Për çfarë po e shfrytëzojnë mohuesit pandeminë

Analiza

Për çfarë po e shfrytëzojnë mohuesit pandeminë

Nga: Francesca Coin Më: 17 korrik 2020 Në ora: 18:58
Foto ilustrim

Sociologu Keit Kan-Herris ka shkruar një nga librat më tërheqës për dukurinë e mohimit.

“Negacionizmi: E vërteta e pashprehur (botuar në Britani në vitin 2018), bën dallimin midis mohimit dhe negacionizmit, mohimit si një ideologji dhe mënyrë jetese.

Mohimi është një proces individual, që i referohet refuzimit psikologjik për të pranuar një fakt të përcaktuar si i vërtetë. Është një lloj procesi represiv, që i ngjan një përpjekjeje për të injoruar një të vërtetë të pakëndshme, për aq kohë sa kjo është e mundur.

Nga ana tjetër negacionizmi, nuk shpërfill vetëm realitetin, por ndërton një alternativë. Në këtë kuptim, ai është një proces më i ndërlikuar, që vë në pikëpyetje pabarazitë dhe strukturat e pushtetit të shoqërisë sonë.

Ekzistojnë shumë shembuj të negacionizmit:nga ai që minimizon, ose hedh tërësisht poshtë rreziqet e ngrohjes globale, deri tek ajo që vë në dyshim Holokaustin, apo që mohon ekzistencën e sëmundjes së HIV-AIDS, që e nxiti ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Tabo Mbeki të bllokonte furnizimin e vendit me ilaçe anti-retrovirale, duke shkaktuar kësisoj vdekjen e rreth 330.000 njerëzve, sipas një studimi të Universitetit të Harvardit.

Negacionizmi, nxjerr në pah vullnetin për të hedhur poshtë fakte të provuara empirikisht, me synim ndërtimin e një shoqëri alternative, shpesh duke filluar nga një dëshirë e pakonceptueshme. Në muajt e fundit, ky koncept është evokuar në të gjitha vendet e prekura nga epidemia e Covid-19.

Nëse i referohemi Kan-Herris, edhe në këtë rast mund të bëjmë dallimin midis mohimit dhe negacionizmit. Për shembull, duke u ndalur tek shtimi e rasteve në Afrikë, BBC foli për mohimin, për të përshkruar reagimin e popullatës së disa vendeve.

Në Nigeri, ku masat kufizuese u morën para përhapjes së virusit, për të shmangur kolapsin e  sistemit shëndetësor, ato u pritën me indiferencë nga opinioni publik. Shumëkush ka një lloj refuzimi psikologjik, për ta pranuar se pandemia është një problem real.

Kristian Drosten, ekspert i qeverisë gjermane për pandeminë e Sars-cov-2, dhe drejtor i Institutit të Virologjisë në spitalin “Charité” në Berlin, e quajti këtë dukuri “paradoksin e masave parandaluese”. Në momentin që masat kufizuese, arrijnë ta vendosin virusin nën kontroll, njerëzit e përjetojnë bllokimin si një imponim të padrejtë.

Ky është një paradoks që është parë edhe në Itali, ku vendimi i qeverisë për të mbyllur një pjesë të madhe të aktiviteteve të saj prodhuese, u përjetua si një traumë nga banorët e zonave më pak të prekura. Mohimi ishte një reagim i përhapur psikologjik, që i referohet përpjekjes për t’u larguar nga një realitet shqetësues, dhe që është i vështirë për t’u pranuar.

Por mohimi nuk ka të bëjë me vështirësinë psikologjike të pranimit të një kërcënimi. Ai është vendimi politik për ta injoruar atë. Pak politikanë e ilustrojnë më së miri këtë qëndrim, sesa presidenti amerikan Donald Trump. Në shumë mënyra, i gjithë administrimi prej tij i pandemisë, ishte një shembull i jashtëzakonshëm i negacionizmit, i fokusuar në 2 proritete: nevoja për të minimizuar egërsinë e virusit, dhe dëshirën për t’i dhënë fund sa më shpejt karantinës.

Por për ta kuptuar çfarë është kjo dukuri, nuk mjafton të njohësh vetëm falsitetin e narrativave të tilla. Një demaskim i tyre, nuk mjafton për të zbuluar qëllimin e negacionizmit. Pasi synimi i tij, për t’u rikthyer tek përkufizimi i Kan-Herris, nuk është fshehja e realitetit, por krijimi i tij.

Për shumë muaj, fjalët e Trumpit nuk ranë në vesh të shurdhër. Një studim i kryer nga studiues të Universitetit të Teknologjisë në Kuinslend, Australi, zbuloi se teoritë e presidentit amerikan u përhapën shpejt falë një rrjeti informativ, që varionte nga rrjetet sociale deri tek Fox News, apo tek përkrahësit e teorive të komplotit si uebsjti “QAnon”, si dhe faqet si Infoëar të së djathtës amerikane dhe grupimet afër Trumpit.

Ata që studiuan këto narrativa – ideja që virusi ishte një “mashtrim”, apo që pandemia është një komplot i krijuar nga bota liberale, për të krijuar konfuzion tek popullata – e vunë theksin tek vazhdimësia që ekziston midis mohimit të pandemisë dhe ndryshimeve klimatike, duke theksuar se pas tyre janë të njëjtat burime:ato qendra mendimi, individë dhe organizata

që Sheldon Uajthauz, një senator demokrat nga Rod Aljand, i ka quajtur si “rrjeti i negacionizmit”.

Por ide të tilla nuk u përhapën vetëm në internet. Stefën Mur, këshilltar ekonomik i presidentit Trump dhe bashkëthemelues i “Club of Growth”, një organizatë konservatore që promovon tregun e lirë, mbështeti fushatën “Save our country” (Shpëtoni vendin  tonë), të promovuar nga një koalicion kompanish dhe grupimesh të krahut të djathtë, për të bindur Shtëpinë e Bardhë të rihapë aktivitetet ekonomike, dhe për të mbështetur nismat kundër masave bllokuese.

Muajt e fundit në mbarë SHBA-në ka pasur protesta kundër distancimit social, ku  demonstruesit kanë hedhur parulla si “Jezusi është vaksina ime”, dhe “Liri apo Covid”.

Një këshilltari republikan në një qytet, që pretendoi të drejtën e tij për të mos mbajtur maskë, përdori shprehjen ”Nuk marr dot frymë!”, e shqiptuar nga Xhorxh Floid pak para se të vritej nga policia e Mineapolis.

Në fakt, ato protesta kishin 2 qëllime politike. Siç shkruante Kuin Slobodian në “The Guardian”, këshilltarët e Trump e panë nga njëra anë pandeminë si një mundësi për të imponuar një lloj “federalizmi konkurrues” në Shtetet e Bashkuara, një sistem ku shtetet kanë me njëri-tjetrin një marrëdhënie konkurrence.

Nga ana tjetër, ata e dinin se vendimi për rihapjen e ekonomisë, do të prekte njerëzit që i përkisnin shumë më tepër pakicave sesa të bardhëve. Në fakt, me elektoratin e bardhë bashkëpunëtorët e Trumpit synuan të dilnin fitimtarë nga kjo krizë shëndetësore, dhe të siguronin rizgjedhjen e presidentit.

Pak a shumë si në vitin 2016, ideja e tyre ishte ta shndërronin Trumpin në heroin e klasës së bardhë punëtore:të fokusoheshin tek zhgënjimi i shkaktuar nga rritja e papunësisë dhe kriza ekonomike, si dhe duke e përdorur në avantazhin e tyre racizmin strukturor të shoqërisë amerikane.

Dhe pandemia, është duke e testuar këtë strategji. Në një shkrim të tijin në “Financial Times”, gazetari Sajmën Kuper përpiqet të kuptojë arsyen pse politikanët e krahut të djathtë si Trump, presidenti brazilian Zhair Bolsonaro, dhe kryeministri britanik Boris Xhonson, po e menaxhojnë kaq keq pandeminë.

Sipas tij, për ta kuptuar atë, ne duhet të kthehemi tek ekonomia e vëmendjes. Vitet e fundit, rrjetet sociale dhe lajme të rreme kanë shpërblyer udhëheqësit e krahut të djathtë, politikanët narcizistë, të cilët nuk mund t’i quajmë gënjeshtarë, përderisa ata nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë interes për të vërtetën.

Trumpit nuk i ka interesuar asnjëherë e vërteta, pasi ai e di shumë mirë që ajo nuk i shërben synimeve të tij elektorale. E vërteta kërkon më shumë kohë sesa politika që të triumfojë, dhe një deklaratë e bujshme në Twitter, është në gjendje të tërheqë vëmendjen, pavarësisht nëse është e vërtetë apo e rreme.

Pandemia e ka ndryshuar situatën, pasi e përshpejtoi ciklin jetësor të së vërtetës, duke e lejuar atë të mbajë të njëjtin hap me të tashmen. Në këtë kuptim, ajo na ka lejuar të shohim në mënyrë të habitshme se pas mohimeve të Trumpit, pas pretendimeve më të tij të bujshme dhe spektakolare, nuk ishte e vërteta por vendimi politik për të rrezikuar njerëzit dhe pakicat më të brishta.

Dhe pasojat e politikave të Trump, janë aty që t’i shohin të gjithë. Në Arizona, Florida, Luiziana, Teksas, Karolina e Jugut, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, numri i rasteve po rritet.

Në disa qarqe të Arizonës, morgjet është plot dhe spitalet janë pranë kolapsit, deri në atë pikë sa shteti ka miratuar një procedurë, sipas së cilës kujdesi shëndetësor do të jepet sipas përparësisë.

Dhe spitalet kanë zgjedhur t’u japin përparësi, atyre që kanë më shumë shanse të mbijetojnë, një vendim që sakrifikon të moshuarit, ata me aftësi të kufizuar, të varfrit dhe të sëmurët. Dhe koncepti i sakrifikimit, është thelbësor për këtë histori. Shumica e protestuesve, që kërkojnë rihapjen sa më shpejt të vendit janë të bardhë.

Kjo shifër është në kontrast të plotë me numrin e viktimave nga Covid-19, që janë në mënyrë disproporcionale zezakë dhe hispanikë, dhe ata që e humbën më shumë punët e tyre për shkak të pandemisë. Është e vërtetë që jo të gjitha pabarazitë etnike, janë dëshmi e disa dinamikave të lidhura me racizmin.

Por shumica po. Në disa mënyra, mund të themi se pandemia ka treguar se jo të gjitha jetët kanë një peshë të barabartë në shoqëritë demokratike perëndimore. Ka organizata, që për shumë vite kanë denoncuar faktin që jeta e personave me aftësi të kufizuara, konsiderohet “e sakrifikueshme”.

Në Britani gratë me aftësi të kufizuara nën 65 vjeç, kanë 11 herë më shumë të ngjarë të vdesin, sesa gratë pa asnjë aftësi të kufizuar. Për më tepër, shkalla e vdekshmërisë së njerëzve që i përkasin pakicave, është në Angli 3 herë më e lartë se sa e popullsisë së bardhë.

Kësaj i shtohet masakra që ndodhi në rezidencat për të moshuarit në të gjithë Evropën.

Vito Laterza dhe Luis Romer, shkruan së fundmi për Al Jazeera:”Është e vështirë të mos shohësh ndikimet eugjenike në gjithë këtë situatë”. Pra është e vështirë të mos shohësh se pas negacionizmit, ekziston një lloj darvinizmi social, që lejon mbijetesën e më të fuqishmit, dhe sakrifikimin e më të dobëtit.

Kjo gjë u pa të ndodhë në Itali, Gjermani, Britani dhe Francë. Në shumë aspekte, pandemia është duke na ofruar një lloj skaneri të shoqërive tona. Ajo po na tregon se kush është i sakrifikueshëm dhe kush jo, dhe sa vlen jeta e secilit. E gjitha kjo, na ndihmon të kuptojmë se çfarë është negacionizmi. / Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat