Profesor Kristian Bukuroshi “Mjeshtër i Madh, një intelektual erudit shqiptar"

Amerika

Profesor Kristian Bukuroshi “Mjeshtër i Madh, një intelektual erudit shqiptar"

Nga: Dr. Ruki Kondaj* Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 16:34
Kanada

Mëngjesin e 31 Janarit mora një lajm të hidhur nga Ilir Lena, producent i Pasqyrës Shqiptare po ashtu njoftohem edhe nga familja e Profesorit për ikjen nga kjo jetë të profesor Kristian Bukuroshit, njeriut që e kam njohur në Kanada për më shumë se dy dekada.Kam pasur fatin e madh ta njoh nga afër dhe ta kem jo vetëm idhullin tim,por edhe një bashkëpunëtor të shkëlqyer në çdo veprimtari .Ai ishte një mik i madh i familjes time. gjithashtu dhe me vlera e pozitivitet përcillte madhështi në çdo mjedis .Prof. Kristian BUKUROSHI ka një lidhje të hershme me Kanadanë sepse gjyshi I tij Mihal Bukuroshi ka emigruar në Kanada rreth vitit 1908 dhe thuhet se ka qenë shqiptari i parë që preku tokën kanadeze në Montreal, por jo vetëm kaq edhe babai iprofesorit ka qenë për disa vite në Kanada dhe u kthye rreth viteve 1960 në Shqipëri,në kohën e regjimit komunist dhe e pati të pamundur të kthehej përsëri në Kanada, atje ku kishte filluar të ndërtonte jetën por pa familjen e tij pranë.Ishte xhaxhai i Kristianit ai që e ftoi për herë të parë atë në vitin 1991 ndaj dhe në 1992 ata kanë ardhur familjarisht me gjithë familjen e tij bashkëshorten, djalin me familje dhe vajzën me familje, duke ndërtuar kështu një lidhje me Kanadanë me 5 breza.

Kishim dëgjuar shumë per professor Kristianin si intelektual I nivelit të lartë, shkencëtar, por kur e njoha nga afër pashë edhe cilësi e virtyte të larta njerëzore që rrallë I gjen në ditët e sotme.Ai është intelektuali erudit, elite e inteligjencës shqiptare që i ka dhënë aq shumë Shqipërisë si shkencëtar, matematicien i shquar dhe sipas akademise se Shkencave Kristian Bukuroshi është themelues i disiplinës së analizës së matematikës në katedrën e matematikës, specialitetit ku ushtroi veprimtarinë si profesor universiteti. Kjo është lënda bazë e formimit të brezave të mësimdhënësve të matematikës në shkollat e mesme dhe universitare, si dhe të matematicienëve. Ai do të mbahet mend si një nga pedagogët më të aftë e më rigorozë, si vetë disiplina që mbulonte në atë katedër. Për kontributet e tij cilësore ai renditet pa mëdyshje ndër përfaqësuesit më të denjë të kësaj fushe në brezninë e tij.

Kristian Bukuroshi themeloi e drejtoi qendrën e parë kërkimore në informatikë në Shqipëri (qendra e matematikës llogaritëse), mbi bazën e së cilës realizoi të gjitha përgatitjet e nevojshme intelektuale dhe profesionale për ngritjen e të parit institut të kësaj fushe në vendin tonë, INIMA (Instituti i Matematikës së Aplikuar), të cilin e drejtoi për një kohë të gjatë dhe me shumë sukses. Krijimi i këtij instituti u realizua mbi bazën e një projekti që fitoi vëmendjen dhe mbështetjen financiare të UNDP, i pari projekt në Shqipëri realizuar me buxhet nga një organizatë ndërkombëtare.

Në krye të INIMA-s, si drejtori më jetëgjatë i saj, Kristian Bukuroshi arriti të krijojë një bashkëpunim të suksesshëm ndërdisiplinar të informatikës, matematikës, energjetikës, gjeofizikës, statistikës, ndërtimtarisë, duke vënë bazat e arkivimit të numerizuar të projekteve të tyre.

Nën drejtimin e Kristian Bukuroshit u realizuan dy regjistrime të popullsisë dhe të banesave në Shqipëri, që janë konsideruar aksione shkencore kombëtare, duke punuar intensivisht me tri ndërresa dhe me një mbështetje logjistike modeste.

Nën drejtimin e Kristian Bukuroshit shërbimi që ai drejtoi njohu një hapje të kujdesshme me Botën.

1. Studimi i qëndrueshmërive statike e dinamike të sistemit energjetik kombëtar dhe aplikimi konkret i tyre.

2. Studimi i plotë i avarive të Sistemit energjetik dhe përmirësimi i skemave të mbrojtjes së tij.

3. Shpërndarja racionale e ngarkesave elektrike, e niveleve të tensioneve, si dhe e flukseve të rrymave elektrike në sistemin energjitik shqiptar.

4. Problemet e kurbave të sigurisë dhe shfrytezimi racional i konsumit ujor në kaskadën e lumit Drin.

5. Studimi, konceptimi e ndërtimi konkret i ndërfaqes software, për emulimin e pajisjes periferike të leximit të shiritit magnetik me makinën llogaritëse elektronike DJS21.

6. Modifikime eventuale të kompilatorit Algol 60, duke shtuar në të procedura të reja.

Por unë Profesorin e njoha në angazhimet komunitare në Kanada ku ai ka një kontribut të çmuar për më shumë se dy dekada dhe posaçerisht në Shoqatë. Shqiptaro Kanadeze dhe në mbare komunitetin shqiptar në Ontario e Kanada, për idetë e tij briliante, për mençurine e tij, për thjeshtesine e pa masë, mirësine , fisnikërinë e plot virtyte të çmuara që profesori (siç e thërrisnim të gjithë) i mbante. Nga vitet 2008 deri 2021 ka qenë antar I Këshillit të Nderit të SHBSHK, pjesëmarrës aktiv në shumë grupe pune sidomos në grupin e punës për hartimin e statutit në vitin 2012, në grupin për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në grupin e Vlerësimit të personaliteteve shqiptare e të huaja, në grupin e trashëgimisë shqiptare I cili ka dhënë një kontribut konkret me ide në hartimin e standarteve, dokumentave dhe materialeve që do përdoreshin në festimet e muajit të trashëgimisë në Parlament të Ontarios I cili filloi si proçes në 2014 me ngritjen e grupit të punës, u finalizua me ligj më 5 Dhjetor 2016 dhe me 8 Dhjetor mori miratimin e përfaqësuesit të Mbretëreshës në Ontario( sipas rregullit) ku muaji Nëntor u shpall Muaji I Trashëgimisë Shqiptare në Ontario. Puna e tij ka qenë aq e madhe, por pa fjalë shumë e bujë , shoqëruar me një modesti të pamasë siç zakonisht janë mendjet e ndritura. Në vitin 2008 ka qenë kryetar I komisionit të festimeve të pavarësisë së Kosovës, një komision që përfshinte gjithë shoqatat në Toronto e rrethinat e saj. Kam qenë me fat që e kam pasur jo vetëm mentor , por edhe një mik të madh , Profesori ishte një intelektual që kishe qef ta dëgjojë bisedën e tij të shtruar me shakate gjithë lezet, thëniet e mençura të tij që ai I referohej si thënie të pupullit.

Professor Kristiani është vlerësuar në vitin 2001 me titullin “Mjeshtër I madh” nga Presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani, në vitin 2012 nga shoqata e informaticienëve shqiptar është vlerësuar me çertifikatë mirënjohje për punën e tij të madhe si matematicien I shquar dhe themelues I Institutit të Informatikës shqiptare.

Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro kanadeze e ka vleresuar me titull “Antar nderi” në Nëntor 2014 për kontributin e tij të çmuar në shoqatë dhe në mbarë komunitetin shqiptaro kanadez.

Ndërsa si mësues matematike që e filloi punën direkt pas një viti që erdhi në Kanada sepse siç thoshte dhe vete një vit ka punuar intesivisht për mësimin e gjuhes angleze dhe nuk ishte dhe aq I ri, por 59 vjeç filloi jetën e emigracionit që u shoqërua me hapa të shpejta integrimi. Profesori nuk doli kurrë në pension, zyrtarisht po, por faktikisht jo sepse jepte mësim studenteve universitarë ku i përgatiste për provimet e matematikes, ashtu siç bënte dhe për nipat e tij deri pak para se të sëmurej. Njeriu që nuk ju nda asnjë ditë, gjithë jetës dhe sidomos kohës disi të gjatë të sëmundjes pa u ankuar kurrë është zonja Marika Bukuroshi , bashkëshortja e tij si dhe fëmijët e nipërit e tij po ashtu. Familja e Professor Bukuroshit është një familje mjaft mikpritëse, guzhina e tyre ishte e pasur jo vetëm me ushqime tradicionale shqiptare me verën që e prodhonin vetë, por edhe Italiane sipas zonës më shumë italiane ku ata banojnë.

Edhe pse vera këtu është e shkurtër ata te dy kultivonin mjaft zarzavate në kopështin e tyre pas shtëpisë dhe kënaqeshin ku ato zarzavate I gatuanin për vete e mysafirët dhe si zagorite të mirë ata bënin dhe zahiretë e dimrit ku I ruanin në frigorifer në basement(katin përdhes të shtëpisë). Ditëlindjen nuk kishte shumë qef ta fetsonte profesori, këtë e mësova mirë, ai festonte me shumë ditën e emrit të tij dhe Krishtlindjet. Kujtimet me profesorin janë aq të shumta sa që nuk mjafton një shkrim. Shqipëria ka humbur një intelektual të madh, akademia e shkencave një shkencëtar të shquar që la prapa vepra konkrete, komuniteti shqiptar në Kanada dhe Diaspora Shqiptare humbi një veprimtar të çmuar, shoqata jonë humbi një anëtar e këshilltar të denjë, familja Bukuroshi humbi një bashkëshort, një baba e gjysh shembullor, studentet e tij humbën Profesorin e matematikes të shumë kërkuar, unë dhe familja ime kemi humbur një mik te çmuar e të pazvëndësuar. Një aksident me biçiklete u bë shkak tre vjet me parë e nga ku nisi kalvari i vizitave mjekësore deri sa u nda nga kjo jetë, por Profesori I dashur nuk do ndahet nga zemrat jo vetëm të familjes, por te gjithë neve qe e deshëm e na deshi aq shumë . Ashtu i kërrusur nga dhimbje e aksidentit e mbaj mend në daljen e fundit publike në festimin e Muajit të trashëgimisë shqiptare në Parlament të Ontarios në Nentor 2017 ku ishte e ftuar soprano me fame ndërkombëtare Inva Mula që Profesori e donte dhe e vleresonte shumë ndaj erdhi ashtu i semurë edhe në takimin që atë ditë ofroi Kryeminisrja e Ontarios së asaj kohe Kathlyn Winne në respekt për grupin e trashëgimisë dhe Ambasadorin shqiptar ne Kanada SH.T. Z.Ermal Muça, për të mos u parë më kurrë në publik.

Shoqata Shqiptaro Kanadeze shprehu mirënjohjen, respektin dhe ngushëllimet e sinqerta në faqen e saj në fb për profesorin e nderuar Kristian Bukuroshi të cilin e mbajti në krye të vendit duke mos e konsideruar kurrë të moshuar as për moshën dhe as për vitet e shumta në shoqatë dhe në kujtim të tij u përgatit një kurorë me lule në emër të të gjithëve ku u dorezua sot ne familjen e tij per shkak se nuk lejohet pjesëmarrja në varrim nga Kryetari I shoqatës Bujar Zejnullahu dhe une.

Përulemi me respekt e mirënjohje për figurën e tij, veprën që la pas e që do jetë përherë në zemrat tona.

Qoftë i perjetshem kujtimi yt idashur Profesor Kristian BUKUROSHI!( atë kafen që nuk e pimë dot bashkë për shkak të situates covidiane do ta pi me teta Marikë në shtëpinë tuaj pa ty, por në kujtim tënd)!

*(Ambasadore Kombi) Presidente Nderi dhe Kryetare e Grupit të Trashëgimisë pranë Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze, Toronto, ON Kanada

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat