Kur fëmijët e kuptojnë, që e gjithë jeta e tyre është tashmë në internet

Analiza

Kur fëmijët e kuptojnë, që e gjithë jeta e tyre është tashmë në internet

Nga: Taylor Lorenz Më: 24 mars 2019 Në ora: 00:24
Foto ilustrim

Për disa muaj, Kara punoi për të pastruar ato që nëna e saj kishte hedhur në Instagramin e vet.

Jo shumë kohë më parë, 11-vjeçarja, që ashtu si të gjithë fëmijët e tjerë në këtë histori, përmendet me një pseudonim, zbuloi se nëna e saj kishte postuar në rrjetet sociale shumë fotografi të saj, pa miratimin e saj paraprak, për pjesën më të madhe të jetës së saj.

“Unë i kam thënë t’i vendosë aty. Është e çuditshme ta shoh veten aty, dhe nganjëherë ka foto ku nuk më pëlqen vetja”-tha ajo. Ashtu si shumica e fëmijëve të tjerë modernë, Kara u rrit e zhytur në mediat sociale. Facebook, Tëitter dhe YouTube, lindën të gjitha para se ajo të lindte; Instagram doli kur ajo ishte ende një foshnjë.

Ndërsa shumë fëmijë, nuk mund të kenë ende një llogari të vetën, prindërit, shkollat, ekipet sportive dhe organizatat e tyre, kanë një prani të tyre në internet që nga lindja. Tronditja nga vetëdija se detajet rreth jetës suaj, ose në disa raste, historia e gjithë jetës suaj, është ndarë në internet pa pëlqimin apo dijeninë tuaj, është bërë një përvojë e rëndësishme në jetën e shumë adoleshentëve.

Kohët e fundit një blogere mbi prindërimin, shkroi në një ese në “The Washington Post”, se pavarësisht tmerrit të vajzës së saj 14-vjeçare, kur zbuloi se nëna e saj kishte ndarë ndër vite  shumë histori personale dhe informacione rreth saj në internet, ajo thjesht nuk mundi të ndalonte postimin në blogun e saj dhe në mediat sociale.

Shkrimtari pohoi se premtimi ndaj vajzës, se do të ndalonte publikimin e fotove rreth saj në internet, “do të thotë fshehjen e një pjese jetike të vetes, e cila nuk është domosdoshmërisht e mirë për mua apo për të”. Në vitin 2016, një austriake 18-vjeçare, i paditi në gjykatë prindërit e saj për vendosjen e 500 imazheve të saj në Facebook gjatë viteve, pa pëlqimin e saj.

“Ata nuk njihnin turp dhe asnjë kufizim. Nuk u shqetësuan asnjëherë, nëse ishte një foto e imja e ulur në banjë, apo e shtrirë lakuriq në shtratin tim. Çdo fazë e jetës time u fotografua dhe u bë publike”- u shpreh ajo për mediat lokale. Por nuk janë vetëm mamatë blogere, ato që krijojnë identitetin online të një fëmije.

Të njëjtën gjë, bëjne edhe shumë prindër të zakonshëm. Madje për ta, ka edhe një term të posaçëm:sharenting. Gati një e katërta e fëmijëve, e fillojnë jetën e tyre dixhitale, që kur prindërit hedhin në internet imazhet e ekove përpara lindjes, sipas një studimi të kryer nga kompania AVG, që merret me sigurinë në internet.

Studimi, zbuloi ndërkohë se 92 për qind e të vegjëlve nën moshën 2 vjeç, kanë tashmë identitetin e tyre unik dixhital. “Prindërit formojnë tani identitetin dixhital të fëmijëve të tyre, shumë kohë para se këta të rinj të hapin vetë e-mailin e tyre të parë. Publikimet që prindërit bëjnë në internet, me siguri që do t’i ndjekin fëmijët e tyre në moshë madhore”- deklaron një raport nga Universiteti i Floridës.

“Këta prindër, veprojnë si dy portierë të informacionit personal të fëmijëve të tyre, dhe si transmetues të historive personale të fëmijëve të tyre”. Institucionet parashkollore, dhe shkollat fillore, kanë blogje ose ngarkojnë fotografi të fëmijëve në llogaritë e tyre zyrtare në Instagram dhe Facebook, në mënyrë që prindërit që punojnë, të mund të ndihen si një pjesë e ditës së fëmijëve të tyre.

Rezultatet e fëmijëve në aktivitetet sportive, hidhen në internet. Kur Elen, një vajzë 11-vjeçare, vendosi të kërkojë vetë në Google, ajo nuk priste të gjente ndonjë gjë, pasi ende nuk kishte llogarinë e saj në ndonjë media sociale. Ajo u habit kur zbuloi në internet, notat e viteve shkollore dhe statistikat e lojërave të saj sportive.

Në rrjet ajo gjeti edhe një histori personale, që e kishte shkruar kur ishte në klasën e tretë. Ajo ishte publikuar në një uebsajt të klasës me emrin e saj bashkangjitur. “Nuk mendova se do të gjej gjëra të tilla në internet”- tha ajo. Elen tha se ndërsa nuk kishte gjetur ndonjë gjë shumë intime apo personale, ajo ishte e frustruar nga fakti që të gjitha informatat në lidhje me veten, ishin postuar në internet pa pëlqimin e saj.

“Pavarësisht se çfarë bëni, ato janë atje dhe mund të shihen nga të gjithë njerëzit. Edhe nëse je thjesht duke notuar, pjesa tjetër e botës do ta dijë. Të dhënat e mia të mbledhura janë atje; tani njerëzit e dinë që unë jam një notare. Interneti tregon se ku janë zhvilluar të gjitha garat e mia të notit, dhe ndoshta do të tregojë edhe shkollën time. Pjesë të historisë sime në internet, ishin në spanjisht. Tani njerëzit e dinë që unë flas spanjisht”.

Por jo të gjithë fëmijët reagojnë keq, kur zbulojnë se kanë pasur një jetë në internet edhe pa dijeninë e tyre. Disa janë të kënaqur. Në klasën e katërt, Nejt kontrolloi emrin e tij në Google dhe zbuloi se ishte përmendur në një artikull në lidhje me klasën e tij të tretë, që kishte gatuar një burrito gjigante.

“Isha vërtet i befasuar. Më bëri të ndjehesha i famshëm. Njoftova miqtë e mij duke u thënë ‘Jam në një gazetë online”- tha ai. Që nga ajo kohë, ai kërkon për veten disa herë në Google, duke shpresuar të gjejë gjëra të tjera. Natali, aktualisht 13 vjeçe, tha se në klasën e pestë ajo dhe miqtë e saj konkurronin me njëri-tjetrin mbi sasinë e informacionit në lidhje me veten në internet.

“Menduam se ishte aq mirë të kishim sa më shumë fotot të vetes tonë në internet. Ne do të mburreshim”- thotë ajo. Ndërkohë prindërit e Natali, janë të rreptë duke mos lejuar postimin e të gjitha fotove të saj në mediat sociale, ndaj aty ndodhet vetëm një pjesë e vogël e fotografive, edhe pse ajo dëshiron për më shumë.

“Unë nuk dua të jetoj si e fshehur, dhe kam vetëm pak foto në internet. Unë dua të jem një person i vërtetë. Dua që njerëzit të dinë se kush jam”- shprehet ajo. Kara dhe miqtë e saj, thonë se shpresojnë të vendosin rregulla bazë për prindërit e tyre. Kara dëshiron që nëna e saj t’i tregojë herën tjetër që ajo do të postojë diçka rreth saj, dhe 11-vjeçarja do të donte të jepte miratimin ose jo për çdo foto përpara se të publikohet.

Ndërkohë në SHBA dhe Evropë, po miratohen ligje që po e disiplinojnë këtë aspekt. Në vitin 2014, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, vendosi që ofruesit e internetit t’i japin përdoruesve “të drejtën për t’u harruar”. Dhe në Francë, sipas ligjeve të ashpra të privatësisë, fëmijët mund të padisin prindërit e tyre, për publikimin e detajeve intime ose private të jetës së tyre pa pëlqimin e tyre. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat