Dy dekada të TV Kultura Shqiptare

Amerika

Dy dekada të TV Kultura Shqiptare

Nga: Asllan Bushati Më: 5 tetor 2017 Në ora: 23:39
Asllan Bushati

Ishte prilli i vitit 1998. Problemet ne Kosovë po zjenin . Gjak  shqiptarësh po derdhej nga shtypja, dhuna e reprezaljet e  skadroneve ushtarako-policore  të  Milloshevicit. Diaspora ishte ngritur në këmbë në SHBA, Europë  e kudo në mbrojtje të Kosovës. Fondacioni “Vendlindja thërret” bënte dy mitingje në dite (si edhe organizma të tjerë të diasporës), për të ndërgjegjësuar komunitetin vecanërisht në tri shtetëshin NY, NJ dhe Kenerika, e  për të mbështetur me të gjitha mënyrat e mjetet,  formacionet e ardhëshme  ushtarake të  Kosovës. Në kuadër të kësaj veprimtarie në disa zyra në Artur Avenue në Bronx dhe  në mjediset e Royall Regency  Hotel  në Yankers të NY,  së bashku me disa kolegë të tjerë, i ishim futur  punës për ngritjen dhe stërvitjen e “Batalionit Atllantiku”. Aty erdhën shumë  reporter televizionesh të cilët donin të filmonin dhe të merrnin intervista, por ne për të mbrojtur punën tonë nga ndonjë keqbërës, nuk pranuam të  publikonim atë  që po bënim (me përjashtim të të autorizuarve të Shtetit Amerikan). Ne si shtaf drejtues , kishim autorizuar( për efekt arkivi)  Zotin Gani Bllaka të bënte foto-portretin e cdo pjesëmarësi të Batalionit Atllantiku dhe të filmonte disa pjesë të ngritjes e stërvitjes së Batalionit, filmime të cilat do ti shërbenin historisë së ardhme së UCK-së.

Por ndërkohë  që po punonim ,erdhi  të na takonte  edhe Zoti Adem Belliu, cili kishte filluar që  në 1997, një program televiziv një orësh në gjuhën shqipe i njohur me emrin” TV Kultura Shqiptare” . Ishte hera e parë që e takoja  dhe  përnjëherësh më krijoi përshtypjen e intelektualit e  atdhetarit të formuar me idetë  dhe prakticitetin  e kohës, e larg  slloganeve e steriotipeve të  së shkuarës. Pasi shkëmbyem disa mendime me  Zotin Adem, ramë dakort se do të ishte një gjë e mirë për të ardhmen që edhe  TV-ja Kultura Shqiptare ta  filmonte këtë veprimtari. Ashtu u bë, dhe që nga ajo kohë e deri më sot  po bëhen dy dekada që shohim, ndiejmë e shijojmë gjithë  programet e TV Kultura Shqiptare së bashku me familjarët, miqt, shokët, vatranët dhe gjithë bashkatdhetarët në SHBA. Ai tashmë midis nesh është një “familjar” shtesë cdo ditë e cdo  natë.

Programi i ketij TV, nisi si një program kulturor një orësh në javë, por  në këto njëzet vite, ai  ka pësuar një evolucion të vërtetë zhvillimi. Ai ka ardhur duke u shtuar në orë transmetimi, është pasuruar në përmbajtje, është përsosur figura, dritëhijet, portreti, këndi i shikimit, titrat, zëri, transmetimi etj. Eshtë bërë jo vetëm kulturor por dhe informues, është bërë jo vetëm hulumtues   por edhe arenë debate për problemet shqetësuese të komunitetit madje dhe të Kombit.Eshtë  bërë  promovues i sukseseve  në biznes,por edhe shumë argëtues për të  gjitha moshat e njerëzve të  komunitetit shqiptar. Ëshë bërë mjet i pa zëvëndësueshëm për fëmijët e komunitetit që ata ta mësojnë e mbajnë gjallë gjuhën e bukur shqipe. Por, mbi të gjitha  arkivi i TV Kultura Shqiptare  në këto njëzet vite,  i  hedhur në shirita e CD, është një enciklopedi e gjallë e jetës dhe e veprimtarisë së komunitetit shqiptar në SHBA.

Me këtë rast , specifikisht do të theksoja se të gjitha aktivitetet kryesore të Vatrës në këto njëzet vite si : Kuvendet e Vatrës, formimi i disa degëve të reja, festimet e Ditës Pavarsisë së Shqipërisë e Kosovës,përvjetore për Nolin, Konicën, Arshi Pipën, Mithat Frashrin,Abas Kupin, Mark Krasniqin, Musine Kokalarin, promovime librash etj, janë filmuar e transmetuar nga TV Kultura Shqiptare. Kjo  ka qenë për ne vatranët ( e vecanërisht drejtuesit), një ndihmesë  shumë e madhe në përcielljen para vatranëve e gjithë komunitetit  të problemeve, shqetësimeve dhe ideve  të Vatrës për të ardhmen. Nuk ka patur aktivitet madhor të Vatrës që drejtuesit e saj të mos jenë  ftuar para mikrofonit të TV Kultura Shqiptare e  intervistuar, duke përciellë kështu nëpërmjet këtij ekrani, jo vetëm frymën e vendimeve të marra, por edhe ndiesitë shpirtërore e qytetare të të zgjedhurve në organet drejtuese. Dhe sic është vepruar me Vatrën, është vepruar edhe me të gjitha shoqatat, organizmat dhe institucionet e tjera të komunitetit. Kam bindjen se  Shoqatat: Liga Civile shqiptaro-amerikane, “Motrat Qirjazi”, ”Kosova”,  “Cameria”, “Dibra”,” Malsia”etj ,do të kishin vënë  në dukje më specifikisht shumë detaje të punës së mbrekullueshme e të  pa lodhur të këtij televizioni.

Tematika rreth ceshtjeve e shqetësimeve  të mëdha kombëtare ka qenë jo vetëm  e pranishme në TV Kultura Shqiptare , por ka qenë boshti dhe  strumullari i pjesës më thelbësore të emisioneve të transmetuara. Forcimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor në Shqipëri e Kosovë, zgjedhjet e lira, punësimi, rritja e mirëqenies, frenimi i emigrimit, zhvillimi i arsimit,kulturës, shëndetsisë , e lufta kundër kriminalitetit, janë trajtuar me përparësi nga vetë TV Kultura Shqiptare  (Zoti Adem Belliu) e gazetarët Dalip Greca, Marjana  Zeneli  Bulku etj  dhe personalitetet e komunitetit. Po ashtu me shume vemendje janë trajtuar edhe  problemet e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni, në Camëri, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj.

Reportazhet e TV Kultura Shqiptare kanë patur  si dimension hapsinor nga NY në Kaliforni e nga Alaska në Florida. Madje kohët e fundit edhe nga gjithë trojet etnike shqiptare. Por mbledhja e informacionit në këto distance, përpunimi i të dhënave,  përgatija dhe transmetimi, kanë qenë e janë një punë voluminoze dhe shumë e lodhëshme për Zotin Adem Belliu, bashkshorten e tij Mimoza, vajzën Vera, e djalin  Gertold. Për të cilët komunitetit në këtë njëzet vjetor,  shpreh ndjenjat e konsideratës me të lartë. Kudo e kurdoherë është përdorur një fjalor i zgjedhur, gjuhë e kulturuar, larmëni shprehjesh e frazash të dialekteve te ndryshme, por pa cënuar aspak versionin zyrtar të  gjuhes  njesuar . E tashme ky TV pothuaj i ka kaluar brezit te dyte, sepse Vera Belliu pothuaj drejton nentedhjete perqind te emisioneve.

Shumë politikanë, njerëz të artit e kulturës, nxënës e student nga Shqipëria , Kosova, diaspora  dhe trevat etnike, kanë patur rastin të ftohen e ta  përdorin mikrofonin e TV Kultura Shqiptare, që  ndiesitë dhe shqetësinet e tyre t’ja përciellin komunitetit shqiptaro-amerikan e më gjërë. Kjo e ka bërë këtë TV një mik më të mirë e më të besueshëm,  të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, krahu politik, feje  a dallimi tjetër.

Dhe së fundi, është e pa mundur që në një copëz shkrimi në përvjetorin e njëzetë të jetës së TV Kultura Shqiptare, të rroket e të vihet në dukje gjithë ajo punë kolosale që është bërë, e cila po të hidhej në letër do të ishte mijra faqesh. Pa ashtu, është dashur që organizma përfaqësues të komunitetit, në këtë përvjetor ti propozinin Presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës, dekorimin e këtij televizioni si institucion dhe të Drejtorit të tij  Zotit Adem Belliu me medalje e urdhera të nivelit të merituar. TV Kultura Shqiptare është mjet i fuqishëm i komunikimit dhe edukimit e si i tillë ka nevoje edhe per përkrahjen jo vetëm morale por edhe financiare  të biznesmenëve e organizmave të tjerë të komunitetit. Dhe më e vogla gjë që mund të bëjmë është që më  29 Tetor të marrim pjesë në mbrëmjen gala të njëzet vjetorit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat