Një paralajmërim për të ardhmen, rreziku nga despotët dhe kthimi i politikave të fashizmit në botë

Analiza

Një paralajmërim për të ardhmen, rreziku nga despotët dhe kthimi i politikave të fashizmit në botë

Nga: Burim Breznica Më: 24 tetor 2020 Në ora: 13:43
Burim Breznica

Përvoja të shumta ndërkombëtare dëshmojnë për rëndësinë që një shtet të ketë institucione demokratike funksionale, gjyqësi të pavarur, medie të lirë, shoqëri civile të pavarur (etj) që të sigurojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve në një vend dhe më gjerë. Ish kryediplomatja amerikane Olbrajt në librin e saj: Fascism: A Warning (2018, përkthyer në suedisht) shkruan, përveç tjerash, per ideologjinë e fashizmit, se si u krijua dhe u perhap në vitet 1930-1940 në Evropë dhe në më gjërë. Ish sekretarja Ollbrajt shkruan edhe per paraqitje të elementeve të fashizmit tek disa parti evropiane dhe liderë despotik e autokratik në Evropë dhe në botë, në ditët e sotme si dhe për rreziqet që sjellin ato me vete për demokracitë dhe liritë njerëzore.

Fashizmi ka qenë dhe është një doktrinë e frikshme e të djathtës ultranacionaliste ekstreme dhe autoritare që krakterizohet nga udhëheqje diktatoriale dhe shtypje e dhunshme e opozitës. Shteti ka rolin primar kurse liritë e individëve janë të parëndësishme. ”Doktrina fashiste vë shtetin në qendër, funksionet dhe qëllimet e tij. Për fashizëm, Shteti është kryesori, individët dhe grupet janë relative” (Ben Dupre: 50 political ideas, f. 97, Oxford 2010, ). Ollbrajt thekson se në Italinë e viteve 1920 kishte fashistë edhe në të djathtën italiane që angazhoheshin për diktaturë por edhe në të majtën italiane që argumentonin për një shtet korporativ autoritar (f. 21). Partia Nacionalsocialiste punëtore (Nazistët) në Gjermani u bashkua rreth një liste antisemite, ishin kundër të huajve dhe kërkesave kapitaliste por angazhohej edhe për pensione më të larta, edukim edhe për të varfërit, kujdes për femrat, ndalim punës së femijëve etj. Nazistët e quanin vetën edhe racistë por edhe reformatorë, gjithnjë sipas tyre. Fashizmi është një formë ekstreme e qeverisjes autokratike. Qytetarët pritet të bëjnë atë që u thotë lideri i tyre. Kjo doktrinë është e lidhur me nacionalizmin fanatik shkruan Ollbrajt (f. 23). Musolini ishte djali i nje socialisti në bindje kurse mamaja një mësuese që ishte besimtare. Në moshën 9 vjeçare vjecare ia ndërruan shkollen sepse kishte therur një nxënës me thikë. Në moshën 15 vjeçare u përjashtua nga shkolla sepse kishte therur me thikë një nxënës tjetër. Por Musolini kishte vullnet të lexonte. Dhe ai mendonte se “drejtësia mund të realizohej vetëm përmes dhunës dhe revolucionit”. Në ditën kur erdhi në pushtet përmes marshimit deri në Romë, kishte edhe 200 hebrenjë që thërrisnin emrin e tij (f. 35). Në fund të vitit 1926 Musolini eliminoi të gjitha partitë politike, e hoqi lirinë e shtypit, pothuajse shkatërroi klasën punëtore dhe vet i zgjedhte punonjësit komunal. Për të realizuar politikat e tij futi në kontroll policinë dhe e shumëfishoi atë si dhe shtoi mbikqyrjet dhe keqtrajtimin e kundërshtarëve politik.

Adolf Hitler kishte lindur më 20 prill 1889. Ishte i biri i një punonjësi shtetëror të rangut të ulët dhe një nëne që kujdesej për të. Por si nxënës ishte i dobët. ”Një mësues e kishte përshkruar atë si jo logjik, arrogant dhe dembel” sipas Ollbrajt (f. 43). Në moshën 16 vjeçare filloi të merrej me skicime arkitekturore dhe dëgjonte muzikën e Wagnerit dhe u duk që do të arrinte sukses. Por në çdo shkollë arti që aplikonte për studime, ato e refuzonin. Në moshën 25 vjeçare mori pjesë në Luftën e Parë Botërore dhe mori graden tetar. Por ai lexonte shumë dhe veçmas kur u burgos zhvilloi aftësi retorike kur edhe shkroi librin e tij ”Lufta ime”. Më vonë dihet se si arriti të demontoj demokracinë gjermane dhe të bëhej Kancelar i Gjermanisë dhe si i futi ne kontroll institucionet gjermane sikurse edhe kolegu i tij në Itali. Më 1935, Uinston Churchill kishte shkruar për Hitlerin: ” takova një njeri shumë kompetent, shtetar i informuar me një paraqitje të dashur dhe buzëqeshje miqësore dhe pak njerëz nuk ndikohen nga magnetizmi i tij personal subtil” (f. 52). Padyshim një gabim në vlerësim. Dihet pastaj si u shkaktua lufta e dytë botërore për shkak të politikave fashiste dhe si përfundoi ajo luftë me shumë të vrarë dhe shumë viktima e vuajtje njerëzore.

Edhe sot shume liderë dhe parti politike sulmojnë demokracitë. Pse shumë njerëz në pozicione pushteti tentojnë të demtojnë besueshmërinë e gjyqeve, procesit të zgjedhjeve, sulmojnë mediet? Cili është definicioni për një fashist? Sipas Olbrajt ”fashist është një person që identifikohet fuqishëm dhe shprehet se po flet në emër të një vendi ose grupi, që nuk është i interesuar të dij për të drejtat e njerëzve të tjerë dhe që është i gatshëm që përmes të gjitha mjeteve në dizpozicion, duke përfshirë dhunën, për të arritur qëllimet e tij ” (f. 24).

Situata në Kosovë, Bosnjë dhe Ballkan në vitet 1990-ta

Diktatori Milosheviq përdorte propagandën dhe traditat nga letërsia, feja dhe historia për të realizuar unifikimin serb në politikat eskstreme nacionaliste të tij. Ai ishte i inspiruar edhe nga promemoria që ishte nënshkruar nga 200 anëtarë të Akademisë së Shkencave të Serbisë. Në atë promemorie ”serbët përshkruheshin si popull i shtypur dhe se të gjithë duhej bashkuar në një shtet” (f. 110). Në Bosnjë të gjitha palët shkelnin të drejtat njerëzore por serbët kishin më shumë armatim dhe padyshim kishin bërë më shumë krime thotë Ollbrajt. Në vitin 1992 kishte 94 kampe përqëndrimi që serbët kishin hapur atje. Gjysma e popullsisë së Bosnjës u zhvendos brenda vendit. Një në 20 veta vdiq. Masakra e Srebrenices në korrik 1995 ishte kulmi i krimeve kur serbët masakruan rreth 8 000 burra e djem te ri (f. 111-112). Boshnjakët muslimanë dhe bota i akuzuan serbët për pastrim etnik dhe gjenocid që ishin krimet më të rënda në Europë që nga krimet fashiste gjatë luftës së dytë Botërore. Në fund NATO solli përfundimin e konfliktit, duke bombarduar pozicionet serbe, të cilët pastaj nënshkruan një marrëveshje paqeje në Dejton të Amerikës së bashku me boshnjakët e kroatët dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Më 16 janar 1999 u zgjova nga zhurma e lajmeve në radio shkruan Ollbrajt në faqen 113. Një zë tha ”ka shumë njerëz të vrarë atje”. Në masakrën e Recakut u vranë 45 civilë, më i riu ishte 12 vjecar, më i vjetri 90 vjecar. Racaku gjindet në Kosovë shkruan Ollbrajt”. ”Sllobodan Milloshevic nuk përputhej me stereotipin e një fashisti keqbërës. Ai nuk ishte bombastik si Musolini dhe as nuk bërtiste si Hitleri. Fytyra e tij ishte e kuqe e trashë dhe e rrafshët. Ai të lente përshtypje në bisedime sikur të ishte i pafajshëm. Shumë veta besonin se ai ndikohej nga gruaja e tij Markoviq, një profesore e marksizmit që kishte qëndrim këmbëngulës” (f. 115). Millosheviçi bënte kontroll despotik të medies, i shtypte kundërshtarët politik dhe kishte krijuar trupa paramilitare për të frikësuar kundërshtarët e tij. ”Kur masakronte civilët në Sarajevë , ai thoshte se serbët janë viktimë kryesore e këtij konflikti. Ai kishte zakon të tregonte historira për serbët kurse une i pata thënë se e di historinë e tyre se më kishte treguar babai im që kishte qenë ambassador në Beogra” (f.115). Lidhur me Kosovën, Ollbrajt i kishte thënë kriminelit serb (koment imi) që një marrëveshje ishte afër sepse UÇK kishte premtuar të ndalte luftimet me kusht që një forcë ndërkombëtare të vinte në Kosovë për të mbikqyrur situatën dhe penguar masakra tjera shtesë nga forcat serbe në civilët shqiptarë. Është një marrëveshje që do të duhej ta pranonit dhe të fokusoheni në zhvillimin ekonomik (f. 115). Millosheviç kishte thënë se ai ”angazhohej për paqe dhe se i pëlqente pluralizmi por nuk mund të nënshkruante një marrëveshje që do tu jepte shqiptarëve muslimanë kontrollin e Kosoves”. Ollbrajt i kishte thënë se shqiptarët muslimanë përbënin 90% të popullsisë dhe plani ishte të siguronim të drejtat e serbëve atje. (f. 116). Pastaj Millosheviç pa paralajmërim kishte dërguar forcat e tij të sigurisë në Kosovë për të djegur shtëpi, për të arrestuar liderët politik dhe gazetarë dhe për të përhapur panik e terror. Dihet pastaj se NATO filloi bombardimet në mars 1999 kundër forcave serbe si përgjigje kundër krimeve të tyre dhe ato detyruan serbët të tërhiqen pas rreth 2 muaj e gjysmë. Refugjatët shqiptarë u kthyen në shtëpitë e veta e pastaj Kosova me ndihmën ndërkombëtare formoi një Qeveri të veten bashkë me ndërkombëtarët.

Putini apo njeriu nga ish KGB

Putin i nënçmon dhe përbuz vlerat perëndimore dhe njëkohsisht deklaron se ai identifikohet me vlerat perëndimore. ”Putin gënjen pa lëvizur qerpikët dhe kur ta akuzojnë për agresivitet, ai fajëson viktimat. Ai duket se ka bindur shumë veta se është strateg dhe me vullnet të fortë, duke përfshirë edhe Presidentin amerikan.” (f. 165). Veprimet e Putinit sikurse ato të Musolinit para 90 vitesh ndjeken nga liderë të tjerë autokratë në pjesë të tjera të botës që e marrin si shembull. Ollbrajt e përshkruan Putinin pas takimit të parë kështu :” Ai është i vogël dhe i zbehtë dhe aq i ftohtë sa që duket si një lloj reptili” (f.169) . ”Putin nuk është fashist me plot pupla sepse nuk ka pasur nevojë të jetë i tillë. Në vend të asaj ai në cilësi të liderit ka shfletuar ekzemplarin e Stalinit të doracakut totalitar dhe ka nënvizuar pjesë interesante për t`i përdorur si referencë kur t`i duhen ” (f. 172). Pushteti në “shtetin e tij vertikal” si psh. udhëheqja e kompanisë së naftës dhe gazit është përqëndruar tek ish kolegët e tij të sigurimit. Një rrjet i kompanive dhe bankave në pronësi të shtetit, shumë prej tyre të dyshimtë me lidhje të jashtme, furnizon miqtë e privilegjuar me projekte dhe favore ekonomike. Por Putin për dallim nga ekstremistët e djathtë ne Evropë tregon respekt për hebrenjtë dhe muslimanët sipas Ollbrajt. Armiqtë e tij janë kryesisht ata të jashtmit, ”ata me moral të dyfishtë” që gënjejnë për Rusinë dhe që kanë plane ta rrethojnë anë e mbanë por edhe atë të brendshmit, opozita, media e lirë etj. (f. 173).

Cilat janë motivet e Rusisë për të sulmuar vendet tjera dhe për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA? Ata dëshirojnë të sulmojnë demokracitë dhe t`i paraqesin si të këqija, të ndajnë Evropën, të dobësojnë lidhjet transatlantike dhe të dënojnë qeveritë që guxojnë ta kundërshtojnë Moskën (f.175). Regjimet represive në mbarë botën mësojnë nga njëra tjetra. Në vitin 1933 pasi Hitler kishtë fituar pushtetin në Gjermani, Musolini i tha një kolegu të tij: “Idetë e fashizmit po pushtojnë botën. I kam dhënë shume ide të mira Hitlerit. Tani ai do të më ndjek mua (f. 178)”.

Shembuj të tjerë të liderëve autokratë në Evropë dhe botë

Një udhëheqës tjetër autokratik është kryeministri i Hungarisë, Viktor Urban, sipas ish sekretares Ollbrajt. Urban duket të ketë përkrahës të shumtë në vendin e tij, por për shumë observatorë ndërkombëtarë, ai është ” nacionalist antidemokratik, që urren të huajt që kanë emigruar në Hungari dhe ka një agjendë të fortë antirefugjate” (f. 181). Ideali i tij është ajo që ai e quan ”demokraci joliberale”. Model i qeverisjes sipas së tij është ai i Putinit në Rusi. Partia e tij Fidesz ka programin sipas të cilit armiqtë e tyre janë të huajt në Hungari. Kjo mënyrë e të menduarit është jotolerante dhe ta kujton nacionalizmin shovenist para 100 vjetësh që solli Musolinin në pushtet në Itali, thotë Ollbrajt. Urban është skeptik ndaj shumë gjërave që vijnë nga BE, njëkohsisht është anëtar i BE-së. Të besuarit e tij të partisë kontrollojnë gjykatën kushtetuese dhe shumë gjykata tjera. Radio dhe TV e lirë janë zëvendësuar me kanale shtetërore të kontrolluara, ka dobësuar dhe infiltruar sindikatat, ka ndryshuar planprogramet mësimore dhe kanë provuar të diktojnë përmbajtjen e filmave. Nje shembull tjetër i ngjashëm është Jaroslaw Kaczynski lider i partisë për Ligj dhe drejtësi në Poloni. Kjo parti ka pushtetin në Poloni dhe Kaczynski udhëheq në prapaskenë. Ai është kundër politikanëve evropianë dhe kundër refugjatëve të cilët sipas tij ”janë parazitë dhe shpërndajnë sëmundje të ndryshme” (f. 187). Gjersa Urban i Hungarisë ka si model të qeverisjes Putinin, Kaczynski shikon modelin e tij tek Urban në Hungari. Shembuj te tjërë të partive kundër të huajve dhe rritjes së intolerancës janë Fronti Nacional Kombëtar i Le Pen në Francë, Lëvizja Agimi i Artë në Greqi etj. Rodrigo Duerte është një tjetër shef Qeverie nga viti 2016 në Filipine. Ai është bërë i njohur në botë si lider despot dhe kontradiktor. Policia e tij dhe anëtarët e gardës vrasin të dyshuarit si tregtarë të drogës pa gjyq dhe me urdhër të Duertes. Policia krijon ”lista të vrasjes” dhe ata që kanë të paguajnë largohen nga ato lista sipas raporteve ndërkombëtare.

Sipas Ollbrajt ”fashizmi koreanoverior është si një ndërmarrje familjare”. Diplomatët perëndimorë kanë pasur shumë sfida por ata nuk u detyruan të përballen me një Musolini II, Hitler III apo Stalin IV. Gjersa në Korenë Veriore është trashëguar pushteti nga një gjeneratë (lideri i madh Kim Il Sung) në tjetrën (lideri i dashur Kim Jon Il) dhe tjetri (trashëgimtari i madh Kim Jong Un) f. 205. Shërbimet e fshehta amerikane e kishin përshkruar Kim Jong Un si një diletant të turpshëm që kishte fascinim për filmat dhe nuk kishte njohuri të mëdha nga politika (f. 207). Sipas Ollbrajt, Kim Jong Un kishte dëgjuar me vëmendje sekretaren amerikane, ishte miqësor ndaj saj dhe tregonte kontroll e qetësi në takim. Kim Jong Un nuk pelqente të tregonte historira ” a la Millosheviç” dhe dëgjonte me durim në takime. Në Korenë Veriore është i ndaluar religjioni, mbajtja e një radio apo TV me valë ndërkombëtare paraqet krim, përgjimi masovik ekziston dhe altoparlantët e propagandës së tyre dëgjohen kudo, thotë Ollbrajt.

Shkrimtari Italian, Primo Levi, që kishte mbijetuar holokaustin ka thënë: secila kohë ka fashizmin e vet, momenti kritik arrihet ”jo vetëm përmes brutalitetit policor, por edhe duke mos pranuar dhe demantuar informatat e sakta, duke minuar sistemin e drejtësisë dhe në fusha tjera duke promovuar një botë në të cilën propagandohet se dikur kishte rend dhe rregull” (f. 235).

Fashizmi dhe fashizmi politik paraqesin aktualisht një rrezik real për lirinë ndërkombëtare , paqen dhe mirëqenien, më shumë se çdoherë tjetër që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore prandaj duhet luftuar atë dhe levizjet ekstremiste, kudo në botë, argumenton Ollbrajt. Duhet shtuar në fund që shtetet dhe institucionet ndërkombëtare kanë edhe detyrime ndërkombëtare ligjore por edhe morale që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, qoftë për të ndaluar përhapjen e armëve në masë, për të ndaluar përhapjen e pandemive, për të luftuar kriminalitetin ndërkombëtar apo për të mbrojtur të drejtat njerëzore nga tiranët e despotët e ndryshëm.

Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Pikepamjet e shprehura janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku ai është i punësuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Agjencia Tatimore e Suedisë, Stokholm).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat