Deklaratë e Federatës panshqiptare të Amerikës “Vatra” - Bota Sot
Deklaratë e Federatës panshqiptare të Amerikës “Vatra”

Amerika

Deklaratë e Federatës panshqiptare të Amerikës “Vatra”

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 21:05
Ilustrim

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, MBËSHTET  me shumë forcë dhe pa asnjë ekuivok ndërtimin e një muzeu të evidentimit të krimeve të komunizmit dhe në kujtim të viktimave të pafajshme të shfarosura dhe të të burgosurve në Kampin famëkeq të Tepelenës. Vetëm Kujtesa do të shërojë plagët tona....

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Përkujtim të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA nderon në mënyrën më të thellë kujtimin e viktimave të pafajshme të sistemit totalitar komunist shqiptar. Kjo ditë përkujtimore na bën të gjithëve të reflektojmë akoma më shumë për të parë nëse gjatë afro tre dekadave të demokracisë shqiptare a janë nderuar sa duhet viktimat e sistemit totalitar, e përmbi të gjitha sa mësime ka nxjerrë shoqëria jonë nga e shkuara jo e largët.

Të shfarosurit gjatë diktaturës hoxhiste, të burgosurit, të persekutuarit e të përndjekurit mbeten sot akoma pjesa më e dhimbshme e ndërgjegjës së shoqërisë shqiptare, për të cilët jo vetëm kujtesa, por mbi të gjitha vlerësimi i pandalshëm i vuajtjeve dhe sakrificave do të ishte rruga më e mirë për kurimin e plagëve.

Historia e diktaturës komuniste mbetet histori e cila ka në rrënjët e saj gjakun e pushkatimeve, mundimet e burgimeve të gjata dhe vuajtjet e sa a sa familjeve në kampet e internimit. Nqs ne harrojmë faktin se diktatura komuniste ishte asgjë tjetër vetëm një sistem kriminal ndaj qytetarëve të vet, atëherë do të jemi të destinuar që këto plagë të dhimbshme të mos i kurojmë dot.  

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, MBËSHTET  me shumë forcë dhe pa asnjë ekuivok ndërtimin e një muzeu të evidentimit të krimeve të komunizmit dhe në kujtim të viktimave të pafajshme të shfarosura dhe të të burgosurve në Kampin famëkeq të Tepelenës. Vetëm Kujtesa do të shërojë plagët tona dhe vetëm Kujtesa do të bëjë të mundur që të rinjtë e sotëm dhe brezat e ardhshëm të njohin të vërtetën e dhimbshme të diktaturës komuniste shqiptare.

Nga ana e saj, Federata VATRA, e ndërgjegjshme për rolin dhe peshën e saj në mbarë botën shqiptare, si edhe me përgjegjësinë për mbajtjen sa më të fortë të miqësisë shqiptaro-amerikane shpreh publikisht gadishmërinë e saj për të kontribuar në ndërtimin e një muzeumi në kujtim të viktimave dhe vuajtjeve të ndodhura në kampin komunist të  internimeve në Tepelenë, duke bërë të mundur kësisoj që jo vetëm vatranët, por mbarë diaspora të jetë pjesë e ngritjes, shëndoshjes dhe forcimit të kujtesës sonë historike.

* Deklara e Vatrës lëshohet me rastin e 23 Gushtit, Ditës Europian  të Kujtesës për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit dhe do të lexohet nga  z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit të Dosjeve, në Përkujtesën që do të organizohet në Tepelenë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera