Rrugëtimi i Vedat Gashit në politikën amerikane

Amerika

Rrugëtimi i Vedat Gashit në politikën amerikane

Më: 9 maj 2021 Në ora: 20:01
Vdeat Gashi

Përfshirja e shqiptaro-amerikanëve në politikën e Shteteve të Bashkuara, shihet si diçka e rëndësishme për pjesëmarrjen e komunitetit në procese vendimmarrëse. Por Vedat Gashi, anëtar i këshillit bashkiak në Uestçester të Nju Jorkut që tani garon për një mandat të dytë, mendon se interesimi për përfshirje në politikë nga shqiptarët Amerikës nuk është në nivelin e duhur. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai u bën thirrje shqiptaro-amerikanëve që të paktën të regjistrohen për të votuar dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Hollësi sjell kronika e përgatitur nga kolegu Burim Goxhuli.

Viti 2004 e gjen Vedat Gashin në Prishtinë, jo për shkak të ambicieve politike, por nga dëshira për të ndihmuar shtet-ndërtimin e Kosovës.

Shqiptaro-amerikani vendosi të zhvendosej për një projekt tre-mujor,por qëndroi atje për 5 vite, duke shërbyer si këshilltar ligjor në Ministrinë për Administrim të Pushtetit Lokal dhe pastaj si këshilltar në zyrën e kryeministrit.

“Gjatë asaj kohe ndihmuam formimin e një shteti që po shkonte drejt pavarësisë. Ishte privilegj dhe nder të ishe atje për këtë rrugëtim. Po hartonim ligje, po krijonim rrugë që çonin drejt pavarësisë”, tha zoti Gashi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zoti Gashi rikthehet në ShBA ku vazhdon karrierën e tij juridike, për çka edhe kishte mbaruar studimet.

Por pothuajse 10 vite pas, më 2018, ai vendosi të merrte përgjegjësi të reja duke iu futur garës për një nga 17 vendet e këshillit bashkiak në Uestsçester të shtetit të Nju Jorkut.

“Shumë gjëra të rëndësishme po ndodhnin në politikën amerikane. Ndjeja një lloj përgjegjësie që të përfshihem. Hyra në garë për ligjvënës dhe isha shumë me fat që mora përkrahjen e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe komunitetit më të gjerë", thotë ai.

Shqiptaro-amerikani është në fund të mandatit të tij të parë në këtë pozitë. Në nëntor ai garon për një mandat të dytë, ndërsa aktualisht është i fokusuar në fushatën e tij.

Zoti Gashi shpjegon përgjegjësitë dhe rëndësinë e pozitës që ai këkron ta fitojë edhe për një mandat dy-vjeçar.

“Uestçester ka rreth një milion banorë. Buxheti ynë për vitin e shkuar ishte 2.7 miliardë dollarë, afërsisht sa buxheti i Kosovës. Merremi me çështje që kanë të bëjnë me infrastrukturën, rrugët, ujin e pijshëm. Ky ishte roli im.Pra miratojmë ligje për bashkinë tonë”, shpjegon shqiptari-amerikani.

Zoti Gashi, i cili është pjesë e Partisë Demokrate, thotë se rruga që e ka zgjedhur nuk është e lehtë, sidomos në këtë periudhë kur politika amerikane ndodhet para shumë vështirësive.

“Mendoj se kemi demorkatët që janë shumë demokratë dhe të zëshëm dhe repulikanët që janë shumë republikanë dhe gjithashtu shumë të zëshëm. Janë në ekstremet e tyre. Ekziston një përçarje që nuk sjell asnjë të mirë. Unë dhe komuniteti im jemi diku në mes. E kuptojmë që njerëzit në ekstreme janë më të zhurmshmit por nuk më përfaqësojnë mua dhe komuniutetim tim”, thotë ai.

Por sfida si këto nuk duhet të zmbrapsin shqiptaro-amerikanët të përfshihen në procese vendim-marrëse, thotë ai.

“Problemi është se shumë familje që janë detyruar të largohen nga vendet e tyre, ruajnë lidhjet e forta me vendlindjen, të cilën e duam aq shumë. Mendoj se është me rëndësi që të vazhdojmë të ndjekim zhvillimet politike atje, por gjithashtu duhet të përfshihemi në politikën e vendit ku jemi”, thotë politikani Gashi.

Zoti Gashi shton se distrikti që ai përfaqëson përbëhet nga afër 66 mijë banorë ndërsa vetëm rreth 500 shqiptaro-amerikanë janë të regjistruar për të votuar.

“Unë i di vështirësitë me të cilat njerëzit përballën për të ardhur në këtë vend. Nuk ishte e lehtë të merrje shtetësinë. Të kalosh gjithë këta hapa dhe pastaj të mos përdorësh privilegjet dhe përgegjësitë që ke, të cilat I kemi falë punës së madhe të prindërve tanë, është e turpshme dhe mëkat. Është e turpshme të mos e ushtrosh atë përgjegjësi. Ashtu nuk nderon ata që sakrifikuan që ju të jeni këtu”, përfundon zoti Gashi.

Demokrati Gashi thotë se fokusi i tij është puna për ulje të taksave, mbrojtje të mjedisit, mbështetja e programeve të kujdesit shëndetësor për grate dhe familjet si dhe zhvillimi ekonomik. Ai thotë se duke punuar në këto drejtime, përmirësohet edhe jeta e komunitetit shqiptaro-amerikan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat