Mjeku shqiptar në Nju-Jork tregon se kush vendos në luftën ndaj koronavirusit

Amerika

Mjeku shqiptar në Nju-Jork tregon se kush vendos në luftën ndaj koronavirusit

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 15:50
Sulejman Çelaj

Doktor Sulejman Çelaj, drejtor i pavijonit të kardiologjisë në një prej spitaleve Covid, në Bronks të Nju-Jorkut, të cilit Presidenti Meta i akordoi, së fundmi, dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ishte i ftuar në A2 ku foli për situatën nga pandemia në vendin tonë, por edhe në SHBA.

Doktori theksoi se, në luftën ndaj koronavirusit, përgjegjësia është individuale dhe sistemi imunitar është ai që vendos.

“Në Tiranë, lokalet janë të mbushur, njerëzit nuk mbajnë distancë. Komunikacioni shumë i dendur tregon se njerëzit nuk po izolohen dhe po vazhdojnë jetën normale. Mua më duket normale jeta në Tiranë.

Kam punuar në pavijone me pacientë 100% me Covid-19 dhe duke zbatuar protokollet, duke mbajtur maskën, nuk jam infektuar, jo vetëm unë, por shumica e personelit mjekësor. Kështu që, në radhë të parë, njerëzit duhet të mbajnë maskat që të mos infektohen. Parandalimi është trajtimi më i mirë i kësaj sëmundjeje. Unë sugjeroj që të mbajmë maskat, në rastet kur nuk mbajnë dot distancën 2 metra. Duhet të bëhet një jetë më e shëndetshme, ushqim i rregullt, mospirja e duhanit. Secili duhet të kujdeset për veten dhe të marrë masa të mos infektohet. Trajtimet e infektimeve janë shumë të dyshimta, pasi ne mundohemi vetëm të trajtojmë simptomat, mundohemi të parandalojmë infektimet me baktere të ndryshme, ndërsa për virusin nuk kemi trajtim. Trupi e lufton veten, sistemi imunitar vendos. Përgjegjësia është individuale”, u shpreh mjeku.

Më tej, Çelaj foli edhe për situatën aktuale në Nju-Jork, duke u shprehur se tashmë gjendja nuk është alarmante. “Në Nju-Jork numrat nuk janë edhe aq të lartë edhe pse me testime gjejmë njerëz që janë pozitivë. Spitalet nuk janë të mbushur si në mars, prill e maj, tashmë shohim një relaksim. Nju-Jorku nuk është në gjendje alarmante aktualisht”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat