Dita që shënoi Pavarësinë e Shqipërisë

Amerika

Dita që shënoi Pavarësinë e Shqipërisë

Nga: Mimoza Dajçi Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 17:18
Mimoza Dajçi, Ruben Diaz dhe Esad Rizai

New York - Në bashkëpunim me Presidentin e Bashkisë Bronx, New York - Z. Ruben Diaz Jr, dhe inisiativën e Z. Esad Rizai - President i "Albanian American Society Foundation" më 28 Nëntor 2017 u mbajt në Hollin kryesor të Bashkisë Bronx Ceremonia Festive e 105 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku mes flamujve Amerikan e Bashkisë - Bronx, ishte vendosur edhe flamuri ynë kombëtar.

Siç ishte njoftuar nga Zyra e Presidentit Diaz Jr, celebrimet e rastit filluan në ora 6 të mbrëmjes nën tingujt e bukur të Hymnit Amerikan dhe atij Shqiptar, kënduar nga artistja e popullit Znj. Merita Halili, shoqëruar në fizarmonikë nga mjeshtri i madh i muzikës e bashkëshorti i saj Z. Raif Hyseni. Festa u moderua nga avokati amerikan e miku i shqiptarëve Stephen Kaufman, i cili për fjalën përshëndetëse ju drejtua Presidentit të Bashkisë në Bronx - Z. Ruben Diaz Jr.

Të pranishëm përveç organizatorëve si Z. Esad Rizai, TV Alb, Fondacionit Shqiptar "Sons & Daughter of Albania in America" dhe "Albanian Community Center" ishin edhe përfaqësues të organizatave jo qeveritare në New York, New Jersey, Connenctikut, Pennsylvania, ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj e përfaqësues të medias shqiptare dhe amerikane. Nga urat lidhëse e raportet pozitive që ka ngritur Z. Esad Rizai me Bashkinë në Bronx dhe Presidentin Ruben Diaz Jr. janë vlerësuar me Çmime të larta shumë personalitete shqiptare, mes tyre edhe heroi ynë kombëtar Isa Boletini, i cili 105 vite më parë për të qenë i pranishëm pranë firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali e ngritjes së flamurit në Vlorë, u nis me kuaj me 100 trimat e tij, djem, nipa e luftëtarë të lirisë, duke marrë parasysh çdo rrezik e peripeci të rrugës, përballjes me pushtuesin e huaj e motin e keq. Si pjesë e kësaj familje ngjarjen ma ka treguar Tafil Boletini, ish Prefekt në Fier, nip i Isës e bashkëluftëtar i tij në këtë udhëtim historik. 

Presidenti Ruben Diaz Jr, në fjalën e tij përveç të tjerave falenderoi Z. Esad Rizai për punën e palodhur që po bën në evidentimin e vlerave historike e patriotike të shqiptarëve si dhe nderoi me Proklamata Nderi drejtorin e bordit të Fondacionit "Albanian American Society" Z. Sandër Çotaj, Dr. Hasan Demaj, historianin Bajram Doka, si dhe figurat emblema të historisë Dedë Gjo Luli dhe Elez Ali  Nezaj.

Në emër të Guverantorit të New York-ut Z. Andrea Como, Proklamatën për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ja dhuroi Z. Esad Rizai, Përfaqësuesja e Komuniteteve në Bronx zonjusha Nathalia Fernandez.  

Në këtë manifestim tradicional e madhështor ku nuk munguan edhe këngët e meloditë nga grupi muzikor i Rrafshit të Dukagjinit, dhe ushqimeve te bollshme, fjala mbyllëse ju rezervua Z. Esad Rizai, i cili falenderoi me respekt e mirënjohje të thellë Presidentin Ruben Diaz Jr, stafin e tij si dhe Z. John DeSio - Drejtor Ekzekutiv i stafit të Presidentit Diaz Jr, për mbështetjen e pakufishme që i kishin dhënë këtij aktiviteti me vlera patriotike.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat