Letër publike e shoqatës ‘Vatra’ në Tampa, SHBA

Amerika

Letër publike e shoqatës ‘Vatra’ në Tampa, SHBA

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 22:22
Shoqata "Vatra"

Shoqata “Vatra” Tampa Bay, si dhe mbarë komuniteti shqiptar në Florida, solidarizohet dhe mbështet plotësisht protestën studentore. Ne jemi të ndërgjegjshëm për drejtësinë e kësaj proteste e shkaktuar nga keqqeverisja në shtetin shqiptar, të cilën e ka mbuluar korrupsioni dhe krimi.

Nëpërmjet tarifave e taksave të papërballueshme arrin deri aty sa të vështirësojnë dhe të bëjnë të pamundur ndjekjen e studimeve të larta nga shumë studentë e sidomos të atyre që vijnë nga familje të varfra. Edhe pse larg jush, ne jemi shpirtërisht bashkë me ju, duke protestuar si demokratë me ndershmëri e ndërgjegje kombëtare për çdo padrejtësi jo vetëm ndaj ju studentëve, por dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që po e vuajnë deri në palcë diskriminimin politik, ekonomik e kombëtar nga kjo qeveri e korruptuar.

E gjithë diaspora dhe populli shqiptar i kanë drejtuar sytë dhe vëmendjen nga ju, sepse ju jeni shpresa jonë. Ju dhe vetëm ju mund ta çoni Shqipërinë përpara dhe të realizoni ëndrrat e rilindësve tanë, të Konicës e të Nolit, të të gjithë atyre që sakrifikuan dhe jetën për një shtet demokratik europian. Ju falënderojmë edhe një herë nga zemra për vijimin e protestës deri në zgjidhjen e kërkesave tuaja. Do të jemi krah për krah me ju në çdo hap që do të hidhni për reformimin e Shqipërisë drejt Europës dhe një kombi të bashkuar. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë rininë studentore! Përzemërsisht nga shoqata “Vatra” në Tampa Bay Florida.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat