Humbësi tjetër i zgjedhjeve amerikane: Populistët evropianë

Analiza

Humbësi tjetër i zgjedhjeve amerikane: Populistët evropianë

Nga: Paul Tylor Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Sado e ngushtë dhe e kontestuar, fitorja e Xho Bajdenit në zgjedhjet presidenciale amerikane,  do të ketë një ndikim të dobishëm jo vetëm mbi marrëdhëniet transatlantike, por edhe në politikën e brendshme të Evropës.

Ndryshe nga Donald Trumpi, që i shpenzoi 4 vitet si president duke i përdorur miqtë e tij ideologjikë si një mjet për të dobësuar dhe përçarë Bashkimin Evropian, banori tjetër i Shtëpisë së Bardhë nuk do t’i shtrojë tapetin e kuq populistëve nacionalistë nga përtej Atlantikut.

Ai nuk do të shpërblejë ata që e sfidojnë Brukselin për sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes, apo që inkurajojnë në mënyrë aktive shpërbërjen e Bashkimit Evropian. Humbja e Trump – megjithëse më pak e thellë sesa kishin shpresuar shumë evropianë -i privon demagogët jo-liberalë të Evropës nga një udhëheqës shpirtëror dhe aleat në Uashington.

Ky është një lajm veçanërisht i keq për kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe sundimtarin de facto të Polonisë Jarosllav Kazinski, që nuk do të jenë më në gjendje të luajnë “kartën Trump” për të mbështetur pozicionin e tyre politik të brendshëm, dhe për t’i bërë ballë presionit nga institucionet evropiane për sulmin ndaj pavarësisë së gjyqësorit, pluralizmit mediatik dhe të drejtave civile.

Në vend të kësaj, një administratë demokrate ka të ngjarë që t’i mënjanojë ata, edhe pse do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të ngushta mbrojtëse me Evropën Qendrore. Bajden ishte i qartë kohët e fundit kur bëri bashkë qeveritë polake dhe hungareze me autokratin bjellorus Aleksandër Llukashenko, duke thënë:“Ju e shihni se çfarë po ndodh në gjithçka, nga Bjellorusia në Poloni dhe Hungari, dhe në ngritjen e regjimeve totalitare në botë. Trump po përqafon të gjithë liderët autoritarëtë botës”.

Nëse mendimi i tyre jo-liberal nacionalist, dhe baza e tyre mbështetëse provinciale konservatore nuk do të ndryshojnë, udhëheqësit populistë të Evropës ka të ngjarë të zbulojnë se pa Trump si mbështetje morale, ata do të duhet të veprojnë në një mënyrë më pragmatike dhe më pak konfrontuese ndaj Brukselit dhe Berlinit.

Më të ekspozuar janë ata qëe shprehën publikisht preferencën e tyre ndaj Trump, si kryeministri slloven Janez Jansa, që nxitoi të përshëndeste“triumfin”fillestar republikan, dhe të denoncojnë “vonesat dhe mohuar faktet” ndërsa votat ende po numëroheshin.

Por mini-Trumpët e Evropës Perëndimore, kanë humbur gjithashtu një kumbar të rëndësishëm ndërkombëtar. Ish-strategu i Trump, Stive Benon luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen për të ndërtuar një aleancë pan-evropiane të partive nacionaliste të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit të kaluar, dhe shumë prej tyre u entuziazmuan nga popullariteti i politikave të Trump në disa pjesë të SHBA-së.

Ata mund të jenë ende në gjendje të mbështeten tek Vladimir Putin për financime të fshehta, promovim të mediave sociale, dhe madje edhe një përqafim publik, nëse Moska mendon se kjo do të ndihmonte minimin e BE. Disa e kanë luajtur edhe më parë këtë kartë: Mos harroni selfit e euroskeptikut italian Mateo Salvini me udhëheqësin rus, dhe pritjen në Kremlin të populistes franceze Marin Lë Pen gjatë fushatës presidenciale franceze të vitit 2017.

Por kur bëhet fjalë për mbështetjen e SHBA-së, populistët evropiane do të mbeten thatë. Udhëheqësi i Partisë Brexit, Najxhëll Fareixh,nuk do të përfitojë ndonjë ekspozim shtesë në media për shkak të tubimeve të Bajden, siç ndodhte me Trumpin.

Dhe as kryeministri britanik Boris Xhonson nuk do të jetë në gjendje ta përdorë mbështetjen e presidentit të mundur, për t`a bërë veten më të mirëpritur në Uashington. Përkundrazi, një administratë e Bajden ka të ngjarë ta shtyjë Mbretërinë e Bashkuar drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me BE-në, në vend se ta bëjë atë të largohet prej saj, duke inkurajuar të tjerët që të ndjekin shembullin e Londrës, siç bëri Trump.

Ambasadorët amerikanë,nuk do të kërcënojnë më në mënyrë aspak diplomatike kompanitë evropiane që bëjnë biznes me Iranin, siç bëri Riçard Grenëll në Twitter brenda disa orësh nga marrja e postit të tij në Gjermani.

As ata nuk kanë të ngjarë qëtë marrin pjesë në aktivitetet të së djathtës ekstreme përmbledhje fondesh nga donatorët e mundshëm, siç bëri i dërguari i Trumpit në Holandë, Pit Hekstra në shtator, duke shkaktuar një debat të madh. (Edhe pse Hekstra e mohon që takimi u bë për mbledhje fondesh).

“Flota” e ardhshme e diplomatëve të lartë amerikanë, ka më shumë të ngjarë të mbërrijë në Evropë me udhëzimet për të promovuar demokracinë, pluralizmin, të drejtat e njeriut dhe ndarjen e ekzekutivit nga gjyqësori. Kjo nuk do të thotë se politika e identitetit, zemërimit dhe nacionalizmit në Evropë do të zbehet.

Sipas përkufizimit, nacionalizmi nuk ka nevojë për mbështetjen e huaj. Lëvizjet populiste përreth kontinentit, janë ushqyer nga ndryshimet shoqërore të epokës së globalizimit: zgjerimi i pabarazisë sociale, rënia industriale dhe rurale, mënyra e ndryshme e jetesës dhe emigrimi në rritje, si nga ata që sigurojnë fuqi punëtore me kosto të lirë nga vendet e BE në Evropën Qendrore, dhe ata që i ikin varfërisë dhe luftës në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Populistët e Evropës janë mënjanuar nga pandemia e koronavirusit, për të cilën nuk mund të bëhet përgjegjës emigracioni apo Islami.

Disa kanë kopjuar Trumpin në kundërshtimin e bllokimeve dhe mbajtjes së maskave. Të tjerë, si Lë Pen, kanë kërkuar një mbrojtje edhe më të madhe të publikut, veçanërisht përmes mbylljes së shkollave. Por problemet ekonomike të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, një pjesë e të cilave nuk është ndjerë ende plotësisht për shkak të masave të përkohshme të mbështetjes shtetërore, ka të ngjarë t’u japë atyre shans të dytë në shumë vende.

Kalimi i ardhshëm në një ekonomi të gjelbër dhe digjitale, do të sigurojë “karburant” për lëvizjet anti-establishment, siç ishin protestuesit Jelekëverdhë në Francë, përpara se të shfaqej koronavirusi.

Dhe një valë e re sulmesh terroriste islamike në Evropë, ka nxjerrë sërish në titujt kryesorë të mediave kauzat e populistëve,si emigracioni dhe radikalizimi i disa myslimanëve të rinj.

Humbja e Donald Trumpit, i privon populistët evropianë nga një burim i fuqishëm frymëzimi dhe oksigjeni politik. Por mjerisht nuk garanton shkatërrimin e tyre. / “Politico.eu” - Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat