Shoqata “Peja” në New York për fundvit ndihmon 280 familje në Pejë dhe rrethinë

Amerika

Shoqata “Peja” në New York për fundvit ndihmon 280 familje në Pejë dhe rrethinë

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 07:58
Foto ilustrim

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë anëtarë të Shoqatës humanitare “Peja”, sikurse edhe herëve tjera, edhe këtë fundvit, vazhdojnë të ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës, aty ku ka më së shumti nevojë, sidomos familjet me të ardhura jo të mira, dhe familjet me nevojë të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë duke u përballuar më një situatë të vështirë sociale.

Për shumë vite me radhë, Shoqata humanitare “Peja” nga New Yorku, me seli në Bronx, e cila ka të vetmin qëllim, t’ju ndihmojë qytetarëve në Kosovë, sidomos familjeve në nevojë, jo vetëm në Pejë dhe rrethinë, por edhe në Klinë, Istog e Deçan, përmes anëtarësisë së vet, sivjet në përgjithësi ka ndihmuar qytetarët në vendlindje me përafërsisht 50 mijë dollarë, ose më saktësisht 48. 480 dollarë.

Edhe kësaj herë ata do t’i gëzojnë hiq me pak se 280 familje në nevojë për festën e fundviti, ku vlera e një pakoje është mbi 40 euro. Përpos pakos së ushqimeve, këtyre familjeve i është dhuruar nga 25 kg miell, në mënyrë që sado pak të zbutet situata e tyre sociale, në këtë kohë ku qytetarët e vendit janë duke u përballur edhe me pandeminë COVID-19.

Me këtë rast, kryetari i Shoqatës humanitare “Peja”, në New York, Rejmond Zeka, në një deklaratë, tha se iniciativën e tyre tash e disa vite me pako ushqimore dy herë në vit për familjet në nevojë në Kosovë, e vazhduan edhe për këtë fundvit.

Ai falënderoi të gjithë anëtarët dhe miqtë e Shoqatës “Peja”, në New York, që e përkrahin këtë iniciativë tash e disa kohë, edhe përkundër obligimeve tjera financiare që kanë për familjet e tyre këtu dhe në Kosovë.

“Por duke e ndjerë se këto familje kane nevojë edhe për përkrahjen tonë dhe me një zemërgjerësi të madhe humanitare, ata, pra komuniteti jonë nga Shoqata ‘Peja’,  në New York, u bashkëngjitën pa hezitim kësaj iniciative, ku me kontributin e  tyre arritëm të mbledhim mjete financiare, përafërsisht për 280 pako ushqimore, ku vlera e një pako është  mbi 40 euro”, tha ai.

Ai falënderoi edhe shoqatën bamirëse “Bereqeti”, dega në Pejë, me në krye imamin Kushtrim Kelmendi, i cili me gjithë stafin e tij, me një punë vullnetare e të palodhshme mundësojnë blerjen dhe shpërndarjen e këtyre pakove ushqimore.

Shpërndarja e këtyre ndihmave, sipas kryetarit të kësaj shoqate Rejmond Zeka, bëhet nëpër të gjitha bashkësitë lokale në Pejë dhe rrethinë, dhe me gjerë, përderisa, sipas tij, këto pako shkojnë edhe për familjet me nevojë të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Uroj që të kemi sa ma pak raste sociale dhe të gjitha këto familje me raste sociale të kenë së paku gjërat elementare që ju duhen, ku shfrytëzojë rastin t’i drejtohem dhe ta lus pushtetin në Kosovë, që të punojnë më shumë, dhe të kenë përkujdesje më të madhe për këto shtresa të varfra”, tha ai, duke i uruar të gjithëve një shëndet të mirë.

Megjithatë, për anëtaren e grave të Shoqatës “Peja”, në New York, Nebahate Koçani, e cila këto ditë ndodhet në Pejë, ku bashkë më të afërmit e saj do t’i kaloj festat e fundvitit, tha për Telegrafin se kjo është një ndihmë solide nga komuniteti shqiptarë që jeton në Amerikë, përkatësisht nga anëtarët e Shoqatës “Peja”, në New York, për familjet në nevojë.

Ajo tha se, edhe pse jetojnë larg vendlindjes, komuniteti shqiptarë, në veçanti të gjithë anëtarët e Shoqatës “Peja”, gjithmonë do të jenë të gatshëm t’i dalin në ndihmë familjeve në nevojë, dhe kategorive tjera me nevoja të veçanta, të cilët ballafaqohen më një situatë të vështirë sociale.

“Unë si grua dhe si nënë, gjithmonë do të jem e gatshme për të ndihmuar familjet në nevojë, dhe të gjitha kategoritë tjera sociale, sidomos atyre familjeve, ku gratë janë mbajtëse të familjeve. Asnjëherë nuk e harrojmë vendin tonë të origjinës, edhe pse jetojnë në një vend të largët, por me zemër dhe dashuri jemi gjithmonë me popullin tonë”, tha Koçani.

Ndërkaq, imami Kushtrim Kelmendi, njëri nga koordinatorët e Shoqatës bamirëse “Bereqeti”, dega në Pejë, tha për Telegrafin, se në këtë aksion humanitar janë menduar t’i ndihmojmë 280 familje në nevojë, jo vetëm në Pejë dhe rrethinë, por në numër simbolik edhe disa familje nga Klina, Istogu e Deçan.

Sa i përket mënyrës së shpërndarjes së këtyre ndihmave, imami Kelmendi, tha se i kanë listat e familjarëve, të cilët janë në asistencë sociale, dhe njëherësh i kanë  aktivistët e tyre në teren, respektivisht nëpër lagje dhe fshatra të komunës, ku edhe i identifikojnë familjet, të cilët janë në gjendje më të rëndë sociale dhe kanë nevojë dhe përkrahje më të madhe.

“Shoqata ‘Peja’, nga New Yorku, në vazhdimësi e ka përkrahë dhe vazhdon ta përkrahë shoqatën tonë ‘Bereqeti’, në aktivitet e saj, por jo vetëm shoqatën tonë, por edhe në të gjitha aksionet që organizohen në qytetin tonë brenda dhe jashtë, të cilët janë aktiv dhe prezent me ndihmat e tyre. Ata janë shembulli më i mirë për dashurinë që kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj vendit të tyre të origjinës, dhe bashkëkombësve të tyre, duke bërë një punë të mrekullueshme, dhe inshaAllah Zoti i shpërblen ata dhe familjet e tyre me mirësitë e Tij”, tha për imami Kelmendi.

Përkundër kësaj, imami Kelmendi shtoi se, “ne i këshillojmë të gjithë, jo vetëm klasën politike, po edhe të tjerët, të tregohen më human dhe më aktivë, që të kontribuojnë në mënyra të ndryshme, t’i ndihmojnë njerëzit në nevojë, të cilët mezi e kalojnë muajin, e në veçanti stinën e dimrit, ku kërkesat janë shumë të mëdha”.

Me mjetet e grumbulluara prej përafërsisht 50 mijë dollarë, ose më saktësisht 48. 480 dollarë, shqiptaro-amerikanët, përkatësisht anëtarët e Shoqatës “Peja”, në New York, vitin që po e lëmë pas, kanë ndihmuar dy herë me pako ushqimore për qytetarët në nevojë, Korin Siparantum, Qendrën për Jetë të Pavarur në Pejë, një familje të pastrehë, dhe gjatë kohës së pandemisë me Covid-19. Po ashtu, përpos iniciativave të tyre të organizuara për ndihmë qytetarëve në vendlindje, ata kanë marrë pjesë edhe në iniciativa tjera bamirëse, të iniciuara nga shoqatat tjera apo individë tjerë, që jetojnë në Amerikë.

Shoqata humanitare “Peja”, në New York, në vazhdimësi ka ndihmuar qytetarët në nevojë në Kosovë, jo vetëm në Pejë dhe rrethinë, por edhe qytetarët nga Klina, Istogu e Deçan, ku në fokus ka qenë gjithmonë të ndihmohen qytetarët të cilët kanë nevojë, fëmijët me nevoja të veçanta, femra pa mbështetje familjare dhe të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat