“Çeku i bardhë” dhe Eksteritoret

Analiza

“Çeku i bardhë” dhe Eksteritoret

Nga: Afrim Morina Më: 22 gusht 2020 Në ora: 06:43
Afrim Morina

Me dy shtator do të mbahet takimi në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kryeministrit të Kosovës z. Avdullah Hotit dhe Presidentit të Serbisë, z. Aleksandër Vuçiqit. Shumë kush prashtron pyetjen se a do të jetë takim teknik apo politik. Nëse do të jetë takim teknik, çka do të trajtrohet, e nëse është takim politik, deri ku do të arrihet trajtimi i problemit në mes këtyre dy shteteve? Edhe vet z. Hoti nuk është i kjartë se ka të bëjë me takim teknik apo politik, çka do të bisdohet, vetëm se zë në gojë togfjalëshin, do të kemi ndihmesë ekonomike. Nëse këtë e paralajmëron Z. Hoti, atëherë nuk kemi të bëjmë me bisedime politike “gjithëpërfshirëse”. Në anën tjetër, z. Vuçiq, ka dhënë sinjale se do të bisedohet për çështje ekonomike, por do të paraqesë edhe problemin e Manastirit të Deçanit. Sidoqoftë, nuk qenka takim për “njohje të ndërsjellë” sipas palës shqiptare, e, të mos flasim për palën serbe.

“Çeku i bardhë”

“Çeku i bardhë”, si togfjalësh, për herë të parë përmendet në Planin Marshall, pas Luftës së Dytë Botërorë, për rimkëmjen ekonomike të shteteve të Perendimit. Përmes këtij “Çeku të bardhë”, shumë shtete perëndimore përfituan shuma të majme parash, si investim i drejpërdrejtë amerikan dhe arritën të marrin veten.

Te ne shqiptarët, përherë të parë zihet në gojë në fund të vitit 1990 dhe fillim të vitit 1991 nga Sali Berisha, sidomos pas vizitës së z. Bejke në Shqipërinë londineze. Ky “Çek i bardhë” për shqiptarët doli të jetë “Çek i zi”, sepse nën moton e kësaj filloi të prishej gjithçka që ishte ndërtuar për dyzetëepesë vjet, se do t’i mbulonte “Çeku i bardhë” dhe të gjitha ata që donin siguri familjare, mund t’ia mësyejnë trageteve, se në Amerik po i priste shuma prej pesëmijë dollarësh për çdo anëtar të familjeve. Kjo shkaktoi shkatërrim ekonomik në të gjitha planet, madje edhe në ushtri e polici, në hierarkinë komanduese dhe teknike e teknologjike të këtyre dy sektorëve si shtylla të sigurimit të shtetësisë dhe integritetit territorial, me lëvizje të masave, që edhe pati shumë të vdekur në detin Adriatik e Jon.

Në një analizë, kur ishte paraparë një takim në mes z. Thaçi dhe z. Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, pata ardhur në përfundim se takimi do të kishte karakterin ekonomik. Ashtu edhe po del, me një “Çek të bardhë”. Ky çek na del për herë të dytë për ne shqiptarët, “Çeku i bardhë”. Nëse i referohemi mendimit të z. Behxhet Pacolli para katërvitesh kur përmend Zonën ekonomike, atëherë na del se kjo lojë do të luhet me dy shtator. Kur dihet animi politik i z. Pacolli, lehtë mund të konstatojmë se si i lindi kjo ide. Se do të luhet kjo lojë e përmend edhe z. Grenel dhe z. Hoti. Cila do të jetë Zona ekonomike që po e tumirë edhe Serbia e Vuçiqit? Garashanini i porositë serbët “fytyrën mbane kah Rusia, e dorën zgjatne kah Perëndimi”, sepse në kohën e tij nuk e kishim SHBA-në si fuqi, as ushtarake, e as ekonomike. Duke u mbështetur nën këtë moto z. Vuçiq nuk përton të takohet me z. Hoti se e di që kulaqi është i tij.

Cila do të jetë Zona ekonomike?

Zona ekonomike do të jetë Veriu i Kosovës, deri te lumi Ibër, duke e ditur z. Pacolli, z. Grenel dhe z. Vuçiqi se Veriun e Kosovës nuk mund ta ketë ende në hartë Serbia në njërën anë dhe z. Hoti (me gjithë kompaninë) se nuk mund ta kenë nën mbikqyrje këtë pjesë, kanë nisur këtë lojë, përmes “Çekut të bardhë”, të krijojnë një Zonë ekonomike që do të jetë nën mbikqyrjen e Serbisë, por tash “ekonomikisht”. Pra “Çeku i bardhë” po na del përsëri “Çek i zi” për ne ndërsa për Serbinë, me të vërtetë, “Çek i bardhë”. Nëse investohet në atë pjesë shuma të mëdha parash, krijohen resurse ekonomike, përmes të mirave materiale që i ka ajo pjesë e Kosovës, nën dhe apo mbi dhe, ndërtohet infrastrukturë për ta legjitimuar Serbinë në atë pjesë. Potenciali i shfrytëzimit përmes fuqisë punëtore është i Serbisë, sepse ajo herët ka planifikura zbrazjen e kësaj pjese nga shqiptarët. Pra, kështu mund të kuptohet “Çeku i bardh”. Z. Hoti dhe gjithë sorrollopi i tij janë të gatshëm të luajnë këtë lojë, tash ekonomikisht, e, nesër pa problem, t’ia japin Serbisë këtë pjesë të Kosovës, që jo vetëm është zonë e pasur në të gjihta fushat, por ka edhe pozitë gjeostrategjike në të cilën kanë investuar e investojnë edhe rusët.

Eksterritoret

Jo pa qëllim z. Vuçiq e ngritë zërin për diskutim me dy shtator edhe çështjen e Deçanit. Kjo nuk është rastësi. Në këtë takim do të bisedohet për eksterritoret e kishave dhe manastireve, që në Pakon e Ahtisarit, të trajtuara si monumente serbe, e jo orthodokse, në të cilën do të kishin pjesën e vet edhe shqiptarët. Z. Hoti në një prononcim të më herëshëm ka thënë se “edhe mund të diskutohet për eksterritore”. E kupton ky se çka ngërthen në vete eksterritori? Besoj se jo! Një njeri me pak logjikë, aq më tepër një Kryeministër, nuk do t’i lejonte vetës të diskutohet për këtë çështje. Hapjes së kësaj teme nuk i paraprinë as Pakoja e Ahtisarit, sepse nocioni eksteritor nuk përmendet. Kjo jep për të kuptuar se burimi i kësaj ideje është diku tjetër.

Takimet e Vjenës që rezultuan me Pakone Ahtisarit dhe “zbërthimi” i saj nga “ekspertet” tanë, për krijimine komunave me shumicë serbe, duke mos përfillur numrin e banorëve, që shumë komuna, së bashku, nuk kanë numër votash për të nxjerr një kuvendar, ka bërë të mundur krijimin e korridorit veri-jug, mespërmes Kosovës. Kjo ka shaktuar e shkaton bukur probleme në teren, për qytetarët, sepse, shqiptarëve u janë krijuar distanca gjeografike për komunikim me qendrat komunale me zbatimin e kësaj politike antikombëtare, pa përfillur edhe numrin e domosdoshëm të qytetarëve për krijimin e një komune. Zajednica e nënshkruar nga z. Isa Mustafa kishte qëllimin e lidhjes dhe dhënien e peshës këtij territori dhe jo vetëm Veriun e Kosovës. “Ekspertët” tanë bënë edhe “zbërthimin” e pronësisë së kishave e manastire, për të cilat kam bërë analiza kritike edhe më herët, të cilat jo vetëm se bien ndesh me faktet dhe provat poseduese në teren por edhe paralizon jetën e qytetarëve. Mu për këtë Komuna e Deçanit e ngritë çështjen në Gjykatë dhe gjithë loja politike përmbyllet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo Gjykatë legjitimon shumë më shumë pritje nga pala serbe. Duke e parë këtë veprim institucional, politika serbe shtriu edhe më tepër ndikimin e vet në veri të Kosovës, sa jo vetëm që nuk le të jetë funksionale ura mbi lumin Ibër, por edhe urën tjetër, alternative, për t’i lidhur shqiptarët ndërvete, e rëndon. Institucionet tona dhe faktori i jashtëm as që e trajtojnë si problem. Kjo do të thotë, se Vuçiqi na ka marrë erë në qafë, duke gjetur edhe mbështetjen e z. Grenel.

Përfundim

Pra, me dy shtator do të bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës, për Zonën ekonomike dhe eksteritore, me mundësi zgjerime edhe jashtë Deçanit, jo vetëm të kishave e manastireve, por edhe të komunave serbe. Kjo lojë do të luhet atje dhe parashtrohet një pyetje shumë e logjikshme, z. Grenel është me ne apo me arushën? Dhe përfundimi është, se, Ai është me arushën.“Çekun e bardhë” do ta shëndrroj në “Çek të zi” për ne. Që i bie, ne duhet të heqim dorë nga ajo pjesë e territorit. Ndërsa infrastruktura nga veriu në jug do të mundoësojë lidhjen e Serbisë me Portin e Durësit, në emër të Minishengenit Ilirik (Ballkanik). Me politikën e vet z. Grenel e mbështet Serbinë e Aleksandër Vuçiqit, sepse, i nevojitet edhe mëtutje mbështetja e Rusisë në fushatën zgjedhore.

Dikur intelektualët shqipëtarë kanë ditur të dridhin kancelaritë e perendimit, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa që tridhjet vite ata heshtin, kur mundësitë për të kuptuar lojërat e ndyta që luhen për fatin dhe territoret shqipatre, janë shumë më të mëdha. Çfarë i shtynë të heshtin apo të mbështesin këto lojëra? Mos ndoshta edhe atyre u është premtuar “Çeku i bardhë” nga Serbia?! Prandaj,Lobi shqiptaro-amerikan dhe jo vetëm këta, duhet ta zbërthejnë mirë këtë takim dhe duhet protestuar kundër bashkëbisedimit në mes z. Hoti e z. Vuçiq, të ndërmjetësuar nga z. Grenel. T’i japin mesazhin Shtëpisë së Bardhë se nuk do të lejohet më të luhet me fatin e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat