Në SHBA nderohet përkrahësi i palëkundur i lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës

Amerika

Në SHBA nderohet përkrahësi i palëkundur i lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 28 maj 2017 Në ora: 15:29
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në kuadër të vizitës së punës në Uashington D.C zhvilloi një takim me Senatorin amerikan Bob Dole.

Në një ceremoni të veçantë, në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, Kreu i Shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”

Në vijim kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.”

“Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës.

Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!

Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

Shumë i emocionuar, Senatori Dole e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ambasadoria e R. Shqipërisë Floreta Luli - Faber dhe ajo e Kosovës, Vlora Çitaku, Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Euro Azisë nga Zëri i Amerikës, si dhe një grup shqiptarësh nga Washingtoni, Virginia, dhe New Yorku, veprimtari i njohur Harry Bajraktari, dhe veterani i palodhur i çështjes kombëtare në diasporë për më shumë se 6 dekeda, zoti Sejdi Hysenaj  dhe gazetari i TV 21 Halil Mula.

Përfshirë edhe dy miqtë e tij më të afërt të Senatoriit Bob Dole, shqiptaro-amerikanin, Xhim (Xhemail) Xhema, biznismenin dhe njërin prej aktivistëve më të dalluar në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe zotin Elmi Berisha,  i cili ishte për disa vjet përfaqësues politik i presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë zyrës së Senatorit republikan Bob Dole (ambasador nderi i Kosovës në SHBA).

Drejtori i Euro - Azisë, i Zërit të Amerikës, Dr. Elez Biberaj, duke sjell edhe disa fotografi me kujtime të pa harruara me Senatorin Bob Dole, në VOA, ka lën shënimin në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se isha jashtë mase i nderuar që të merrja pjesë në këtë ceremoni duke nderuar një burrë shteti të madh amerikan dhe nxitës të të drejtave të njeriut, paqe dhe stabilitet: “Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, shkruan zoti Biberaj, ka dhënë çmimin më të lartë të vendit të tij, medaljen e Flamurit Kombëtar, senatorit Bob Dole për kontributin e tij në demokratizimin e Shqipërisë dhe lirinë dhe pavarësinë e Kosovës” shkruan Dr Elez Biberaj?.

Xhema: Udhëheqja paqësore e Presidentit Rugova u siguroi shqiptarëve të Kosovës mbështetje në mbarë botën
Veprimtari i komunitetit shqiptar, afaristi në Nju York Xhim Xhema, ka thënë se shpreson se udhëheqësit e Kosovës do të vazhdojnë në rrugën e zotit Rugova, e cila u siguroi shqiptarëve përkrahje ndërkombëtare.

Presidenti Rugova, thotë zoti Xhema, ishte një udhëheqës largpamës, një njeri që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë. Është vërtetë një tragjedi, shton ai, që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës.

"Shpresoj që udhëheqësit e rinj të Kosovës, thotë ai, të përqafojnë udhëheqjen paqësore të President Rugovës, një qëndrim që u ka siguruar shqiptarëve mbështetje në pjesën më të madhe të botës".

Ilir Ikonomi, gazetari mjaft i njohur i Zerit të Amerikës, ishte në ceremoninë e dekorimit të Senatorit Robert Joseph Dole, i cili njihet nga shqiptarët për një kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Ikonomi sjellë në llogarinë e tij personale në rrjetin social Facebook, një nga zgjedhjet presidenciale, të vitit 1912, kur ai është takuar për herë të parë me kandidatin republikan të 25 viteve më parë Bob Dole.

Pata rastin të bisedoj për pak çaste me senatorin Bob Dole, i cili mbahet mend sidomos për humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996 ndaj Bill Klintonit, shkruan ai.

”Më kujtohet se shumë shqiptarëve u erdhi keq për humbjen tuaj në atë kohë. Ata shpresonin që ju të bëheshit president i Amerikës," - i thashë shkruan në profilin e tij Ikonomi, duke shtuar pergjigjen që ka marr nga Senatori në pension Bobe Dole :  "E di, - m'u përgjigj, - por edhe Klintoni bëri disa gjëra të mira për shqiptarët.”

Ndërkohë, Ikonomi në shënimin e tij përshkonë edhe atë momentin se si Senatori 94-vjeçar i shtrëngoi dorën me një fije të hollë ndenjësie, duke thënë: “Më dha dorën e djathtë, të cilën mezi e lëviz, sepse e ka të paralizuar nga një plumb që ka marrë në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shtrëngimi i saj ishte si një pincë që nuk të lëshon dhe që sigurisht flet mjaft për forcën e karakterit të këtij njeriu.Krahu i plagosur i senatorit Dole vazhdimisht ka ngjallur empati mes amerikanëve dhe është përmendur shpesh në media.” 

Më tej ai tregon se në vitin 1998 dhe 99, pikërisht ky senator i plagosur i bëri presion të vazhdueshëm ish-rivalit të tij politik, presidentit Klinton, për të ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave serbe në Kosovë.

“Nuk dihet se si do të kishte shkuar puna e Kosovës pa senatorin Dole. Politikanët kanë shumë fjalë boshe, por Bob Dole e kishte seriozisht në ato që thoshte dhe ishte i sinqertë në dëshirën për ta parë Kosovën të lirë dhe të pavarur” ka përfunduar Ilir Ikonomi - gazetari mjaft i njohur i Zerit të Amerikës, ishte në ceremoninë e dekorimit të Senatorit Robert Joseph Dole".

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat