Kalendari i Kujtesës: Më 9 janar 1976 u nda nga jeta Abaz Kupi (1891-1976)

Amerika

Kalendari i Kujtesës: Më 9 janar 1976 u nda nga jeta Abaz Kupi (1891-1976)

Nga: Beqir Sina Më: 9 janar 2021 Në ora: 23:28
Arkiv

(Për herë të pare, mbas 45 vjetësh të ndarjes nga jeta të Abaz Kupit, nuk mbahet pelegrinazhi në kujtim të tij, shkas masat ndaj pandemisë (publikohen disa fotografi të rralla të pa publikuara më parë)

Queens New York: Në të shtunën e dytë, të çdo Janari, është bërë traditë, pelegrinazhi që mbahet në Kew Gardens, Queens, New York, nga anëtarët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, familja Kupi dhe miqtë e saj, përfaqësues të shoqatave të komunitetit, për të përkujtuar ditëndarjen nga jeta të Gjeneral Abaz Kupit.

Veprimtaria përkujtimore kjo që zhvillohej me ritualin e saj, një takim përkujtimor në një nga ndërtesat që ndodhet në Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens, me fjalime dhe kujtime nga jeta e Abaz Kupit, dhe vendosjen e kurorave me lule dhe një fotografi e përbashkët pranë varrit të tij.

Si rezultat i masave nga pandemia e Cooronavirusit Covid-19, distancimi dhe jo grumbullimit të njerëzve në vendet publike, për here të parë, mbas 45 vjetësh të ndarjes nga jeta të Abaz Kupit, nuk mbajt pelegrinazhi në kujtim të tij.

Abas Kupi (1892-1976) i njohur edhe me nofkën e luftës (nome de guerre) si Bazi i Canes, ka qenë një politikan, udhëheqës dhe luftëtar nacionalist shqiptar, i njohur kryesisht për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si një mbretëror, ai krijoi Lëvizjen e Legalitetit në Shqipëri dhe SHBA, e cila punoi në atë kohë që të promovoi rikthimin në fronin e Mbretit Zogut të I-rë, Shqipërisë.

Gjatë Luftës së Ftohtë në migrim Kupi, krijoi Komitetin Kombëtar Shqiptar « Shqipëria e Lirë » me Profesor Rexhep Krasniqin, e cila kishte për qëllim rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe kthimin e monarkisë në vend.

Me të mbërritur në Itali ai u internua për ca kohë në kampe internimi amerikan. Ai vazhdoi veprimtarinë e tij politike, megjithse jashtë Shqipërisë, në migrim, dhe në korrik 1948, së bashku me figura të tjera shqiptare në migracion krijuan Komitetin Kombëtar Shqiptar « Shqipëria e Lirë ».

Ku Abaz Kupi, vazhdoi veprimtarinë e tij antikomuniste, derisa vdiq në New York, në janar 1976

Kush ishte Abaz Kupi:

Në një material rreth të dhënave vetjake mbledhur dhe shkruar nga referime të ndryshme nga portali Wikipedia-, thuhet se Abaz Kupi lindi në Krujë, 6 gusht 1892 – dhe vdiq në New York, 7 korrik 1976. I njohur dhe si Bazi i Canës, ai ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore . Me zbarkimin e italianëve në Durrës me 7 prill 1939 mbajti qëndresë për 36 orë, e cila ishte qendrsa e parë me armë në dorë dhe e vetme për të mos pranuar pushtim fashist Italian.

Jeta

Ai lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 gusht 1892 në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Bashkëpunon me Esat pashë Toptanin në nëntor-dhjetor të 1914, kur bashkë me parinë e Krujës vendosin t’i bien Lëvizjes së Shqipërisë së mesme. Me formimin e qeverisë kombëtare të Lushnjës, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun ai mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik. Merr pjesë në kryengritjet e M. Merlikës, B. Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars 1922. Gjatë viti 1924 qëndroi neutral, mbasi kapiteni Prenk Pervizi e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit që zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje. Më vonë u gradua major dhe shërbeu në Durrës më 1934.Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, A. Kupi udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak te Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi në një ikonë. Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll,Turqi. Në qershor të vitit 1939 familja e tij – përbërë nga tre djemtë Petriti, Rrustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat -, u internua në Himarë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore

Familja Kupi u dërgua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit. Për më shumë se një muaj, ata janë mbajtur në një burg të Brindisi-t, të izoluar plotësisht. Më pas i dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942. Më pas u lanë të lirë, banuan pranë t’afërmit, Sejfulla Merlikës. Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë po shihnin mundësinë e krijimit të rezistencës në Shqipëri. Kalon nga Turqia në Jugosllavi i pritur nga Gani Kryeziu në kryeqytet, ku takon kolonelin Stirling dhe kol. Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd. Me ndihmën e të cilit kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga Julian Amery. Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër por pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanët, së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, e Mustafa Gjinishin, Kupi u fut në Shqipëri me ndihmën e Muharrem Bajraktarit për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij.

Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ, si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat bashkë me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”

Më 26 korrik 1943, ora 11 para dite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve edhe koloneli A.P. Skampa.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët deri kur komunistët nisën të sulmonin Gegninë dhe zonat e Bazit. Gjatë avancimit të komunistëve në veri gjendej në vështirësi për të manovruar mes malesh, sidomos në Mirditë.

Në pranverën e 1944, përveç oficerëve Billy McLean dhe David Smiley iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Raportet e operacioneve të shumta kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Gabimet dhe spiunazhi komunist në Shtabin e Përgjithshëm të Operacioneve Speciale (SOE) në Bari bëri që nëpërmjet keqinformimit s’u kuptua veprimtaria e Bazit.

Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nepërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej bashkë me oficerët britanikë), për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.

Pas Luftës së Dytë Botërore

Në emigracion merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” – organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri.

Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara

Vdiq më 9 Janar 1976 në SHBA, New York, trupi i tij prehet në Kew Gardens Cemetery në Queens – New York

Ps: Një fotografi që është bërë publike për herë të parë, në 40 vjetorin e vdekjes së tij në New York, ku duken Haxhi Nimani dhe veteranii i legalitetit Musli Mulosmanaj një mbretëror besnik – duke i bërë roje nderi para arkivolit me trupin e Heroit-Abaz Kupi, mbuluar me flamurin kombëtar, risillet në kujtimet e këtij pelegrinazhi që mbahet çdo vit në përvjetorin e vdekjes.

Fotografia ka qenë pjesë e foto-albumit me kujtime të të ndjerit Musli Mulosmani, nga pjesmarrja e tij në ceremoninë e varrimit të Abaz Kupit, ish Kryetarit të përjetshëm të i sh-Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit(OKLL), sot, Partia Lëvizja e Legalitetit(PLL), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat