Si ndërtohet një aleancë më e mirë transatlantike SHBA-Evropë

Analiza

Si ndërtohet një aleancë më e mirë transatlantike SHBA-Evropë

Nga: Mark Leonard Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Fitorja e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale amerikane, është pritur me një valë lehtësimi në të gjithë Evropën, ku shumë njerëz kishin frikë se një mandat i dytë për Donald Trumpin, do të kërcënonte mbijetesën e Bashkimit Evropian.

Biden ofron të paktën mundësinë e rivendosjes së një marrëdhënieje më tradicionale transatlantike. Shumë analistë supozojnë se Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në udhëheqjen e rendit liberal ndërkombëtar, me evropianët që do të luajnë një rol mbështetës përmes diplomacisë dhe fuqisë së butë. Pra janë rikthyer “Batman” dhe “Robin”.

Por ky vizion është një mirazh. Shumë kohë përpara Trumpit dhe doktrinës së tij “Amerika e Para”, një seri krizash -dështimi me Luftën e Irakut, Recesioni i Madh dhe Covid-19 -e kishin zbehur gatishmërinë e SHBA-së për të vazhduar shërbimin si “xhandari” i botës.

Dhe gjatë 4 viteve të fundit, fuqitë e tjera – Kina, Rusia, Turqia, Irani, Arabia Saudite, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shumë të tjera-e kanë mbushur boshllëkun e krijuar nga mbyllja në vetvete e Amerikës. Pjesa më e madhe e arkitekturës së qeverisjes globale, është nën kontrollin e Kinës dhe fuqive të tjera, dhe tani po vuan nën peshën e konkurrencës midis fuqive të mëdha.

Përkundër këtyre zhvillimeve gjeopolitike, disa atlantistë evropianë kanë hezituar të kenë më shumë vetëbesim nga frika se mos e ofendojnë SHBA-në, ndërsa të tjerët dëshironin fshehurazi një fitore tëTrumpit, me arsyetimin se ajo do ta trondiste më në fund Evropën (sidomos Gjermaninë) duke e zgjuar nga gjendja e saj e vetëkënaqësisë.

Ata që janë në kampin e dytë, besojnë se Evropa ka bërë më shumë progres drejt sigurimit të sovranitetit të saj gjatë 4 viteve të fundit, sesa ka bërë nën presidencat e Barack Obamës, George W.Bush dhe Bill Clinton të marra së bashku.

Në këtë kuptim, Trump – një përfaqësues i gjithçkaje që kundërshtojnë evropianët – mund të ketë shërbyer si “babai aksidental” i sovranitetit evropian. Politikanët më mbështetës të një aleance të fortë transatlantike, e shohin veten të tolerojnë në mënyrë paradoksale rezultate që mund ta shkatërrojnë atë. E shqetësuar për ruajtjen e përparësisë strategjike globale, SHBA ishte dikur në mëdyshje mbi mbrojtjen e Evropës dhe autonominë e saj strategjike.

Por ndërsa pushteti është zhvendosur në drejtim të lindjes, qeveritë e mëpasme amerikane, kanë qenë të etura t’i kushtojnë më shumë vëmendje, para dhe fuqi ushtarake rajonit tëIndo-Paqësorit. Gjëja e fundit që duan sot SHBA-të, është të futen në më shumë “luftëra të pafundme” në Lindjen e Mesme apo në konfliktet politike në Evropën Lindore dhe Ballkan.

Prandaj, planifikuesit strategjikë amerikanë sot nuk e kundërshtojnë një Evropë më të fortë, të mbështetur tek vetja, por një Evropë të dobët, që devijon burimet e pakta të SHBA-së nga rivaliteti me Kinën.

SHBA po kërkon një partnere, dhe jo një “grup kalamajsh në nevojë”, që nuk marrin asnjë përgjegjësi për mirëqenien e tyre. Administrata Biden do të dëshirojë që të punojë me një Evropë që ofron zgjidhje, dhe jo më shumë probleme.

Atlantistët që shohin pak më larg, e kuptojnë se tani detyra më jetike nuk është të rivendosin marrëdhëniet transatlantike me SHBA-në, por t’i transformojmë ato. Një BE që arrin autonomi strategjike, mund të mos jetë gjithmonë dakord me SHBA-në për çështje të tilla si privatësia e të dhënave, politika energjitike apo edhe tregtia globale.

Por ajo do t’i menaxhonte këto ndryshime në një mënyrë pragmatike, ndërsa do të qëndronte gjithmonë krah për krah me Amerikën për çështjet e bazuara tek vlerat e përbashkëta. Në vend se të presin sugjerime nga presidenti i ardhshëm amerikan, evropianët duhet të dinë tashmë se çfarë të presin nga SHBA-ja, dhe të jenë të përgatitur që ta takojnë atë në gjysmën e rrugës.

Për shembull, mbi Kinën dhe çështjet që lidhen me rrjetin 5G, evropianët nuk kanë nevojë të presin udhëzime nga SHBA. Ata duhet të përgatisin tashmë terrenin për një Partneritet gjithëpërfshirës Transpaqësor-Transatlantik. Lipsen përditësime të reja për të anashkaluar rezistencën kineze ndaj reformave thelbësore të arkitekturës tregtare ndërkombëtare, dhe për të ushtruar presion ndaj Kinës, për t’i frenuar praktikat e saj shtrembëruese të tregut.

Po kështu edhe mbi Rusinë, evropianët duhet të hartojnë tashmë një Partneritet të ri Lindor, për të sjellë nivelin e ndihmës dhe sigurisë evropiane dhe amerikane në linjat e para të frontit të luftës.

Në lidhje me ndryshimin e klimës, Evropa duhet të lëvizë shpejt përpara për të zhvilluar një mekanizëm SHBA-BE të rregullimit të kufirit të emetimit të karbonit në atmosferë,dhe për të investuar më shumë mbi një aleancë të teknologjisë së gjelbër, për të rritur konkurrencën ekonomike.

Mbi Iranin, evropianët mund të parashikojnë zhvillimin e negociatave të reja për një marrëveshje bërthamore të rishikuar, që synon de-përshkallëzimin e tensioneve në të gjithë rajonin. Nga perspektiva e SHBA, kërcënimi më i madh për atlantizmin nuk është sovraniteti Evropian, por më shumë varësia evropiane.

Trump i ka kaluar 4 vitet e fundit, duke thelluar vijat e brendshme ndarëse në Evropë. Nëse Biden dëshiron të ri-shpikë lidershipin amerikan për shekullin XXI, ai do të duhet ta nxisë  Evropën që të bëhet e pavarur nga SHBA-ja.

Biden u ka premtuar amerikanëve se do të bashkojë vendin, dhe do t’i japë fund një “epoke të zymtë të demonizimit”. Ai mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për Evropën, dhe pa ndonjë kosto për taksapaguesit amerikanë, por thjeshtë duke ushtruar një presion të ri mbi vendet që po e minojnë nga brenda unitetin, pra Polonia dhe Hungaria.

Që nga dita e parë në detyrë, Biden duhet t’u bëjë të qartë qeverive të këtyre vendeve, se rruga për në Shtëpinë e Bardhë kalon nga Brukseli. Kjo qasje do ta bënte atë një mbrojtës më të mirë të sovranitetit evropian sesa nën presidencën Trump, dhe do të përfaqësonte një hap të madh drejt zbatimit të një strategjie të re të madhe amerikane.

Ekziston një paralele e fortë midis kësaj qasjeje, dhe debateve rreth Covid-19. Prioriteti kryesor post-pandemisë, nuk është “rindërtimi” i statuskuosë së vjetër, por më tepër përdorimi i krizës aktuale, si një mundësi për të rregulluar gjërat që ne tashmë dinim se ishin prishur. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat