E drejta për të votuar në zgjedhje garantohet me Kushtetutë në shtetet demokratike

Analiza

E drejta për të votuar në zgjedhje garantohet me Kushtetutë në shtetet demokratike

Nga: Burim Breznica Më: 13 janar 2021 Në ora: 09:12
Burim Breznica

Të gjithë e dijnë ose do të duhej ta dinin kontributin dhe rolin historik të diasporës në etapa të ndryshme në ndihmën që ka dhënë për Kosovën. Psh. përkrahja në vitet 1990-ta organizimit institucional paralel (si në diplomaci, arsim, ekonomi, shëndetësi, etj.) dhe rezistencës paqësore të Kosovës të udhëhequr nga ish Presidenti Dr. Rugova, pastaj duke përkrahur, duke marrë pjesë dhe duke financuar rezistencën dhe luftën e bërë nga UÇK kundër pushtuesve serbë. Kjo mbështetje e fuqishme e diasporës për Kosovën ka vazhduar pas çlirimit të vendit më 1999 në të gjitha fushat dhe vazhdon edhe sot. Kjo përkrahje me siguri do të vazhdoj edhe në të ardhmen dhe duhet vlerësuar.

Diaspora tashmë ka shumë intelektualë që japin kontribut të madh në zhvillimin e Kosovës, qoftë ata që janë kthyer në Kosovë, ata që angazhohen në projekte arsimore e zhvillimore për Kosovën nga vende të BE-së dhe të tjerë që ndihmojnë nga vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Kontribut tjetër i madh i diasporës për Kosovën është ai financiar. Sipas shtypit Kosovar (Bota Sot më 1 dhjetor 2020), nga janari deri në tetor remitancat/dërgesat nga diaspora në Kosovë ishin rreth 800 milionë euro apo 90 milionë euro më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Dhe këtu duhet pasur parasysh se aty janë llogaritur mjetet e dërguara dhe të regjistruara dhe jo të gjitha paratë që janë shpenzuar ose iu jane dhuruar familjeve të tyre në Kosovë. Apo ndihma tjera humanitare në para apo psh. ndërtime shkollash etj. Mjafton të përmendet shembulli i reprezentacionit të Kosovës në futboll, ku shumica e futbollistëve janë shkolluar dhe trajnuar në shkolla evropiane dhe sot kontribuojnë për Kosovën apo këngëtare si Dua Lipa, Rita Ora etj. Këto gjëra dhe shumë të tjera do të duhej ti dinin disa pushtetarë, disa përfaqësues të partive politike dhe KQZ-ja. Por sidomos ”disa analistë të pavarur” që iu servilosen disa liderëve autokratë dhe disa përfaqësuesve të pushtetit në Kosovë dhe harrojnë që duhet të jenë objektiv, të përkrahin të drejtën demokratike për të votuar dhe shtetin ligjor si dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen e Kosovës se sa për interesat e tyre personale apo grupore.

Vendimi i KQZ për verifikim të disaporës përmes telefonit është kontradiktor

Në këtë kontekst, vendimi i KQZ për verifikimin e diasporës (të gjithë atyre që regjistrohen per të votuar) përmes telefonit (do të duhej të kishte zgjidhje tjera) është kontradiktor dhe me sa duket nuk është i menduar mirë. Ja disa argumente konkrete:

Së pari, e drejta për të votuar garantohet me Kushtetutë në çdo vend demokratik në BE dhe në botë (këtu nuk duhet harruar fakti që shumë kosovarë janë vetëm shtetas të Kosovës e nuk kanë të drejtë të votojnë në shtete tjera, të tjerë kanë dyshtetësi etj.). Kjo vlen edhe për Republikën e Kosovës. Nëse dikush po e zëmë nuk përgjigjet në telefon, nëse ai person/e hiqet nga listat dhe nuk lejohet të votoj do të ishte shkelje e të drejtave të tij/saj që i garantohen me Kushtetutë të Republikës së Kosovës.

Së dyti, verifikimi përmes telefonit është i vështirë dhe problematik. Do të thirren njerëzit njeherë në telefon, dy herë apo tri herë? Po nëse dikush është mjek/e apo infermierë/e dhe punojnë në repartin intensiv me pacientët me Covid dhe nuk mund të përgjigjen? Të tjerë mund të jenë në takime të rëndësishme dhe nuk e njohin numrin e telefonit që thërret e nuk përgjigjen, të tjerë mund të jenë pilotë ose makinistë trenash ose punojnë në ndërrime. Të drejtat e atyre njerëzve në atë rast do të shkeleshin. Në Suedi psh. institucionet të thërrasin deri tri herë në telefon (brenda vendit) nëse psh. nuk përgjigjesh herën e parë. Të lënë mesazh dhe të thonë nesër në ketë kohë do të të thërrasim ose edhe pasnesër. Kjo është tipike për institucionet shëndetësore por edhe të tjera. Në raste të tjera dërgojnë letra ose edhe e-maila.

Së treti, thirrjet përmes telefonatave kanë edhe kosto buxhetore dhe kohore. Psh. nëse duhet thirrur të supozojmë që do të regjistrohen rreth 200.000 votues (ose më shumë) nga diaspora. Për sa kohë do të thirren ata, si do të evidentohen ata? Kush do të kujdeset që thirrjet me të vërtetë do të ndodhin? Mund të ketë dhe gjëra tjera logjistike si psh. probleme me lidhje telefonike etj.

Në shtetet e BE-se, SHBA etj. mund të votohet në ambasada ose nëse qytetarët janë në një qytet tjetër dhe larg ambasadës/konsullatës, edhe përmes postës. Ambasadat e shumë vendeve ofrojnë këto shërbime bazike për shtetasit e tyre (shtetasit suedezë mund të votojnë në zgjedhjet suedeze psh. në ambasadën suedeze në Prishtinë/dhe në vende tjera duke legjitimuar veten gjatë procesit). Shumica e diasporës së Kosovës (ndoshta rreth 80% apo edhe më shumë) është e përqëndruar në Gjermani, në Zvicër, në Suedi, në Angli dhe në Belgjikë. Kosova ka ambasada dhe konsullata në këto shtete. Dihet që në këto zgjedhje, diaspora nuk mund të votoj në ambasada por KQZ, institucionet tjera dhe MPJD në Kosovë duhet të mendojnë më shumë në të ardhmen për të zgjedhur këto vështirësi që ekzistojnë qe sa kohë.

Institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë ketu edhe KQZ-në duhet të mendojnë si të ju thjeshtësojnë procedurat diasporës psh. për të marrë pjesë në zgjedhje (shumica absolute e tyre nuk janë të varur nga pushtetet në Kosovë dhe kjo duhet parë si përparësi e madhe e jo si mangësi, shumë të tjerë janë shkolluar e zhvilluar në vende demokratike dhe mendojnë për interesa të Kosovës e jo për ato klanore-partiake si mendojnë disa në Kosovë etj.) , pastaj për të investuar në Kosovë dhe për të mbajtur lidhjet me fëmijët e tyre me Kosovën psh. duke hapur dhe përkrahur shkollat shqipe në diasporë etj. sepse dihet çfarë ofrojnë vendet e BE dhe çka mund të ofroj Kosova në aspektin e shkollimit, ekonomisë, të drejtave demokratike dhe mundësive të shumta. Diaspora është pjesë e pandashme e Kosovës dhe si e tillë duhet të trajtohet dhe vlerësohet.

Autori ka specializuar në Administratë Publike në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat