Ndahet nga jeta aktivisti shqiptar Gjon (John) Lulgjuraj

Amerika

Ndahet nga jeta aktivisti shqiptar Gjon (John) Lulgjuraj

Nga: Beqir Sina Më: 12 gusht 2021 Në ora: 22:59
Gjon (John) Lulgjuraj

Shoqata Vatra në Tampa Florida, ka njoftuar ndarjen nga jeta në moshën 69 vjeçare të Gjon John Lulgjuraj, aktivist i njohur dhe ndikim në komunitetin shqiptar.

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë që sot u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare Z. Gjon John Lulgjuraj, një nga patriotët dhe njerëzit më me influence në Komunitetin Shqiptar në USA. Do të kujtohet gjatë për kontributin e tij moral dhe financiar për Çështjen Kombëtare! Pushoftë në paqe” shkruhet në njoftim.

I lindur në fshatin Llofkë pranë Sukës së Grudës, pas shkollimit të parë në vendlindje do të ndiqte Gjimnazin Klasik Dominikan në ishullin Brac të Kroacisë. Kur mbërriti në Amerikë (Detroit) në vitin 1970 në moshën 18 vjeçare, nisi studimet e larta në Miçigan, në degën e historisë së artit – periudha e Renesancës, kurse më pas u magjistrua në degën e historisë së arkeologjisë. Pas përfundimit të studimeve hapi një biznes në Miçigan, duke e mbajtur për 13 vjet. Në vitin 1989 shpërngulet në shtetin e diellit, në Florida.

Në mars të vitit 1971 si student në mërgim ai themeloi dhe drejtoi programin radiofonik “Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit”, me qëllim për të pasur një zë objektiv kundër influencës së Jugosllavisë së atëhershme të Titos ndaj shqiptarëve. Ky ishte programi i parë afatgjatë në gjuhën shqipe në Miçigan, i cili u transmetua një çerek shekulli, deri në mars të vitit 1996.

Nga viti 1972 deri ne vitin 1977 ka qenë nënkryetar i organizatës famëmadhe “Ethnic Councel of Michigan”, organizatë qe përfaqësonte të gjitha grupet etnike ne Miçigan. Në vitin 1976, u nderua me detyrën për të hapur dhe drejtuar kremtimin e parë në Miçigan për “Bicentennial”, 200-vjetorin e Shteteve te Bashkuara, në prezencën e Guvernatorit të Miçiganit dhe shumë personalitete të larta shtetërore. Ky ishte një nderim i madh që iu bë Gjonit për faktin se kjo natë historike në Michigan, ku jetonin mbi 2 milion njerëz të komuniteteve të ndryshme, udhëhiqej nga një shqiptar ( malësor).

Gjoni me ndihmën e Viktor Chachos dhe shume familjeve shqiptare, po në vitin 1976 formoi “Grupin Vallëzues”, i cili mori pjesë në programin e kremtimit të 200-vjetorit të Shteteve te Bashkuara. Ai ishte mjaft aktiv edhe në fushën e sportit. Ka qene bashkëthemelues i skuadrës së futbollit “ Iliria”. Gjatë viteve 1978 dhe 1979 ka qenë President i Lidhjes së Futbollit në Detroit, në kuadër të së cilës ishin edhe dy skuadra shqiptare, “Besa” dhe “Iliria”, detyrë e cila i jepte mundësi të kontrollojë më afër aktivitetet e elementit pro-Jugosllav”.

Në vitin 1979, i ftuar nga Shtëpia e Bardhë ka marrë pjesë në punime me “Delegacionin Amerikan për Konferencën e Madridit” për të drejtat e njeriut, sipas marrëveshjes të Helsinkit. Gjate këtyre punimeve ai kërkoi nga Delegacioni Amerikan, që në agjendën e tyre të diskutohej për shkeljet flagrante të te drejtave të njeriut ndaj popullit shqiptar ne Jugosllavinë e atëhershme, si dhe gjendjen tepër te vështirë te popullit në Shqipëri nën diktaturën Enveriane.

Ka ndihmuar në organizimin dhe ka marrë pjesë në shume aktivitete të komunitetit, duke përfshirë edhe mitingje dhe demonstrata në përkrahje të popullit shqiptar. Ndër demonstratat kryesore që u përgatitën në Miçigan, ishte “Greva e Urisë” pranë Qendrës Federale ne Detroit. Në këtë grevë 17 shqiptarë qëndruan pesë dite pa ngrënë, derisa u realizuan kërkesat e tyre për t’u takuar me senatorët e Miçiganit. Si pasojë, senatorët premtuan se do ta përkrahin rezolutën e parashtruar pranë Kongresit Amerikan për Kosovën. Demonstrata te tjera me rendësi ishin ato qe shkaktuan mbylljen e festivalit Jugosllav ne Detroit, etj”.

Gjon Lulgjuraj disa herë ka dhënë dëshmi, pranë Kongresit Amerikan, për gjendjen e Shqiptarëve ne Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Në vitin 1982, gjatë një demonstrate të madhe të shqiptarëve në Uashington, ai mbajti një fjalim në gjuhën angleze, në shkallet e Kongresit Amerikan, ku denoncoj aktet gjenocide Serbo-Malazeze-Maqedonase dhe Greke ndaj popullit Shqiptar.

Për disa vite ka qenë kryetar i organizatës më prestigjoze të Diasporës AANO (Albanian American National Organization) Organizata Kombëtare Shqiptaro Amerikane, e themeluar në vitin 1946 me qëllim për të ruajtur identitetin tonë kombëtar në mërgim pastaj për disa vite ka drejtuar edhe Lëvizjen “Atdheu na Bashkon”, e formuar në vitin 2006. Në një periudhë kohore prej 42 vjetësh në Amerikë Gjon Lulgjuraj disa herë ka qenë i pranishëm me shkrimet e tij në shtypin amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Në vitin 1979, ai publikisht denoncoi shtypin amerikan që Nënë Terezën e quanin “Murgeshë Jugosllave”, duke dhënë fakte nga intervistat që Nënë Tereza i bëri ne Detroit, ku ajo deklaroi se ishte shumë krenare që ishte Shqiptare. Si pasojë e kësaj proteste shtypi në Miçigan e identifikoi Nënë Terezën me prejardhje shqiptare.

Homazhet do të mbahen ditën e shtunë nga ora 16:00 deri në 20:00 ndërsa ceremonia mortore do të jetë ditën e dielë në ora 11:00 në Serenity Funeral Home on 13401 Indian Rocks Road , Largo, FL 337

ReplyReply allForward

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat