Pse muret nuk bëjnë punë

Analiza

Pse muret nuk bëjnë punë

Nga: Pamela Kroslej Më: 29 janar 2019 Në ora: 07:33
Foto ilustrim

Ideja e ndërtimit të një muri kufitar, për të parandaluar ardhjen e të huajve, është një traditë shumë e vjetër, e cila nuk ka funksionuar dhe aq mirë. Historia është e zbukuruar me mure të famshme, që nga Muri Sumerian i Mardusë 4 mijë vjet më parë.

Rrënojat e tyre, na kujtojnë sot se përdorimi i një muri për të parandaluar ardhjen e njerëzve të rinj në një territor, është ideja më e vjetër dhe më e dobëta në arsenalin e një shteti – një arsye

pse askush nuk është përpjekur t’i bëjë muret që të funksionojnë për mijëra vitet e fundit.

Muri më romantik, Muri i Madh Kinez, na kujton se muret janë gjithsesi të mira për diçka. Origjina e murit, ishte një rrjet muresh lokale, të ndërtuara nga principatat e veçanta të Kinës së lashtë, përpara bashkimit të saj nën një sundues qendror në vitin 221 Para Erës Sonë. Ky sundimtar, i njohur nga historia si Qin Shi Huang, i lidhi muret bashkë dhe i bëri më të larta.

Pastaj, ashtu si tani, Kina kishte 3 anët e tjera, por ato ishin të mbrojtura nga malet dhe deti.

Kina kishte një armik në anën veriore të murit, nomadët e famshëm Xiongnu, që mund të mblidhnin rreth 100 mijë kalorës ose më shumë. Muri mund t’i detyronte ata t’i binin murit rrethe qark, ose të paktën rreth seksioneve më të forta, duke shpenzuar furnizime, kohë dhe energjinë e kuajve dhe njerëzve.

Këmbësoria që synonte të ngjitej në mur, e pa se kjo ishte diçka e rrezikshme dhe të mundimshme, edhe pse jo e pamundur. Muri nuk kryente një funksion jetik në aspektin e sigurisë, por sigurisht krijoi një kurs interesant pengimi, për këdo që do të sulmonte nga veriu.

Përdorimet kryesore të Murit të Madh të Kinës, ishin për mbikëqyrje dhe kalimet doganore. Kullat e ngritura në mur, mundësuan një studim efektiv të peizazhit, dhe çdo lëvizjeje në anën tjetër.

Por ato ishin më të dobishme si stacione doganore. Kina tregtoi me të gjithë fqinjët, dhe një numër të madh territoresh të largëta, për pjesën më të madhe të historisë së saj. Veç kësaj, ajo ka tentuar përherë të rregullojë tregtinë dhe të ndalojë kontrabandën. Një seri portash të mëdha në mur, ishin një nga aspektet që ndihmonin në këtë qëllim.

Tregtarët e lodhur mbi deve, zgjidhnin shpeshherë të kalonin përmes këtyre dyerve, dhe të paguanin një takes, sesa të përpiqeshin të kacavjerreshin mbi mur në ndonjë pjesë tjetër.

Megjithatë, edhe përtej këtyre përparësive, magjia e vërtetë e murit ishte dhe është vlera e saj si një mjet politik.

Ai ishte projekti parësor i punëve publike të perandorit. Simbolizonte shkallën e gjërë të sundimit të tij personal. Imponimi i punës së detyruar, për të ngritur murin në lartësinë e dëshiruar, tregoi fuqinë e tij imponuese. Kontrolli i fortë që ushtroi mbi të ardhurat dhe shpenzimet, e forconin kontrollin e tij mbi burokracinë dhe ushtrinë.

Ky është kuptimi, në të cilin muri është përdorur gjatë shekujve XX-të dhe XXI-të, si emri i të gjitha llojeve të produkteve që synojnë të tregojnë aftësitë teknike dhe komerciale të Kinës:cigare, letra bixhozi, mbathje, kamera, ilaçe bimore, kompjutera, dhe një SUV që amerikanët mund të presin ta kenë në dyqanet e tyre në vitin 2022.

Për shfaqjet patriotike, asgjë nuk e mposht një video të Murit të Madh me flamujt kombëtarë, që valëviten nga nga çdo frëngji. Muri i Madh, është kaq jetik për krenarinë kineze, saqë gjatësia jashtëzakonshme rreth 5.500 milje, është fryrë në statistikat shtetërore në 13.000 milje.

Kur është fjala për një simbol të pushtetit ekzekutiv apo të krenarisë kombëtare, faktet nuk janë objektive. Tani një president amerikan po vazhdon me planin e tij për ndërtimin e një muri. Është viti 2019, dhe muret mbrojtëse janë braktisur prej qindra vjetësh, duke parë se njerëzit tani mund të fluturojnë.

Përparësitë historike të mbikëqyrjes nga kullat vrojtuese, janë zëvendësuar më së miri nga dronët, satelitët, avionët zbulues dhe madje edhe dylbitë, të cilat nuk i kishin perandorët e Kinës. Frymëzimi i Donald Trump për muret, duket të ketë ardhur nga gardhi me tela me gjemba prej 400 kilometrash, që kryeministri Viktor Orban, lideri autoritar jo-liberal i Hungarisë, ka ndërtuar për të penguar hyrjen e emigrantëve në vendin e tij nga Sllovenia.

Teoria e Trump, është se njerëzit që kanë ecur disa qindra milje pa ngrënë, pirë, pushuar apo pa një kujdes mjekësor të mjaftueshëm, do ta shohin një mur/gardh/barrierë si dekurajuese për të vazhduar përpara.Aspektet e sigurisë së mureve, kanë qenë gjithmonë problematike.

Sot ata janë edhe më të dobët se sa në Mesjetë, çka sugjeron se janë përfitimet jomateriale të murit, ato që e joshin vërtet presidentin amerikan.

Ashtu si perandori i parë i Kinës, Trump e ka përdorur perspektivën e murit si një mjet për të demonstruar fuqinë e tij impopnuese, dhe për të shtrënguar kontrollin e tij mbi të ardhurat dhe shpenzimet, deri në atë pikë saqë qeveria të vihet tërësisht nën diktatin  e tij.

Ndoshta presidenti imagjinon veten duke ecur me përbri një gardhi me tela me gjemba, plot krenari se e ka arritur qëllimin e tij. Presidenti mund të mendojë për një çast për historinë. Por edhe publiku amerikan nga ana e tij, do të bënte mirë të kujtonte të vetmin aspekt për të cilin muret janë efektivë:ata i mbajnë njerëzit brenda.

Tiranët mesjetarë, i përdornin muret për të parandaluar arratisjet e disidentëve, Muri i Berlinit funksiononte për shumicën e njerëzve, dhe Izraeli po përdor një të tillë për t’i mbajtur palestinezët në vendin e tyre. Ndërtimi modern i murit nuk duhet të jetë fizik:Mund të jetë ekonomik, kulturor dhe psikologjik.

Muri i Madh i Kinës, është sot është një relike e bezdisshme në thesarin kinez; ai shkërmoqet pa pushim, por shteti është i detyruar ta mirëmbajë vazhdimisht, jo vetëm për shkak të krenarisë kombëtare, por edhe të industrisë së turizmit. Ksenofobia, paranoja, dhe mendjengushtësia që vijnë në mënyrë të pashmangshme nga jetesa pas një muri, ishte ajo që presidenti amerikan Ronald Regan nënkuptonte, kur i kërkoi kryeministrit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ta shkatërronte atë.

Dhe ndërsa Trump mund të jetë i gatshëm të eleminojë çdo lloj rezistence, që mund t’i vijë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, është e qartë se një mur, në llojin e atij që nënkuptonte Regani, është shumë më tepër sesa ajo që ka ai në mendje. Kur planet e tij për një barrierë jugore të hidhen në erë, ai do të vazhdojë sa kohë që do të jetë në detyrë, të nxisë amerikanët të ndërtojnë mure mendore.

Shënim: Pamela Kyle Crossley, është profesoreshë e Historisë në Kolegjin Dartmauth, dhe specialiste mbi në Perandorinë e Dinastisë Qing dhe Kinës moderne.

Foreign Policy – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat