Shkodran lind, nuk bëhesh në Amerikë

Amerika

Shkodran lind, nuk bëhesh në Amerikë

Nga: Ramazan Çeka Më: 27 gusht 2021 Në ora: 16:11
Autori Ramazan Çeka

Një darkë mes miqsh me shkodranin më të njohur të New Jerseyt.

Gjithnjë sezoni veror është cilësuar si stina e ngrohtë, ku shumë kush planifikon pushimet vjetore pse jo dhe angazhimet më të rëndësishme të jetës, siç janë dasmat, fejesat e gëzimet familjare, gjë që tashmë është bërë tradicionale që qyteti të gumëzhijë si një amfiteatër, ku autokolona të gjata dasmorësh pushtojnë rrugët, duke i bërë jehonë gëzimit të tyre familjar, aq sa me gëzimin e tyre, gjithë shend e verë si kurrë më parë, prej javësh qyteti i Shkodrës ka marrë emrin qyteti i dasmave.

Kësaj vere vihet re një fluks i madh emigrantësh dhe makinash me targa të huaja, të cilët mesa duket për shkak të pandemisë e në pamundësi udhëtimi, dasmat, gëzimet dhe pushimet e tyre u detyruan t'i shtyjnë për këtë vit.

Fluksi i madh i të ardhurve e ka gjallëruar edhe qytetin, aq sa ç¬do ditë takoj miq e të afërm nëpër kafe, rrugica e sheshe, të cilët me mall e gëzim për vendin dhe njerëzit e ndajnë me ne lumturinë e prezencës mes nesh. E tillë ishte edhe biseda e ngrohtë me mikun tim Edmond Drishti i ardhur nga Amerika, nga i cili mora shkas të shkruaj këto pak rreshta për të, si një nga personalitetet më të ndritura shkodran, i cili dhe pse i lindur në Amerikën e largët kurrë si harroi rrënjët e veta që i manifeston me patriotizmin e tij të flaktë që e karakterizon.

Jam shkodran me gjak shqiptari,

Do flas gjuhën që m'la i pari,

Se shkodran nana të lind,

E nuk bahesh n'Amerikë.

Edhe pse ishim takuar shpesh për kafe e biseda miqsore, kësaj here kishte ardhur enkas për të më ftuar në një darkë familjare, të cilën e shtronte kryesisht për miqt më të vjetër të babait dhe familjes së tij. U ndjeva tepër i vlerësuar, pse jo edhe i privilegjuar.

Krenaria për origjinen dhe mirënjohja për prindërit tregohet me vepra edhe në raste gëzimesh, sikurse kjo darkë e shtruar në nder të miqve te babës se tij nga Eddie Drishti (Edmond Drishti), i cili edhe pse me banim në Amerikë kurrë nuk e harroi detyren e tij më sublime, si djali i shkodranit të thekur Bahri Drishti. Respekti ndaj njeriut më të çmuar babait, dhe mbajtja gjallë e lidhjes dhe mirënjohjes ndaj miqve te tij më të vjetër e nxiti të shtronte këtë sofër bujare.

Ishin miq të njohur nga kujtimet e babait me të cilët për vite me rradhë Bahri Drishti, i tretur larg vendlindjes me shpresën se një ditë do të kthehej pranë tyre, ushqeu me vlera patriotike fëmijët e tij, kjo bëri që shumë prej tyre t'i kishte rreth tryezës me dashamirsinë e prezencës së secilit prej tyre, të cilët dukshëm e lumturonin Edin.

Veç miqve të vjetër, Edmondi kishte ftuar edhe shumë miq të tij, ku mes tyre ishte i pranishëm edhe këngëtari i madh Gëzim Nika, i cili i dha gëzim e gjallëri akoma më të madhe kësaj darke të ngrohtë e bujare, ku bashkë me këngët e kënduara prej tij gërshetoheshin puhiza detare dhe dallgët që puthnin bregun fare pranë lokalit ku ishim mbledhur në plazhin e Velipojës.

Për vlerat dhe kontributin e shkodranit Edmond Drishti pati edhe një surprizë të veçantë ku Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare i kishte akorduar një mirënjohje të cilën ia dorzoi vetë drejtori z. Minella Kureta i ardhur enkas nga Tirana, me motivacionin kuptimplotë: "Mirnjohje". I jepet titullarit dhe personalitetit te shquar shqiptaro - amerikan z. Edmond Drishti, Komandant dhe Toger i Policisë në Qytetin Hoboken, njëkohësisht dhe President i Sindikatës së Rreshterëve, Togerëve dhe Kapitenëve në New Jersey në Amerikë për arritje profesionale dhe humane në përçimin e vlera të larta socilale, për integrimin e shqiptarëve në SHBA. Baballarët e mirë lënë trashëgimtarë të denjtë, ishte urimi që perjetësoi kujtimin e të madhit Bahri Drishti, gjë që e pasqyronte miredukimi dhe shqipja e folur aq bukur nga fëmijët e tij.

Edmond Drishti, shkodrani i lindur në Amerikë, i martuar me një vajzë shkodrane me të cilën lindën fëmijë edhe pse i rrethuar nga një kulturë multietnike, ka ditur të ushqejë veten dhe familjen me kulturë, tradita e virtyte të larta qytetare shkodrane, prandaj është nder dhe krenari për Shkodrën që djem si Edi ia ndrisin faqen dhe rrisin vlerat kudo nëpër botë me qëndrimin dhe kontributin e tyre në komunitetin ku jetojnë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat