Çfarë biseduan Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldina në Nju-Jork?!

Amerika

Çfarë biseduan Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldina në Nju-Jork?!

Nga: Beqir SINA – New York Më: 28 shtator 2021 Në ora: 14:30
Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldina

“Lum ata që flasin gjuhën e zemrës. Në çfarëdo vendi ose gjendje që të jenë, rrugët e besimit të vërtetë, e çojnë gjithë jetën kah i njëjti drejtim- nga Perëndia”- kanë qenë këto fjalitë e bekimit të Nënë Terezës, për mbretëreshën shqiptare, Geraldinën, kur është larguar nga takimi me të.

Është një nga episodet e rralla që mbërrin në publik mabs disa dekadash kur Shejteresha në Qiell, dhe Mbreteresha në tokë, të dyja në Amshim, kohë kur Nënë Tereza ftohet në familjen mbretërore, kur ishin të vendosur në Nju Jork.

Kjo dëshmi është zbuluar pak kohë më parë nga një veteran i Mbretërisë Shqiptare në mërgim, z.Musli Mulosmani, duke i dorëzuar gazetës “Bota sot” një dorëshkrim të shkruar tri dekada më parë nga znj. Lume Musa Juka, për gazetën “Atdheu”, e cila ka qenë dëshmitare e vizitës së Nënë Terezës, dhe bisedës në Mbretëreshën Geraldinë.

Artikulli është edituar dhe përgatitur nga gazeta “Bota sot”, dhe sjell shkurtimisht çfarë biseduan dy gratë e “mbretërive” të ndryshme, njëra e tokës dhe tjetra e qiellit, në këtë 100 vjetor të lindjes, i shpallur në Kosovë e Shqipëri si viti i Nënë Terezës.

Sipas dorëshkrimit Nënë Tereza, i shpreh Mbretëreshës Geraldinë dëshirën për t’u kthyer në atdhe, në Shqipëri, se si ajo lutej te Zoti për familjen mbretërore, për gjendjen e familjes së saj lënë në Shqipëri dhe ndjeshmërinë për botën moderne të Amerikës në atë kohë.

Në këtë artikull zëdhënësja e Monarkisë Shqiptare në mërgim, rrëfen për një takim të përzemërt të Mbretëreshës Geraldinë me Nënë Terezën, laureaten e çmimit “Nobel” për Paqe.

Znj. Juka, rrëfen: “Ishte një kënaqësi e madhe me e pa Mbretëreshë Geraldinën në Nju Jork në qershorin e atij viti. Dinjiteti, me të cilin ka jetuar në mërgim, por sidomos vuajtjet, mirësia e besimi i saj në Zotin – më kanë prekë përherë”. Ky besim, thotë ajo, e ka ndihmuar të kaloj halle e mërzi të shumta, pa e humbë buzëqeshjen e saj të ëmbël.

Në bisedim e sipër ajo tregon se Mbretëresha Geraldinë, kishte takuar Nënë Terezën dhe kishin kaluar kohë së bashku, për më shumë se dy orë. Por, në kujtimet e saj, znj. Luka shkruhet se sa e përmenda këtë emër (pra të Nënë Terezës) sytë e Mbretëreshës Geraldinë, shndritën me një dritë të brendshme, me interesim e me kuriozitet të veçantë, ku ajo ka dashur të dijë për çfarë kishte folur. I tregova, thotë znj. Juka, dhe ajo dëgjoi çdo fjalë me vëmendje të madhe. Sa dëshirë kam me e pa edhe unë, tha jo. E këtë dëshirë e kam tash e sa vjet.

“Nuk u zgjata më shumë, por, me zemër iu luta Zotit, të më ndihmojë me ia dhënë këtë gëzim. Ishte e martë, 23 qershor pasdite vonë. Koha shumë e shkurtër, sepse Mbretëresha Geraldinë do të kthente me datën 26 qershor në Madrid. Nënë Tereza vinte gjithnjë në Nju Jork, për t’iu lutë Zotit, vazhdimisht, dhe për disa ditë ishte vendosur në një vend ku s’kishte as telefon. Në kuvendin e saj, murgeshat i kishte porositur mos me i dërgu asnjë mesazh”.

Duke sjellë kujtimet e saj për atë ditë znj. Juka, thotë: “I shkrova me të shpejtë një letër të vogël, në të cilën i thosha edhe këto fjalë: ‘Dëshiroj që ta njihni Mbretëreshën Geraldinë, sidomos edhe për besimin e mrekullueshëm që ka në Perëndinë.

Jetoni në kontinente të ndryshme, por ja që gjendeni në Nju Jork në të njëjtën kohë, pra ndoshta, ka mundësi që të shiheni?!’ Letrën murgeshat ia kishin dorëzuar Nënë Terezës. “Të mërkurën mbrëma, të asaj dite më bëri me dije se na priste në mëngjesin e 25 qershorit. Sa mirënjohëse i isha! Menjëherë telefonova Mbretëreshën Geraldinë. Kënaqësia e saj ishte e papërshkueshme. Kur shkova ta marrë të nesërmen më përqafoi duke më thanë: “Jam shumë e gëzueshme që do ta takoj Nënën Terezë”.

Abedin Mulosmani (zëdhënësi i Oborrit Mbretëror) na shoqëronte. Nuk ishte e lehtë me gjet rrugën, në një lagje jo shumë të bukur të jugut të Bronksit. Mbretëresha Geraldinë, me habi shikonte herë majtas e herë djathtas. Nuk u besonte syve të saj dhe pyet: A është e mundur të ketë kaq varfëri në këtë vend kaq të pasur? Rrugët kësisoj, e shtëpia të shkatërruara?”

Znj. Juka, kishte këtë përgjigje: “Nënë Tereza kudo ku shkon, kërkon me gjet plagët e vuajtjet e atij vendi, e si një mjek i mirë, me hir të Zotit iu sjellë shpresë e shërim”.

Mbërritëm! Një murgeshë e re dhe e bukur si pranvera na çeli derën. Duke buzëqesh na tha: “Nënë Tereza është duke ju pritur!”, e na drejtoi me hapa të lehtë si me qenë duke fluturuar”

Image

Nënë Tereza ishte në gjunjë duke u lutë! U çua në këmbë, posa na pa, me shumë ngrohtësi na shtrëngonte duart dhe na përqafoi me shumë përzemërsi. Na futi në dhomën e vogël e u ul pranë Mbretëreshës Geraldinë. Menjëherë, filluan të bisedojnë…

“Unë nuk merrem me politikë, me buzëqeshjen time e dalloni”, na tha Nënë Tereza. Më pas ajo vazhdoi duke thënë: “Prej ditës qysh se keni ikur nga Shqipëria, i jam lut Zotit, për ju e për djalin tuaj”.

Ndërsa biseda ka vijuar nga fjalët e Mbretëreshës Geraldinë: “Gjithmonë e kam ndier në zemër se dikush, shumë pranë Zotit është duke u lut për ne e djalin tim! Paskeni qenë ju Nënë Tereza. Me gjithë zemër ju falënderoj. Zoti Ju bekoftë!”

“Më vjen keq që nuk mundem të shkoj në të gjitha vendet e botës. Por më keq më vjen, pasi u treta e gjitha, se nuk më lejojnë të shkoj në vendin tim, në Shqipëri. Por Zoti thotë se asgjë në këtë botë nuk është e përgjithmonshme” , ka vijuar bisedën Nënë Tereza.

Mbas një heshtjeje të vogël Nënë Tereza vazhdoi: “Kur u bëra murgeshë, prindërit e mi bashkë me motrën dhe vëllanë tim, u kthyen në Shqipëri.

Image

Babai vdiq gjatë luftës. Vëllai, Lazri Bojaxhiu, i cili tash banon në Palermo, Itali, mundi të arratisej, nëna me motrën mbetën atje. Unë tash jam nënshtetase indiane, në Indi kam kaluar gati gjithë jetën time. Qeveria indiane pati mirësinë me ndërhy pranë qeverisë së Tiranës, duke iu lutur Tiranës që të më lejonin t’i vizitoj. Kjo as qe e mundur… Nëna ime ndërroi jetë, pak më vonë edhe motra. Vetëm Zoti e di çka është bërë me ato në Shqipëri. Vetëm pranë Zotit ato duhet të jenë në paqe, të qeta, e të lumtura.

Vëllai im e flet shqipen shumë mirë. Unë jam larguar e vogël nga familja. Më kujtohen disa fjalë, por vëllait i shkruaj shqip. Se si e shkruaj shqipen as unë nuk e di, por vëllai im duket se më kupton shumë mirë. Po ju madhëni a e keni perfeksionue shqipen?”

Znj. Luka shkruan se ndërhyri në këtë bisedë duke u shprehur: “Po. Nëna Mbretëreshë, Geraldina, e flet dhe e shkruan shumë bukur shqipen – ëmbël e shumë këndshëm”. Biseda me Nënë Terezën, u bë në anglisht, gjuha që është zgjedhë me fol në kuvendet e Misionarëve të Mëshirës”.

Mbretëresha Geraldinë që fliste gjashtë gjuhë (hungarisht, anglisht, italisht, frëngjisht, shqip, spanjisht) foli me të përzemërsisht duke i bërë shumë pyetje, sidomos për sa i përket punës së shenjtë që Nënë Tereza bënte e po përhapte në vende të ndryshme të botës. Nënë Tereza iu përgjigj pyetjeve duke dhënë edhe hollësirat e duhura. Njëra prej pyetjeve të Mbretëreshës Geraldinë ishte: “Cilat janë problemet më të mëdha të SHBA-së?”. Nënë Tereza iu përgjigj: “Nuk i di të gjitha, por me ç’kam pa e dëgjuar deri tani janë: vetmia, indiferenca e njerëzve dhe sidomos varfëria shpirtërore… kjo e fundit është shpeshherë edhe me tragjike sesa varfëria për bukë… e kundërta e racës sonë shqiptare, që jemi shumë të varfër nga ekonomia, por jemi shumë të pasur nga shpirti”.

Ajo tha se ndihej nevoja të hapej një shtëpi bamirësie, edhe në Nju Jork. Edhe, se atë ditë ishte dhënë edhe leja e hapjes së saj. “Vizita juaj do të jetë e paharrueshme, edhe për këtë gjë, është rasti i mirë sikur edhe ju të kishit ndihmuar në themelimin e kësaj shtëpie. Tash është momenti të largohem pakëz sa t’i lutem edhe një herë Zotit”, i tha Nënë Tereza, Mbretëreshës Geraldinë.

Dëshmitarja e bisedës, znj. Lume Musa Juka, thotë se rrallëherë ka parë fytyra të tilla të ndriçuara me një dritë dashurie e shpirtërore, sa që pashë ato dy fytyra atë ditë të këtyre dy grave të bekuara e të mrekullueshme”.

Disa minuta më vonë u ndamë nga ajo shtëpi, ku u takuam, duke u përshëndetur çiltërsisht, me të njëjtën ndjesi. “Duke mos i besuar zemrës se si po ndaheshim”.

“U larguam sikur të ishim njohur përgjithmonë, sepse e njëjta jetë shpirtërore na frymëzonte, jetë që vjen vetëm për një besimi të plotë dhe të sinqertë. Me përvuajtjen që e dallonte Nënë Terezën, na përcolli deri jashtë shtëpisë, duke na dhënë me vete bekimin e saj: “Lum ata që flasin gjuhën e zemrës. Në çfarëdo vendi ose gjendjeje që të jenë, rrugët e besimit të vërtetë e çojnë gjithë jetën kah i njëjti drejtim – nga Perëndia”, – do të shkruante në dëshminë e kësaj bisede e bërë afro rreth 50 vjet më parë për gazetën “Atdheu”, znj. Lume Musa Juka.

Lume Juka, intelektualja nga Shkodra, një humaniste e njohur dhe kontribuese në shumë fusha, vajza e ish-ministrit Musa Juka në kohën e Mbretit Zog I është ndarë nga jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Qershor 2020. Amaneti i saj ishte që të prehet në qytetin e Shkodrës pranë të afërmve të saj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat