyrë të zezë shprehte atdhedashurinë që e kishte përcjellur në çdo hap të jetës dhe veprimtarisë së tij. Kravata e tij datonte që nga viti 1945 dhe brenda saj përmbante dy inicialet sh.sh që nënkuptonin “Shqipëria e shqipëtarëvet”.

“Faleminderit nga zemra që keni ardhur këtu për ta takuar një plak që e kishte braktisur atdheun gati 50 vite më parë dhe po ju marr lakmi që brezi im jeni plakur në atdhe e jo si unë në mërgim”, kan qenë fjalët falënderuese të autorit Salihu, në atë promovim 3 tre vjet më pare në Prishtinë.

Lidhur me veprën autori theksoi se tërë intelektin e tij e ka derdhur brenda këtij libri.

“Vuajta dhunën dhe represionin serb, u flaka burgjeve serbe, në qelitë e lagështa, të errëta ku nuk hynte aspak rrezja e diellit, u torturova të nisem përtej Atlantikut. Pas shumë vitesh u rehatova në një punë që më sillte me pranë atdheut, por për fat të keq konstatova që kishim probleme të mëdha si popull, armikun më të madh e kishim njëri-tjetrit. Kurrë në jetën time nuk e kisha menduar se do të shkruaja një libër, por unë jetova, vuajta , mbijetova…rrova dhe doja të tregoja”, është shprehur Salihu gjatë fjalës së tij përshëndetëse, në atë promovim.

Krejt në fund mes emocioneve që lexoheshin në fytyrën e tij, ai përmbyll këtë përurim me shprehjen “Zoti e bekoftë Shqipërinë e madhe, Shqipërinë etnike. Zoti e bekoftë Amerikën”./Kortezi e “KultPlus.com” Tetor 2017.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat