Trump po nxit një garë të rrezikshme, të armëve të reja bërthamore

Analiza

Trump po nxit një garë të rrezikshme, të armëve të reja bërthamore

Nga: Katrina vanden Heuvel Më: 8 mars 2019 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

Presidenti Donald Trump, është gati të nisë një garë të re të armëve bërthamore. Të premten e shkuar, administrata njoftoi se Shtetet e Bashkuara, do të tërhiqen nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Trump, mburrej vjeshtën e kaluar se “ne kemi më shumë para se kushdo tjetër deri tani. Ne do të ndërtojmë armë të reja bërthamore, derisa Kina dhe Rusia të ndërgjegjësohen për detyrimet e tyre”. Shpallja e Trump, ka aktivizuar periudhën 6-mujore që kërkon traktati, para tërheqjes së plotë.

Nëse nuk arrihet marrëveshja me Rusinë, dolumenti do të cilësohet i “vdekur”. Traktati i ri START, i cili kufizon armët strategjike, por që skadon në vitin 2021, do të jetë një fatkeqësi e mundshme. Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, do të shpikin më shumë armë të reja bërthamore, dhe do t’i vendosin ato në vende të tjera.

Një gabim njerëzor, aksident apo fatkeqësi natyrore, mund të sjellë një katastrofë globale bërthamore. Nëse Trump ndjek synimin që ka shpallur, shanset e këtij skenari do të rriten shumë. Aleatët dhe ekspertët e huaj, e kritikuan lëvizjen e Shteteve të Bashkuara.

Unioni i Shkencëtarëve të Shqetësuar, paralajmëroi se ky akt do të “minojë tek e fundit sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”. Bashkimi Evropian, kërkoi që Shtetet e Bashkuara

“të marrin në konsideratë pasojat e tërheqjes së saj të mundshme nga INF për sigurinë e vet, aleatëve dhe gjithë botës”.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas, tha se “fundi i traktatit, do të kishte shumë pasoja negative”. I nënshkruar nga Ronald Regan dhe Mikail Gorbaçov, Traktati i INF, ishte fillimi i fundit i garës së armëve dhe Luftës së Ftohtë. Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, ranë dakord jo thjesht të kufizojnë armët bërthamore, por t’i shkatërrojnë ato – rreth 2700 mbushje bërthamore- dhe një kategori të tërë të raketave me rreze të ndërmjetme.

Traktati i INF, çoi drejtpërsëdrejti në reduktimin e armëve strategjike në traktatin START. Fryma e çarmatimit, u përhap në vende të tilla si Afrika e Jugut dhe Libia, duke bërë që ato të braktisin kërkimet për armët bërthamore. Anulimi i Traktatit të INF, ka të ngjarë të shkaktojë procesin e kundërt, duke e bërë botën më të rrezikuar se kurrë më parë.

Që nga nënshkrimi i traktatit, gjërat nuk kanë qenë të përsosura. Rusët, besojnë shumë ekspertë, janë në shkelje të traktatit (dhe Kina nuk është palë në të). Rusia nga ana e saj, pohon se Shtetet e Bashkuara po shkelin traktatin në fjalë, me vendosjen e raketave anti-balistike pranë kufirit rus.

Tensionet filluan qëkur presidenti Bill Klinton, theu premtimin e parardhësit Xhorxh H.W Bush, dhe nisi zgjerimin eNATO-s drejt kufirit rus. Më pas, në vitin 2002, presidenti Xhorxh W.Bush u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga Traktati i Raketave Anti-Balistike.

Kohët e fundit, Rusia nisi të zhvillojë një raketë të re, për të cilën disa ekspertë argumentojnë se shkel hapur Traktatin e INF. Por zbatimi, dhe jo braktisja e Traktatit, është përgjigja e duhur ndaj shkeljeve nga ana e Moskës. Trump pretendon të ketë një marrëdhënie të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin.

Por në vend se të forcojnë përpjekjet për denuklearizimin ose të ruajnë statuskuonë, Shtetet e Bashkuara duhet të ringjallin një iniciativë më të guximshme të çarmatimit, duke angazhuar Rusinë dhe Kinën në diskutimet, mbi reduktimet e mëdha të arsenaleve bërthamore, dhe duke përdorur këtë marrëveshje për të ndërtuar vullnetin kundër përhapjes së armëve të tilla.

Është koha për të nxitur inspektimet, shkëmbimin e informacionit, arbitrimin dhe marrëveshjen – dhe jo për hedhjen në erë të traktatit. Ngjashëm, përgjigja ndaj përjashtimit kinez, është ftesa ndaj Pekinit që t’i bashkohet rradhëvë të shteteve, të cilat janë kundër përhapjes së mëtejshme të armëve bërthamore, duke mos shkatërruar atë proges që tashmë është arritur.

Por për ta bërë këtë, Trump do të duhej ta distancohet nga këshilltari kombëtar i sigurisë, Xhon Bolton, i cili e ka kundërshtuar vazhdimisht denuklearizimin. Gjithashtu, administrata do të duhej të ndërtojë një kapacitet diplomatik, që deri më tani nuk është as në ndonjë provë.

Ndërkohë, në vend se të presë Trumpin, Kongresi mund të hidhet vetë në veprim. I udhëhequr nga senatori i Oregonit, Xhef Merklej, 10 senatorë, duke përfshirë 5 pretendentë potencialë për kandidatë presidencialë (Berni Sanders, Elizabet Uoren, Kamala D.Herris, Sherrod Braun dhe Kirsten Xhilibrend), kanë propozuar një amendament, për të penguar çdo financim të armatimeve të reja, që do të shkelte Traktatin e INF.

Ndërkohë, senati duhet të miratojë një rezolutë sipas të cilës, procedurat e tërheqjes nga një traktat të miratuar nga Senati, kërkojnë miratimin paraprak të Senatit. Miratimi i një ndalimi për përdorimin e parë të armëve bërthamore, do të ndihmonte lehtësimin e tensioneve në rritje. Shkëmbimet legjislative dhe qytetare me rusët dhe kinezët, mund të fillojnë të eksplorojnë jo vetëm mundësinë e një traktati të ri START në një format më të zgjeruar, por gjithashtu një përpjekje më të gjerë për të çmontuar arsenalet bërthamore, dhe për të bashkëpunuar për mospërhapjen e armëve të tilla.

Në këtë moment, jemi duke shkuar drejt një rreziku gjithnjë e më të madh:qindra miliardë dollarë më shumë të shpenzuara për armët që nuk mund të përdoren, duke rritur rrezikun e një aksidenti apo lufte bërthamore, përshpejtimin e përhapjes, teksa vendet e tjera do të imitojnë fuqitë e mëdha, dhe do synojnë të ndërtojnë arsenalet e tyre nukleare.

Traktati i INF, ka qenë për 3 dekada një gur-themeli i kontrollit të armëve të SHBA-së. Ndërsa është e lehtë të kapërcesh arkitekturën e vjetëruar të kontrollit të armëve, është shumë më e vështirë ta bësh atë siç ishte, pasi të jetë rrëzuar njëherë.

Ne jemi tashmë në një periudhë të rrezikshme të tensioneve në rritje, midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Një garë e re e armëve bërthamore, është gjëja e fundit për të cilën ka nevojë vendi apo bota. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat