Turqia i ka bërë gjithmonë gjërat sipas mënyrës së saj

Analiza

Turqia i ka bërë gjithmonë gjërat sipas mënyrës së saj

Nga: Hugh Pope &Nigar Göksel Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 20:40
Foto ilustrim

Nëse kërkoni në internet pyetjen “Kush e humbi Turqinë?”, do të zbuloni se shumë ekspertë po kërkojnë një fajtor. Versione të kësaj pyetje shfaqen në tituj të panumërt gazetash, kryesisht amerikane, por jo vetëm.

Por kjo pyetje na tregon më shumë mbi ata që pyesin, sesa për Turqinë e sotme. Ata që e ngrenë një pyetje të tillë, shpresojnë që Ankaraja të ndjekë udhëheqjen e Uashingtonit apo kryeqyteteve të Evropës, diçka që është e pamundur nëse i hedh një vështrim i shpejtë librave të historisë.

Ka ardhur koha që pritshmëritë të ndryshojnë disi. Turqia i ka bërë gjithmonë gjërat në mënyrën e vet:duke ndërtuar ura në një moment, dhe duke i fortifikuar ato për t’u mbrojtur nga të tjerët. Këto kohë është presidenti Rexhep Tajip Erdogan, ai që po shfrytëzon çdo shans për të forcuar pushtetin e tij, dhe për të zgjeruar rolin e vendit të tij në skenën globale.

Ai rivalizon me Kremlinin mbi Sirinë apo Libinë, por pastaj blen prej tij raketat e avancuara tokë-ajër S-400. Sfidon Shtetet e Bashkuara, më pas “flirton” me presidenti i saj; i fyen udhëheqësit evropianë, por asnjëherë nuk i hedh në erë negociatat e anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian. 

Kërcënon Greqinë dhe Qipron mbi kufijtë detarë të Mesdheut Lindor, pastaj bën thirrje për dialog; mbështet Azerbajxhanin mbi Nagorno-Karabakun, pastaj kërkon një vend në bisedimet e paqes; grindet fort me Arabinë Saudite, Egjiptin dhe shtetet e tjera myslimane, e megjithatë pretendon të flasë për qeverinë e stilit të Vëllazërisë Myslimane dhe të shtypurit kudo në botë.

Për disa analistë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, Erdogani, kryeministër pas vitit 2003 dhe president që nga viti 2014, është arsyeja pse Turqia, një vend me 83 milion njerëz, u “humb” nga Perëndimi. Por kjo ide daton më herët sesa ngjitja në pushtet e Erdoganit.

Kur Necmettin Erbakan, një konservator fetar, u bë kryeministër në vitin 1996 dhe i zgjati dorën e pajtimit Iranin, edhe “NewYork Times” pyeti:”Kush e humbi Turqinë?”.

Ndërsa është e vërtetë që qasja e Erdoganit ndaj botës përreth tij, është forcuar gjatë 2dekadave të fundit, refuzimi i nënshtrimit të Ankarasë ndaj Perëndimit, ka qenë prej kohësh themeli i politikës turke, pavarësisht nëse udhëheqja e tij ishte fetare apo laike, e majtë apo e djathtë.

Historitë me atë se “kush e humbi Turqinë”, identifikojnë atë që i bën fuqitë perëndimore të pakënaqura, kur Ankaraja nuk arrin të përmbushë pritshmëritë e tyre. Kjo ndodh kur Ankaraja të punojë për qëllime të dyfishta me aleatët e saj perëndimorë, apo zbaton politika të brendshme që bien ndesh me preferencat perëndimore.

Ajo që shpesh Perëndimi dështoi të kuptojë,është arsyeja pse ndodh kjo gjë. Në terma të thjeshtë, versioni perëndimor i ngritjes së Turqisë është pak e shumë kështu: Perandoria Osmane e rrënuar por brutale, i la vendin themeluesit republikan Kemal Ataturk, një reformator që udhëhoqi përpjekjen për të krijuar një Turqi moderne, që e dëboi kalifatin Islamik, u dha të drejta grave, dhe krijoi ligjet dhe institucionet e stilit evropian.

Republika Kemaliste që ai krijoi, u bë një Turqi që u anëtarësua në NATO-n dhe iu kundërvu Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë, ecuria ekonomike dhe demokratike e Turqisë në fund të viteve 1980, e bëri një dekadë më vonë një kandidate reale për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pastaj vjen “Por”. Turqia nuk arriti ta kapërcejë tërheqjen e kundërt nga rrymat islamike dhe autoritare, të simbolizuara nga Erdogan, që ishte ose naiv në parashikimin e tij të “zero problemeve”me myslimanët e tij dhe fqinjët e tjerë, ose një batakçi që komplonte gjatë gjithë kohës dominimin rajonal të Turqisë.

Sido që të jetë, ai prezantohet shpesh si pjesë e një rrethi të udhëheqësve të dorës së fortë, përkrah Vladimir Putinit të Rusisë dhe Ali Khamenei të Iranit. Autoritarizmi i Erdoganit, sipas kësaj narrative, është ai që shpjegon zgjedhjet më të fundit të politikës së jashtme të Turqisë, dhe divergjencën e tyre nga preferencat e SHBA-së dhe Evropës.

Por kjo histori lë jashtë shumë elementë thelbësorë. Perandoria Osmane mund të ishte e marrë fund në fillim të Luftës së Parë Botërore, por ajo ishte ende një aleate e Gjermanisë, dhe mbajti të angazhuar Britaninë dhe aleatët e saj në 2 nga 3 frontet kryesore të luftës, dhe nuk u mund asnjëherë plotësisht.

Ataturk ndërmori vërtet reforma të jashtëzakonshme. Por deri në vdekjen e tij në vitin 1938, ai ishte një udhëheqës autoritar, që persekutoi ata që donin një rikthim në ligjet e bazuara tek Islami, shkatërroi lëvizjet separatiste kurde, dhe në fillim ishte një aleat i Bashkimit Sovjetik.

Vetëm në vitet 1950 dhe fillimin e viteve 1960, kemi lulëzimin e aleancës së Perëndimit me Turqinë. Turqit i ishin mirënjohës SHBA-së për mbështetjen e saj kundër një pushtimi të mundshëm të ngushticave turke nga Bashkimi Sovjetik i Josif Stalini në vitin 1946, dhe në këmbim luftuan fort përkrah NATO-s në Luftën e Koresë.

Por ajo ishte gjithashtu një epokë e politikanëve të korruptuar dhe një burokracie joefektive.

Mosbesimi turk ndaj Perëndimit u ringjall në vitet 1960-1970, gjatë mosmarrëveshjeve mbi Qipron e sapo-pavarësuar. Shumica e botës u rreshtua në anën e shumicës qipriote greke, dhe jo të pakicës turko-qipriote, prej 20 për qind të popullsisë.

Shumë pak njerëz e kujtojnë sot aneksimin e shumicës së ishullit nga qipriotët greke në vitin 1963, pasuar nga një grusht shteti i mbështetur nga Greqia në vitin 1974 për ta bashkuar ishullin me Greqinë. Por Turqia po paguan ende sot një çmim në bisedimet e pranimit në BE për pushtimin e saj në vitin 1974, kur ajo pushtoi një të tretën e ishullit, duke parandaluar aneksimin grek.

Turqia ishte sfiduese edhe në vitin 1964, kur kryeministri Ismet Inonu, paralajmëroi SHBA-në se nëse po ndryshonte aleancat e saj, dhe Turqia do të bënte të njëjtën gjë. Evropa nuk e pa kurrë pranimin e Turqisë në union, si një mënyrë për ta ndihmuar atë të largohej nga sundimi autoritar, siç ishte me Spanjën e post-Frankos, Greqinë e pas juntës së kolonelëve apo Evropën Lindore post-sovjetike.

Perceptimi i turqve mbi standartet e dyfishta perëndimore ndaj saj u forcua, kur një grusht shteti ushtarak në vitin 1980, u pasua nga largimet masive nga puna të nëpunësve civilë dhe mësuesve, me gjyqe kryesisht për show dhe me torturat që u bënë të zakonshme nga forcat e sigurisë.

Ndërsa disa në Perëndim, u shqetësuar për goditjen e demokracisë turke, faqet e para të gazetave perëndimore, e përshëndetën atë grusht shteti në emër të stabilitetit. Pra Turqia ka arsye historike për të mos i zënë besë Perëndimit, dhe për të qenë skeptike nëse qasjet perëndimore do t’i shërbejnë asaj për mirë.

Ndërsa SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore, vënë në dyshim angazhimin turk në luftën kundër grupimeve terroriste xhihadiste, Turqia sheh me shqetësimin faktin që Amerika po fuqizon kurdët kryengritës. Erdogan ka në disa aspekte të drejtë kur e fajëson Uashingtonin se mbron klerikun islamik, Fethullah Gulen, që cilësohet si organizator i grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Ndërsa Evropa akuzon Turqinë se po i shtyn qëllimisht refugjatët drejt kufijve të saj si një formë shantazhi, Ankaraja e sheh Evropën si hipokrite, pasi anashkalon konventat ndërkombëtare për t’i mbajtur larg refugjatët. Në fakt, Turqia ka pranuar deri tani më shumë se trefishin e refugjatëve sirianë që ndodhen aktualisht në pjesën tjetër të Evropës.

Erdogan e barazon tani narrativën evropiane, me një sulm ndaj sovranitetit turk. Ai u është drejtuar mjeteve gjithnjë e më autokratike, dhe beson se vendosja e fuqisë së fortë po i jep Turqisë më shumë përfitime në rajon, sesa rreshtimin me ndikimin e zvogëluar të fuqive evropiane.

Nëse Evropa po kërkon një moment se kur e “humbi” Turqinë, një pikë kthese pak e njohur ishte pranimi në BE i Republikës së Qipros në vitin 2004. Kjo ndodhi pavarësisht mbështetjes reale të Turqisë për planin e ribashkimit të Kombeve të Bashkuara.

Veprimi i Brukseli, shkeli rregullat e veta në pranimin e një anëtari të ri me një mosmarrëveshje kufitare të pazgjidhur. Kjo pjesërisht pasi Greqia kërcënoi të vinte veton për zgjerimin e BE-së drejt lindjes atë vit. Pasi Qipro iu bashkua Greqisë në BE, vetot qipriote në hapjen e shumë kapitujve të negociatave të pranimit të Turqisë e gjymtuan procesin.

Një dekadë më vonë, anëtarësimi mbetet zyrtarisht në tryezë, por perspektivat e saj janë të errëta, pasi BE dhe Turqia po “largohen gjithnjë e më larg nga njëra-tjetra”, sipas raportit të progresit tëBE-së për vitin 2020.

Presidenti i zgjedhur i SHBA Joe Biden, e ka paralajmëruar tashmë Erdoganin të “përmbahet nga veprimet provokuese”. Gjithsesi, Turqia dhe Perëndimi kanë ende shumë qëllime të mbivendosura. Për shembull as SHBA dhe as Turqia, nuk e dëshirojnë shkatërrimin e  NATO-s.

Në rastin e Evropës dhe Turqisë, që të dyja dëshirojnë qasje në tregjet e njëri-tjetrit – 60 për qind e tregtisë dhe investimeve të Turqisë është me vendet e BE – dhe bashkëpunim dhe mbështetje për flukset e refugjatëve. Sanksionet vështirë se do të dëmtonin pushtetin e Erdoganit.

Përkundrazi do të ushqenin retorikën e tij populiste, dhe do të zvogëlonin hapësirën e Turqisë për çdo afrim drejt Perëndimit. Një ide më e mirë, mund të jetë të arrihen disa marrëveshje, që trajtojnë veç e veç secilën nga çështjet. Dialogu midis Ankarasë dhe Perëndimit, mund të synojë të bëjë dallimin midis sjelljes konfrontuese të Turqisë nga njëra anë, dhe shqetësimeve dhe interesave të saj legjitime nga ana tjetër./Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat