Shqiptarët në Filadelfia e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e Bashkisë

Amerika

Shqiptarët në Filadelfia e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e Bashkisë

Nga: Sadik Elshani Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 06:23
Shqiptarët në Filadelfia ngritën flamurin kuqezi në sheshin e bashkisë

Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia i kushton një rëndësi të madhe festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ka hyrë në kujtesën e kombit tonë si, Dita e Flamurit. Kjo ditë shënohet me organizimin e veprimtarive të ndryshme: Mbrëmjen e Madhe të Flamurit (darkë solemne e koncert), vizita nëpër familjet e bashkatdhetarëve, pjesëmarrjen në Paradën e Ditës së Falënderimeve, ngritjen e flamurit në bashkinë e Filadelfias, etj. Por, këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19 shumë nga këto veprimtari nuk mund të organizoheshin. U organizua vetëm ceremonia e ngritjes së flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë së Filadelfas. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne.

Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias.  Edhe këtë vit, në datën 27 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë, por për shkak të pandemisë që u cek më lart, këtë vit kjo ceremoni ishte e modifikuar: numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, duheshin mbajtur maskat; muzika shqiptare jehonte në shesh, por nuk mund të vallëzonim si herave të tjera.

Megjithatë, pjesëmarrja ishte e lakmueshme dhe bashkatdhetarët ishin të lumtur të takonin, të uronin njëri – tjetrin, ndiheshin të lumtur, shprehnin kënaqësinë e krenarinë që Shqipëria dhe shqiptarët po nderohen në qytetin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, edhe përkundër këtyre rrethanave shqiptarët u mblodhën të bashkuar, ashtu siç na thërret Himni ynë Kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar….” Për rregullimin e skenës, tribunës festive, si zakonisht, u angazhua zoti Haki Çollaku. Skena ishte zbukuruar me flamurin Kuq e Zi dhe atë amerikan. Gati të gjithë të pranishmit mbanin në duar flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kalamajt, shumica të veshur me veshjet tona kombëtare, gëzoheshin në mënyrën e tyre femijërore. Po ashtu, edhe koha ishte shumë e mirë, pjesërisht me diell dhe e ngrohtë.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe menaxheri i Veprimtarive dhe Projekteve Speciale po në të njejtin department, z. Robert Nonemacker. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess shprehu befasinë e saj të këndshme, që edhe përkundër rrethanave, kufizimeve, numri i pjesëmarrësve ishte i lakmueshëm.

Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranishmeve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin dhe specifikat e kësaj veprimtarie: mbajtjen e maskave dhe distancën sociale. Pastaj fjalën e mori z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Nga zyra përkatëse e Bashkisë na kishin njoftuar se këtë vit nuk do të ketë program e as fjalime, prandaj edhe z. Gjoka nuk u zgjat në fjalën e tij, por pasi i uroi bashkatdhetarët për Festën tonë Kombëtare dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme, ai i tha edhe disa fjalë për 28 Nëntorin dhe vendin që zë kjo datë në historinë tonë kombëtare..

Pastaj u luajtën himnet kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua z. Haki Çollaku, veprimtar i dalluar e i palodhur i shoqatës dhe i bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias.

Sipas programit e procedurave të qytetit të Filadelfias për veprimtaritë publike nën rrethanat e pandemisë, zonja Hess nuk mbajti fjalim sikurse herave të tjera, por ajo vetëm i dorëzoi zotit Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte ditën e premte, 27 Nëntor, 2020 që të jetë dita e nderimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Ndër të tjera në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë, miqësia shqiptaro - amerikane dhe vlerësohej puna e ndihmesa e shqiptareve në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellur kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.

Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri edhe për disa çaste jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqim të mjaftueshëm (bollshëm) e të shijshëm. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit të kaluar. E falënderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu edhe këtë vit, në rrethana të modifikuara e të kufizuara, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falënderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngrehim flamurin tonë Kuq e Zi. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gezuar 28 Nëntorin! Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat