Dr Elez Biberaj kthehet në pozicionin e tij si drejtor i sektorit të Euroazisë të Zërit të Amerikës

Amerika

Dr Elez Biberaj kthehet në pozicionin e tij si drejtor i sektorit të Euroazisë të Zërit të Amerikës

Nga: Frank Shkreli Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 08:10
Elez Biberaj

Të nderuar lexues – lajmet e fundit nga Zëri i Amerikës, thonë se Drejtori në Detyrë i Zërit të Amerikës, Dr. Elez Biberaj njoftoi në një email për stafin, të martën që kaloi, se do të kthehej në pozicionin e tij si drejtor i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës pasi të vinte drejtori i ri, i posa emëruar në atë detyrë nga Shefi i Agjencisë Amerikane për Media Globale. Korrikun që kaloi, ishte pikërisht shefi ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM) Michael Pack -- i emëruari i Presidentit Donald Trump në këtë detyrë -- ai që pat emëruar Dr. Elez Biberaj Drejtor në Detyrë i Zërit të Amerikës. Frank Shkreli: Elez Biberaj emërohet Drejtor i Përgjithëshëm i “Zërit të Amerikës” | Gazeta Telegraf

Elez Biberaj

Në mesazhin e tij ketë javë me të cilin njoftoi stafin e Zërit të Amerikës se do të këthehej në pozicionin e tij si Drejtor i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Dr. Biberaj la të kuptohej se gjashtë muajt e kaluar kanë qenë periudha më sfiduese në historinë e fundit të Zërit të Amerikës, njofton VOA.

“Gjashtë muajt e kaluar kanë qenë mbase periudha me sfidat më të vështira në historinë e dekadave të fundit të Zërit të Amerikës. Për fat të keq, Zëri i Amerikës dhe USAGM kanë patur përplasje të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Disa zyrtarë të agjencisë shkelën rregulla, protokolle dhe procese, që unë i konsideroj si të paprekshme dhe ishin mospërfillës ndaj dëmit që veprimet dhe vendimet e tyre patën tek operacionet dhe misioni i Zërit të Amerikës. Përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës vunë në rrezik besueshmërinë tonë të fituar me shumë mund, në një kohë kur demokracia në shkallë globale ka bërë hapa pas dhe kur në mbarë botën janë shtuar kërcënimet ndaj vlerave dhe rolit të Amerikës si mbartësja e vlerave morale”, shkruan ndër të tjera Dr. Biberaj në mesazhin e tij drejtuar stafit të Zërit të Anmerikës.

Bashkangjitur mund të lexoni dhe botoni mesazhin e plotë të Drejtorit në Detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Elez Biberaj, drejtuar stafit të Zërit të Amerikës mbi vendimin, këtë javë, për tu kthyer në pozicionin e tij si Drejtor i

Sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës.

8 dhjetor 2020

Kolegë të nderuar,

Koha gjatë së cilës kam qenë Drejtori juaj në Detyrë po përfundon. Ju mund të keni parë artikuj në shtyp ku njoftohet se Shefi Ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack, do të sjellë një drejtor të ri të Zërit të Amerikës. I uroj drejtorit të ri sukses në përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës.

I jam thellësisht mirënjohës zotit Pack për mundësinë për të shërbyer, po ashtu edhe ish-zyrtarit të USAGM, André Mendes, që më rekomandoi për këtë detyrë të rëndësishme.

Kur u emërova Drejtor në Detyrë, u zotova se do të bëja çmos për të respektuar Kartën e Zërit të Amerikës dhe për t'iu përmbajtur standardeve më të larta të gazetarisë. Kam bërë çdo përpjekje për ta përmbushur këtë zotim, duke mbrojtur integritetin editorial të Zërit të Amerikës dhe murin që e ndan atë nga ndërhyrjet e mundshme politike. Së bashku me kolegë të tjerë në poste drejtuese, kemi marrë masa për të forcuar procedurat editoriale, në mënyrë që raportimet tona të jenë të bazuara në fakte, të ekuilibruara dhe pa paragjykime.

Gjashtë muajt e kaluar kanë qenë mbase periudha me sfidat më të vështira në historinë e dekadave të fundit të Zërit të Amerikës. Për fat të keq, Zëri i Amerikës dhe USAGM kanë patur përplasje të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Disa zyrtarë të agjencisë shkelën rregulla, protokolle dhe procese, që unë i konsideroj si të paprekshme dhe ishin mospërfillës ndaj dëmit që veprimet dhe vendimet e tyre patën tek operacionet dhe misioni i Zërit të Amerikës. Përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës vunë në rrezik besueshmërinë tonë të fituar me shumë mund, në një kohë kur demokracia në shkallë globale ka bërë hapa pas dhe kur në mbarë botën janë shtuar kërcënimet ndaj vlerave dhe rolit të Amerikës si mbartësja e vlerave morale.

Unë kam bindjen se Zëri i Amerikës ka nevojë të ngutshme të mbrojë fort pavarësinë e tij editoriale të sanksionuar me ligj, pa presione politike, dhe në të njëjtën kohë, të respektojë standardet e veta për një gazetari me cilësi të lartë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë. Vetëm atëherë Zëri i Amerikës mund të shërbejë me të vërtetë si një zë i Amerikës dhe të çojë përpara në mënyrë të efektshme objektivat tona të politikës së jashtme, të nxisë vlerat tona demokratike dhe të shërbejë si model i një shtypi të lirë për pjesën tjetër të botës.

Ky nuk është një mesazh lamtumire. Sapo drejtori i ri i Zërit të Amerikës të fillojë punën, unë do të kthehem në pozicionin tim të mëparshëm si Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë.

Ka qenë një nder dhe privilegj të drejtoja Zërin e Amerikës gjatë kësaj periudhe të trazuar, por historike. Dëshiroj të shpreh falenderimet e mia të përzemërta për të gjithë, për mbështetjen, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj në misionin tonë fisnik.

Me respekt,

Elez Biberaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat