Pas pandemisë, BE duhet të provojë rëndësinë e saj

Analiza

Pas pandemisë, BE duhet të provojë rëndësinë e saj

Nga: Susi Dennison Më: 14 qershor 2021 Në ora: 22:19
Susi Dennison

Teksa po afrohet sezoni i pushimeve verore, dhe me certifikatat dixhitale të vaksinimit ndaj Covid-19 që hyjnë në përdorim nga data 1 korrik, Bashkimi Evropian është në një garë me kohën. Udhëheqësit evropianë duhet të inkurajojnë mjaftueshëm qytetarët e tyre që të regjistrohen për të marrë vaksinat që janë në dispozicion, për t’u siguruar që rinisja e udhëtimeve nëpër vendet e BE-së nuk do të sjellë një rritje të re të rasteve me koronavirusin e ri.

Gjatë vitit të kaluar, opsioni më i lehtë për ta mbajtur nën kontroll virusin ka qenë kufizimi i udhëtimit nëpër Evropë. Por kjo nuk është më e vlefshme, pasi publiku është gjithnjë e mëi lodhur dhe i zemëruar nga kjo gjendje. Një sondazh i ri i porositur nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në muajt prill dhe maj tregon se shumica e evropianëve ose nuk kanë besim tek BE-ja ose që besimi i tyre ka rënë gjatë pandemisë.

Në Gjermani panorama është e zymtë:Atje ka një rritje me 10 për qind, më e larta mes të gjitha vendeve të anketuara, të pikëpamjes së integrimi në BE ka shkuar shumë larg. Sondazhe të tjera, përfshirë Eurobarometrin e Parlamentit Evropian të kryer në pranverën e këtij viti, tregojnë se humbja e besimit tek institucionet e BE-së, është kryesisht pasojë e keq-menaxhimit të programit të vaksinimit.

Shpërhapja e madhe e vaksinave në BE-së filloi seriozisht në gjysmën e dytë të muajit prill, kur ajo ishte tashmë në zhvillim e sipër në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Siç e pranoi edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen:“Ne ishim shumë vonë në autorizimin e tyre, dhe më tepër optimistë sesa duhej kur ishte fjala për prodhimin, dhe ndoshta ishim shumë të sigurt se ato që porositëm do të na dorëzoheshin në kohë”.

Për këtë arsye tani udhëheqësit e BE-së janë nën presion për të dëshmuar para votuesve vlerën e unionit. Ndonëse të dhënat sugjerojnë se është tepër vonë që udhëheqësit e BE-së të tregojnë kompetencë në përballimin pandemisë, ata mund dhe duhet të tregojnë udhëheqje në procesin e rimëkëmbjes nga pandemia.

Kur të anketuarit u pyetën në sondazhin e ECFR, se cili ishte dështimi më i madh i mundshëm qeveritar gjatë vitet e ardhshme, përgjigjja më e zakonshme si në nivelin kombëtar ashtu edhe atë të BE-së, ishte pamundësia për të parandaluar një recesion të madh ekonomik dhe rritjen e papunësisë.

Rindërtimi i kushteve që do t’i lejojnë qytetarët të jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë normalisht brenda Evropës, është një mënyrë që institucionet e BE-së dhe vendet anëtare mund të ringjallin projektin evropian, duke iu dhënë mundësi qytetarëve që të përfitojnë sërish nga një prej parimeve themeltare të projektit:lirinë e lëvizjes për të lehtësuar shoqërizimin, lidhjet kulturore dhe ekonomike.

Një mënyrë tjetër për të ringjallur projektin, është ndërtimi i rolit global të BE-së. Kur të anketuarit u pyetën me çfarë vizioni të BE-së identifikoheshin më shumë, më shumë se 50 për qind e tyre zgjodhën një BE që ka një rol të fortë global:ose si një fanar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut, ose si një prej fuqive të mëdha të botës, që është e aftë të mbrojë veten nga kërcënimet e jashtme.

Thirrjet instiktive për Perëndimin e epokës së Luftës së Ftohtë, janë zhdukur nga mendjet evropiane. Edhe pse ka pasur disa përmirësime në perceptimet ndaj Shteteve të Bashkuara, qëkur president është Joe Biden, pikëpamja mbizotëruese në mbarë Evropën është se sistemi politik amerikan është ende i kalbur për shkak të presidencës së trazuar të Donald Trump.

Dhe vetëm 1 në 5 njerëz i shohin SHBA-të si një “aleat” që ndan “vlerat dhe interesat” e Evropës. Pikëpamja mbi të cilën u përgjigjën me pro shumica e të anketuarve (44 për qind), është se Shtetet e Bashkuara janë një “partner i domosdoshëm”, me të cilin ata “duhet të bashkëpunojnë strategjikisht” në arenën ndërkombëtare.

Kjo gjë i ndërlikon punët kur bëhet fjalë për ndërtimin e rolit global të BE-së, dhe nënkupton se do të duhet të vendoset një ekuilibër delikat midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Për shembull, mbi mënyrën se si ato do e formojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla pas pandemisë së Covid-19.

Por tani evropianët shohin një botë të partnerëve strategjikë, dhe jo një botë të aleancave automatike. Kjo ishte përgjigjja që mori më shumë pohime kur sondazhi pyeti qytetarët se si ata i etiketojnë aktorët e tjerë globalë, duke përfshirë Britaninë, Rusinë dhe Kinën, si partnerë strategjikë.

Turqia bënte një përjashtim, pasi pikëpamja më e zakonshme e të anketuarve ishte se vendi është tashmë një kundërshtar i Evropës. Këto të dhëna ofrojnë një panoramë se përse evropianët i kushtojnë shumë rëndësi ndërtimit të fuqisë së BE-së; dhe se kjo gjë është një domosdoshmëri në një botë konkurruese, të drejtuar nga interesat.

Megjithatë, qytetarët duan që Bashkimit Evropian të ekzistojë për diçka më shumë sesa thjesht interesat evropiane. Shumica e të anketuarve folën për një vizion të BE-së si një fanar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut.

Kjo gjë duhet t’i inkurajojë akoma më shumë udhëheqësit e BE-së që të ndërmarrin masa për shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, si rrëmbimi i avionit në Bjellorusi apo konflikti izraelito-palestinez. Po ashtu një shumicë evropianësh bien dakord se Brukseli duhet të shtojë angazhimet e tij në shpërndarjen e vaksinave nëpër botë, sapo të jetë imunizuar popullsia e saj më e rrezikuar.

Fuqia e butë kuptohet si pjesë thelbësore e fuqisë evropiane. Por koha për të folur mbi natyrën dhe domosdoshmërinë e sovranitetit të Evropës ka mbaruar: Ekzistenca e BE-së është një fakt, dhe unioni duhet të hidhet në veprim si lojtar global, përpara se qytetarët ta humbin besimin.

Tani, ndërsa pjesë të botës po fillojnë që të shohin mundësinë e jetës përtej pandemisë, BE gjendet vërtet në një pikë kthese. Megjithëse aftësia e saj për të vepruar ndaj kërcënimeve që prekin jetën e përditshme të qytetarëve të saj është vënë në pikëpyetje, për shkak të fillimit të ngadaltë dhe kaotik të fushatës së vaksinimit ka një rrugëdalje nga kriza, gjithmonë nëse udhëheqësit janë të gatshëm që ta marrin atë.

Pavarësisht nga zhgënjimet e votuesve me BE-në, 59 për qind e të anketuarve besojnë se kriza e Covid-19 ka treguar nevojën për një bashkëpunim më të madh në nivelin evropian, dhe shumica e të anketuarve në 12 vendet e anketuara,e shohin anëtarësimin e vendit të tyre në BE si një gjë “të mirë” ose “shumë të mirë”.

Por ndjenja e cënueshmërisë së përbashkët pas Covid-19, nuk do të jetë e mjaftueshme për të çuar përpara projektin evropian. Tani BE-ja duhet të tregojë aftësinë e saj për të vepruar në skenën globale. Samiti i BE-së këtë muaj është një mundësi ku udhëheqësit e BE-së të sinjalizojnë synimin për të punuar së bashku për këtë dhe çështje të tjera në partneritet me Shtetet e Bashkuara, dhe që BE të marrë pjesën e saj të barrës, duke u fokusuar mbi fushat ku mund të ketë ndikimin më të madh. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat