Sfidat e sotme të SHBA-së, mund të zgjidhen vetëm përmes qasjes së Henri Kisingerit

Analiza

Sfidat e sotme të SHBA-së, mund të zgjidhen vetëm përmes qasjes së Henri Kisingerit

Nga: Michael Hirsh Më: 12 qershor 2020 Në ora: 16:09
Henri Kisinger

Disa njerëz edhe mund ta urrejnë Henri Kisingerin, dhe të keni një mendim negativ për të. Por ajo që nuk mund të bëni është që ta injoroni atë, sidomos tani. Kështu argumenton Berri Geuen në librin e tij mbi Kisinger dhe epokën e tij “The Inevitibility of Tragedy” (Pashmagshmëria e tragjedisë).

Në fakt, jo vetëm që nuk kemi luksin ta shpërfillim burrështetarin e moshuar, që mbushi 97 vjeç në muajin maj, por kemi nevojë për të më shumë se kurrë më parë. Ne na duhen në mënyrë dëshpëruese idetë dhe instinktet e Kisinger, se si ta ecim nëpër një botë që tani po e kuptojmë se nuk po funksionon shumë mirë, dhe se ndoshta kjo gjë nuk do të ndodhë asnjëherë.

Nga pikëpamja e Uashingtonit, bota është bërë sërish kisingeriane. Kryqëzatat e Amerikës kanë mbaruar, ose në rastin më të mirë janë dobësuar dhe rrënuar në themelet e tyre. Kryqëzata Uilsoniane e shndërroi kontrollin e ndjeshëm të Luftës së Ftohtë në një betejë të kotë dhe delirante kundër mitit të komunizmit monolit, duke përfunduar keq me Luftën e Vietnamit.

Ajo u rivarros në epokën e pas Luftës së Ftohtë, si një thirrje neo-reganiane për t’i dhënë fund regjimeve “të këqija”, duke përfunduar në mënyrë tragjike në Irak. Askush nuk dëshiron të bëjë më asgjë me transformimin e botës. Kjo është aq  vërtetë sa amerikanët çuan në Shtëpinë e Bardhë një neo-izolacionist të sinqertë, Donald Trumpin, në mënyrë që ai ta izolonte vendin e tyre nga bota.

Kriza e koronavirusit e ka përshpejtuar agjendën e Trumpit, duke frymëzuar një valë të re të izolimit të llojit “Amerika e Parë”. Sigurisht, rendi ndërkombëtar liberal dhe sistemi i aleancave që u krijuan nga Lufta e Dytë Botërore treçerek shekulli më parë ekzistojnë ende, dhe ne do të vazhdojmë që t’i përdorim ato.

Por mosbesimi midis aleatëve është i madh, bashkëpunimi është jo ekzistent, dhe secili vend duket i prirur të ndjekë rrugën e vet nacionaliste. Institucionet globale si Kombet e Bashkuara dhe OBT janë në raporte të këqija midis tyre, ndërsa midis kombeve, betejat e mëdha ideologjike kanë mbaruar, ose të paktën kanë rënë në një letargji të thellë.

Gjatë shekullit të kaluar, kemi qenë dëshmitarë të zhbërjes së monarkisë, autoritarizmit, fashizmit, komunizmit dhe totalitarizmit. Dhe tani po përjetojmë në njëfarë mase edhe dështimet e demokracisë, që në kaq shumë vende duket e polarizuar deri në paralizë.

Prestigji dhe fuqia e SHBA-së janë më të ulëtat sa kurrë më parë, sidomos pas mandatit të parë përçarës dhe polarizues të Trumpit, që kulmoi së fundmi me dënimin ndërkombëtar të qasjes së tij brutale ndaj protestave, që shpërthyen pas vrasjes së një njeriu me ngjyrë gjatë një arresti policor në Mineapolis.

Ndërkohë, Kina e ka rritur dhe përhapur ndikimin e saj në të gjithë botën, Vladimir Putin u përpoq dhe komplotoi sa mundi, dhe Viktor Orbanët ndoqën rrugëtimin e tyre drejt autoritarizimit. E gjitha kjo na rikthen drejtsëpërdrejti tek Kisingeri, realisti i madh Hans Morgentau (që ishte mentori i tij) dhe emergjenca e madhe gjeopolitike aktuale.

Anarkia globale dhe përhapja e rivalitetit të fuqisë së madhe, kërkon një diplomaci të fortë strategjike të llojit që Morgentau konceptoi në teori dhe Kisinger e zbatoi në praktikë.

Nuk është rastësi që Kisinger dhe filozofia e tij, patën sukses në kohën e dobësisë së SHBA-së gjatë Luftës së Vietnamit, trazirave civile, Uotergejtit dhe stanjacionit ekonomik të viteve 1970, kur diplomatët duhej të gjenin gjuhën e përbashkët, dhe një ekuilibër midis fuqive kryesore.

Përgjigja fillon duke njohur dhe pranuar atë me të cilën po përballemi. Kjo gjë është e vështirë të pranohet nga amerikanët, që për disa breza që nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas Luftës së Ftohtë, janë mësuar të kenë një dominim të padiskutueshëm të botës.

Idetë e Kisinger kanë më shumë rezonancë tani, pasi jemi qartazi në një pozitë të ngjashme me dobësinë amerikane në vitet 1970, kur elitat e politikës së jashtme nuk po mendonin për triumf, por thjesht për mbijetesë.

Ajo që nuk e kuptuan triumfalistët e Luftës së Ftohtë, shkruan Geuen, është se pas rënies së Bashkimit Sovjetik ne u përballëm me “një botë pa ideologji, në të cilën recetat transhendente mbi demokracinë nuk ishin përgjigja e duhur për problemet në fjalë”.

Ne duhet ta pranojmë se të gjitha shpresat për përsosmërinë e shoqërisë dhe qeverisjes kanë dështuar. Raporti i fundit i Kombeve në Tranzicion nga “Freedom House”, flet për dështimet në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore, duke thënë se aty ka “më pak demokraci sesa në çdo moment, qëkur u publikua raporti i parë vjetor në vitin 1995”.

Shtetet e dobëta si Afganistani do të vazhdojnë të dështojnë, dhe demokracitë dhe autokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, do të mbeten në konflikt me njëra-tjetrën. Por siç u shpreh në një rast Kisinger “gati çdo situatë është një rasti i veçantë”. Rritja e re e nacionalizmit, shkruajti ai, mund të kërkojë “identitet kombëtar ose rajonal, që përballet me Shtetet e Bashkuara”. Dhe kjo është është ajo që ka bërë Kina e Xi Jingpingut.

Në fakt, shumë nga nacionalistët e sotëm po i përgjigjen Uashingtonit, ashtu si dikur sovjetikët, duke e konsoliduar kontrollin kombëtar, dhe duke luajtur me kërcënimin nga armiqtë e huaj. Dhe neo-nacionalizmi në të gjithë globin duhet të trajtohet me të njëjtën mënyrë siç këshilloi dikur Xhorxh Kenan kundër Bashkimit Sovjetik:Ulje e kërcënimit të perceptuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe sistemet autoritare si Kina, kanë më shumë gjasa që të zhduken vetë.

Siç vëren Geuen, Kisinger shkroi në librin e tij të vitit 2011 “Mbi Kinën”, që edhe Mao, revolucionari marksist përgjegjës për vdekjen e miliona kinezëve, nuk ishte ideolog si Lenini, por një nacionalist i “Kina e Para”, dhe përfaqësoi një vend që kishte ndjenjën e vet të një izolimi të jashtëzakonshëm.

Ashtu si Shtetet e Bashkuara, por ndryshe nga amerikanët, regjimi kinez pa nevojë për një lloj zell misionar dhe përhapjen e ndikimit jashtë vendit. Dhe sot Kina po blen ndikim kudo. Por krijimi i të ashtuquajturave “koloni të borxhit” në të gjithë globin, është shumë më pak kërcënues sesa një pushtimi i plotë territorial.

Tanimë Pekini po rreshton ushtritë e botës dhe miliarda dollarë kundër demokracisë amerikane, dhe shumë njerëz në Uashington po kërkojnë në një luftë të re të ftohtë për t’u përballur me “imperialistët në Pekin”, që përbëjnë “një kërcënim për të gjithë popujt e lirë”, siç u shpreh senatori i Misurit Xhosh Houlej, një yll në ngjitje në Partinë Republikane.

Dhe detyra e parë e kësaj agjende të re të rrezikshme:tërhiquni nga OBT, ku Kina ka thyer rregullat e sistemit ekonomik ndërkombëtar në dobi të vetes së saj, duke shkaktuar humbjen e 3 milionë vende të punës në SHBA. Dhe ajo çka duhet të bëjnë amerikanët për zgjidhjen e problemeve midis Uashingtonit dhe Pekinit duket e vështirë për ta, por në thelbin e vet është mjaft e thjeshtë:

Të dy palët duhet të bien dakord, të mos pajtohen mbi disa besime themelore, thotë Kisinger. Amerikanët nuk do të heqin kurrë dorë nga përkushtimi i tyre për të drejtat e njeriut dhe lirinë personale, ndërsa kinezët nuk do të rreshtin asnjëherë së përqendruari kryesisht në ruajtjen e stabilitetit në popullatën e tyre të madhe, duke injoruar kështu të drejtat e njeriut dhe lirinë.

Në baza morale dhe kulturore, ky është një ngërç i papajtueshëm. Edhe në baza ekonomike, ekziston vetëm perspektiva e kompromisit diplomatik. Kina ka vjedhur në mënyrë flagrante pronën intelektuale të SHBA-së dhe ka shfrytëzuar tregjet e hapura amerikane, duke i “përmbytur” ato me produkte të lira të subvencionuara nga shteti.

Çfarë mund të bëhet? Mund të vazhdohen përplasjet. Ose, siç është shprehur Kisinger, mund të gjendet një “koncept pragmatik i bashkëjetesës”, jo shumë i ndryshëm nga ngërçi i epokës së Luftës së Ftohtë, kur një Amerikë e bllokuar në Vietnam, dhe e drobitur nga stagflacioni nuk ishte në formë për të ndërmarrë kryqëzata të reja ideologjike.

Ndaj u afrua me Pekinin, dhe nisi negociatat me Moskën për kufizimin e armëve bërthamore. Pra ruaj presionin në një mënyrë diplomatike, por shesho problemet themelore, siç kanë bërë gjithmonë diplomatët e zgjuar. “Dykuptimësia”- ka deklaruar Kisinger, “është ndonjëherë gjaku i diplomacisë”.

Një çështje tjetër që e parashikon edhe Kisinger dhe Morgentau, është se sa më shumë bëhet që një demokraci bëhet populiste, aq më pak e aftë është ajo që të zhvillojë një politikë të jashtme të besueshme. Kisinger e shtjelloi këtë temë në librin e tij të vitit 2001 “A ka nevojë Amerika për një politikë të Jashtme ?”.

Me rritjen e hapësirës në internet, Kisinger perceptoi një “anarki në rritje, të cilën ai e barazoi me një gjendje të natyrës hobesiane, ku perspektiva e rendit botëror tërhiqej gjithnjë e më tej nga pikëpamja … dhe në mendjen e tij kompjuterizimi i botës nxiste një lloj të menduari të papërgjegjshëm, dhe kjo gjë ishte e dëmshme për gjykimin racional në rastin më të mirë, dhe katastrofik në rastin më të keq”.

Kisinger apelon që amerikanët të rifillojnë të parashikojnë kurthet që rezervon e ardhmja, duke u mbështetur më shumë në sensin e përbashkët pragmatik, sesa në Providencën, apo besimin se po përmbushin një vullnet hyjnor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat