Hapet ekspozita e librit shqip në Amerikë

Amerika

Hapet ekspozita e librit shqip në Amerikë

Nga: Dr. Yllka FILIPI Më: 27 shtator 2021 Në ora: 23:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Të shtunën, me 25 qershor qyteti i Stamfordit, ziente nga shkrimtarët, lexuesit dhe dashamirët e librit të cilët vinin drejt selisë së përkohshme të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë që hapi ekspozitën “20 vite krijimtari letrare në  SHBA”. Në një ambient të bukur në qendrën e qytetit ishte zbukuruar ekspozita me tavolina dhe rafte librash si dhe me logon e shoqatës dhe shënimin: “Mirë se vini të dashur shkrimtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.

Ekspozitën e hapi presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve z. Adnan Mehmeti i cili prezantoi krijimtarinë botuese letrare gjatë këtyre 20 viteve. Ai foli rreth angazhimit dhe finalizimit për hapjen e selisë së përkohshme të lidhjes së shkrimtarëve si edhe për ekspozitën e librit shqip. Edhe në kushtet më të vështira të pandemisë, ne nuk e kemi ndalur kurrë punën e palodhur për të sjellë denjësisht librin shqip drejt vëmendjes së lexuesit amerikan- u shpreh ai.

Kryetari i Shoqatës z. Mëhill Velaj shpalosi detaje nga ky projekt mbi ecurinë e ekspozitës gjatë muajit në vijim dhe programeve që do të zhvillohen në kuadër të 20 vjetorit të kësaj Shoqate. Ambasadorët e kulturës sonë kombëtare – vijoi ai, – kanë sjellë një vërshim botimesh e prurjesh të reja për të cilat ndjehemi krenarë t’i prezantojmë përpara publikut të gjerë amerikan.

Nënkryetarja e Shoqatës dr.Yllka Filipi foli gjerësisht për rëndësinë e kësaj ekspozite dhe qasjen potencialisht drejt një lexuesi universal më të gjerë tashmë këtu në Amerikë. Katërcepërisht gjuha e librit është thjesht gjuha e shpirtit-evidentoi ajo. Për sa kohë realitetet përthyhen konvencionalisht në mijëra dritëza konvencionalizmash simbolikë që derdhen qetësisht në fletën e bardhë, pavarësisht formës dhe prerjes fizike të semantikave të kuptimit e perceptimit, gjuha e librit mbetet universale. Do të gjendet gjithmonë një shteg i ndriçuar që të çon drejt zbërthimit të kuptimit, prekjes, njohjes dhe zgjimit të kureshtjes së horizontit të pritjes. Kjo simbiozë shqip dhe anglisht i ka shtrirë shumë thellë rrënjët drejt interesimit të publikut artdashës amerikan. Dinamika e transformimit kësisoj të fuqive konceptuale të kuptimit më të thellë simbolik ka thyer peshën e rëndë të distancave territoriale dhe është vërsulur drejt një publiku të kulturuar dhe të etur për emocion dhe art. Kjo molekulë është urëkalimi, përqendrimi i energjisë mendje trup e shpirt në një vatër të përbashkët institucionale.

Anëtarja e Shoqatës zj. Sabije Dervishi Veseli u angazhua për organizimin dhe mënyrat e menaxhimit dhe kontakteve me lexuesin. Magjia e librit shqip përthith vëmendjen e lexuesit të etur të këtij kontinenti madhështor si dhe përçon vlerat më të thella të trashëgimisë sonë kulturore nëpërmjet autorëve shqiptarë dhe veprave të tyre.

Filantropisti dhe afaristi z. Richard Lukaj solli një pako me libra në ekspozitë dhe foli gjithashtu për lidhjet me Shoqatën dhe vlerat e saj në shoqërinë amerikane. Stenda qendrore ishin botimet që lidheshin me Shoqatën e Shrimtarëve dhe organin e saj. U prezantuan tre librat voluminoz: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001-2011)” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2012-2021)”, si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”.

Stendë në vete ishte revista “PENA” me të gjitha numrat e saj, botimet nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, si edhe botimet që lidhen me Shoqatën dhe anëtarët e saj. Ambienti i ekspozitës është i organizuar me zyra të ndryshme dhe për këtë merita i takon aktivistes zj. Lila Metalia.

Në ditën e parë të ekspozitës u ekspozua në një ambient të veçantë krijimtaria letrare në vite e poetes, shkrimtares dhe studiueses dr. Yllka Filipi, e cila ka hyrë potencialisht në letërsinë shqipe, si një zë unikal.

Gjithashtu vijoi prezantimi me shkrimtaren Sabije Dervishi Veseli e cila prezantoi punen e saj ndër vite dhe padiskutim dëshirën e madhe për të qenë sa më pranë lexuesit amerikan.

Të dielën, në ditën e dytë, u ekspozua krijimtaria e pasur letrare e shkrimtarit Mëhill Velaj, i shumëkërkuar dhe i dashur në publik. Edhe shkrimtarja Bora Balaj prezantoi krijimtarinë e saj letrare, e cila me romanin e fundit, përkthyer në anglisht, është më pranë lexuesit amerikan.

Për pjesëmarrësit e ekspozitës u shtrua një drekë pune në restorantin e njohur Blackstone Stekahouse në Stamford nga z. Edi Ahmetaj i cili gjithashtu afroi në shërbim të gjitha tavolinat dhe karriget që do të shfrytëzohen gjatë gjithë kohës sa të  jetë e hapur ekspozita e librit shqip në Amerikë.

***

Ekspozita do të vazhdojë të hapet të shtunën me 2 tetor në orën 12:00 ose sipas kohës së përshtatshme të shkrimtarëve.

S’mund të jetoj pa libra-shprehet Thomas Jefferson si edhe shoku im më ë mirë është njeriu i cili do më sjellë një libër që nuk e kam lexuar-evidenton Abraham Lincoln.

E pastë jetën të gjatë libri shqip përtej oqeanit

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat