Sipërmarrësi shqiptaro-amerikan: Ju ndihmojmë të mbroheni nga virusi

Amerika

Sipërmarrësi shqiptaro-amerikan: Ju ndihmojmë të mbroheni nga virusi

Më: 10 prill 2021 Në ora: 21:01
Donald Leka

Të dhënat që lidhen me COVID-19 zgjojnë interesim të madh të njerëzve kudo në botë. Informacioni i ndihmon njerëzit të parandalojnë infektimin. Një prej kompanive që ofron shërbimin e përpunimit të të dhënave është firma “Jumptuit” e sipërmarrësit shqiptaro-amerikan Donald Leka.

Zoti Leka thotë se platforma e tij u mundëson përdoruesve që të shmangin mjediset që paraqesin rrezik për shëndetin e tyre dhe i ndihmon ata të vazhdojnë jetën përmes sistemit të personalizuar të të dhënave. Zoti Leka shpalosi këto detaje në një intervistë me kolegun Burim Goxhuli.

Para më shumë se një viti kompania Jumptuit grumbullonte dhe përpunonte të dhëna nga miliona përdorues të pothuajse çdo sektori të ekonomisë.

Por që nga fillimi i pandemisë fokusi i platformës së krijuar nga sipërmarrësi Donald Leka ndryshoi.

“Gjatë vitit të fundit COVID-19 dhe sektori I shëndetësisë ishin të rëndësishëm për ne. Jemi përqëndruar në të kuptuarit e asaj që po ndodh, duke krahasuar vendet që kanë të njejta kakrakteristika me njëra tjetrën, si vendet e mëdha, shoqëritë e hapura me demokraci të stilit perëndimor, apo ekonomitë e zhvilluara, që të shohim se si është gjendja, sepse kemi parë shumë raste që vende të mëdha janë krahasuar me Islandën për shembull, e cila ka vetëm disa qindra mijëra banorë. Kjo mënyrë llogaritjeje sjell perceptim të gabuar, prandaj mendoj se është me rëndësi që të fokusohemi këtu gjatë vitit dhe kemi siguruar të dhëna shumë interesante”, tha ai.

Të dhënat që përpunohen nga firma Jumptuit nuk janë të hapura për publikun, sepse janë informacione shumë personale.

Synimi kryesor i Jumptuit është të ndihmojë funksionimin e sigurt të bizneseve të mëdha dhe korporatave me të cilat ka kontratë dhe realizimin e udhëtimeve të punonjësve të tyre pa rreziqe shëndetësore gjatë pandemisë.

“Sistemi dinamik i të dhënave të një personi ju ndihmon të kuptoni situatën në mjedisin tuaj, situatën aktuale dhe atë që ju pret. Ne kemi mundësi t’ua japim atë informacion të personalizuar në profilin tuaj specifik. Për shembull nëse një zotëri është 70 vjeçar që ka sëmundje anësore, ne mund t’i dërgojmë paralajmërime bazuar në të dhënat e Covidit në mjedisin e tij dhe shkallën e ndryshimit. Ne mund ta njoftojmë atë për disponueshmërinë e shtretërve në një qendër kujdesi urgjent në lokacionin ku ai do të udhëtojë. Paralajmërimi të tregon se cilat vende duhet të shmangni dhe në cilat vende është e sigurt të udhëtoni. Kështu shpëtohen jetët. Duke i mbajtur njerëzit larg rrezikut. Të dhënat mund të shërbejnë si një mburojë”, thotë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Të dhënat që zoti Leka përpunon tregojnë se industria ajrore dhe ajo e hotelierisë janë më të goditurat nga pandemia, por që sipas tij vaksinimi është duke dhënë rezultate pozitive.

“Ajo çfarë kemi parë gjatë javëve të fundit është se shumë e më shumë hotele po rihapen. Për shembull kompani të mëdha hotelesh ksihin mbyllur 2 nga 3 hotelet në një qytet. Tani po shohim rihapjen e tyre. Por do të duhet ca kohë për rimëkëmbjen e industrisë së fluturimeve. Po shohim që njerëzit ndihen më të sigurt në udhëtimet lokale, fluturime deri në dy orë sa për të takuar të afërmit, por ende nuk ndihen rehat me fluturimet ndërkombëtare për shumë arsye, prandaj mendoj se këtij sektori do t’i duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar”, tha ai.

Përpunimi të dhënave që Jumptuit grumbullon nga burime të besueshme bëhet në tërësi nga inteligjenca artificiale. Punonjësit e kompanisë vetëm vëzhgojnë përpunimin e të dhënave por nuk bëjnë interpretimin e tyre. Sipas zotit Leka në këtë mënyrë shmanget keqinformimi i përdoruesve në një epokë të informimit të shpejtë dhe dixhital ku çdokush mund të thirret në emër të gazetarisë.

“Shtypi është polarizuar shumë gjatë viteve të fundit. Kjo është problematike sepse njerëzit janë të prirur të ndjekin vetëm njërën palë duke humbur perspektivën e plotë. Mendoj se shtypi ka përgjegjësinë të kujdeset për përmbajtjen e raportimeve në rrethana të tilla. Për të qenë i qartë, shtypi po shkakton frikë aty ku duhe të ketë frikë por ka raste kur frika shet lajmin dhe këtu qëndron problemi. Ne jemi përgjegjës dhe duhet të kuptojmë se puna jonë frikëson sidomos njerëzit e moshuar”, thotë zoti Leka.

Veç informimit të njerëzve, teknologjia ka rol jetik në kundërpërgjigjen ndaj pandemisë, mundëson përshtatjen dhe funksionimin e bizneseve në realitetin e ri si dhe ruan lidhjet mes njerëzve në kohë kur kontakti fizik është i rrezikshëm./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat