A e shkaktoi helmimi nga plumbi, rënien e Perandorisë Romake?

Analiza

A e shkaktoi helmimi nga plumbi, rënien e Perandorisë Romake?

Nga: Jennifer Ouellette Më: 9 korrik 2021 Në ora: 16:28
Perandoria Romake

Perandorët e Romës së Lashtë shfaqnin disa sjellje mjaft të çuditshme, qeshnin kot vend e pa vend, emëronin një kalë në postin e një konsulli, visheshin me lëkurë kafshësh dhe sulmonin njerëzit në rrugë… lista vazhdon. Po pse vepronin kështu? Ndoshta… për shkak të helmimit nga plumbi.

Në shkatërrimin e një civilizimi të tërë, siç ishte edhe shembja e Perandorisë Romake rreth vitit 476 Pas Krishtit, zakonisht ndikojnë një numër faktorësh. Rënia e ngadaltë e perandorisë, i atribuohet zakonisht pushtimeve barbare, fushatave të dështuara ushtarake, krizave ekonomike, korrupsionit qeveritar, dhe një mbështetjeje të tepërt tek puna e skllevërve, midis shumë faktorëve të tjerë.

Por është sugjeruar se edhe efektet toksike të helmimit nga plumbi të sundimtarëve me probleme gjithnjë e më të mëdha të shëndetit mendor, mund të kenë kontribuar gjithashtu në shkatërrimin e perandorisë. Kjo tezë mbështetet edhe nga Shoqata e Kimistëve Amerikanë.

Plumbi zotëron një numër vetish, që e bëjnë atë tërheqës për përdorim praktik. Ai është jo i kushtueshëm, gjerësisht i disponueshëm, shumë rezistent ndaj korrozionit kur ekspozohet ndaj ajrit dhe ujit, ka një temperaturë shkrirjeje të ulët, dhe është shumë i lakueshëm, gjë që do të thotë se është e lehtë të modifikohet tek një gamë e gjerë produktesh.

Por ndërkohë plumbi është shumë toksik nëse depërton në trupin e njeriut, dhe kjo është arsyeja pse e përdorim atë shumë më pak sot krahasuar me 100 vjet më parë. Simptomat e zakonshme të helmimit nga plumbi përfshijnë aneminë, çrregullimet nervore, humbjen e kujtesës, pamundësinë për t’u përqendruar dhe madje edhe infertilitetin.

Po ashtu ekspozimi ndaj plumbit mund të jetë gjithashtu një faktor në prekjen nga malaria, rakitizmi, Sëmundja e Tokës dhe sëmundja periodontale. Që nga viti 1943, shkencëtarët e  dinë se plumbi mund të ketë efekte të dëmshme në zhvillimin neurologjik tek fëmijët, duke çuar në probleme të sjelljes dhe në rënie të ndjeshme të inteligjencës.

Kjo pasi ai mund të zëvendësojë lehtësisht kalciumin, që nga ana e tij garanton mënyrën e komunikimit të neuroneve në tru. Nëse zëvendësohet nga plumbi, do të ketë pak komunikim midis neuroneve. Kjo mund të shkaktojë ndryshime të çrregullta të humorit, ose vështirësi në përpunimin e informacionit.

Siç e tregon studimi në fjalë, romakët e pëlqenin shumë plumbin si metal. Ata e përdornin për prodhimin e tubave, arkivoleve, për tenxheret dhe enët e kuzhinës. Gjithashtu, ata e përdornin si ëmbëltues acetatin e plumbit, në një epokë ku sheqeri i kallamit dhe mjalti ishin në sasi shumë të pakta.

Romakët kishin një sa si të madhe rrushi, lëngun e të cilit e zienin në enët e tyre prej plumbi. Jonet e plumbit derdheshin në lëng dhe kombinoheshin me acetatin e rrushit. Shurupi që prodhohej ishte shumë i ëmbël dhe përdorej në verërat dhe tek një larmi e madhe ushqimesh.

Në fakt, nga 450 recetat në një libër gatimi të asaj epoke (libri i gatimit Apicius), 100 kishin të bënin me këtë lloj shurupi. Po ashtu romakët e konsumonin shumë verën e tyre. Aristokratët konsumonin nga 1 deri në 5 litra verë çdo ditë.

Studiuesit që rikrijuan disa nga shurupet, gjetën përqendrime plumbi deri në60 herë më të larta sesa e lejojnë sot autoritetet në ujin e pijshëm. Debati aktual në lidhje me rolin e mundshëm të helmimit nga plumbi në rënien e Perandorisë Romake, daton që në një studim të vitit 1983 të botuar në “New England Journal of Medicine” nga Xherom Nriagu, i cili po studionte dietat e perandorëve romakë midis viteve 30 Para Erës Sonë dhe vitit 220 Pas Krishtit. Nriagu vuri në dukje se 19 nga 30 perandorët, kishin një preferencë për ushqimin dhe verën “e ndotur me plumb”, duke arritur në përfundimin se shumë prej tyre mund të vuanin nga pasojat negative të plumbit.

Perandori Klaud, përshkruhet se kishte një të folur problematike, gjymtyrë të dobëta, një ecje duke çaluar, të qeshura të tepruara dhe të papërshtatshme dhe përgjumje të shpeshta.

Legjenda thotë se Kaligula dëshironte të emëronte si konsull kalin e tij, Incitatus.

Edhe pse historianët përgjithësisht besojnë se ky ishte një thashethem i motivuar politikisht, apo se ajo ishte një shaka e perandorit. Po ashtu thuhej se Neroni i gjymtonte njerëzit në arenë teksa ishte i veshur me lëkurë kafshësh.

Por, a ishte vërtet helmimi nga plumbi shkaku i të gjitha atyre simptomave, rrjedhimisht edhe i shembjes së mundshme të perandorisë? Hipoteza e Nriagu mbështet nga gjeokimistja Kler Paterson, studimi i së cilës i bindi qeveritë të ndalonin praninë e plumbin në benzinë ​​në vitin 1975.

Në dekadat që pasuan,ka pasur shumë studime shkencore që kanë analizuar aspekte të ndryshme të helmimit nga plumbi. Për shembull, në vitin 2014 studiuesit francezë studiuan se si tubat prej plumbi të përdorura në ujësjellësit e Romës, mund të kishin ndotur ujin e konsumuar nga romakët e lashtë.

Ata matën përqendrimet e izotopeve të plumbit në sedimentet nga lumi Tiber dhe Porti Trajanic, dhe i krahasuan ato nivele me sasinë e izotopeve të plumbit që gjenden në tubat e ujësjellësve të dikurshëm. Por teksa u zbulua se uji në ato tuba mund të kishte deri në 100 herë plumb më shumë sesa uji i burimit, ekipi arriti në përfundimin se këto për qëndrime nuk kishin të ngjarë të kishin shkaktuar probleme shëndetësore.

Autorët shtuan se, sipas mendimit të tyre, teoria e Nriagu se helmimi nga plumbi çoi në rënien e Perandorisë Romake, nuk qëndron. Sigurisht, mund të ketë faktorë të tjerë, po aq të mundshëm për legjendat që shkaktojnë sjelljen e çuditshme dhe sëmundjet e sundimtarëve antikë romakë, siç janë dëmtimet traumatike të trurit, goditjet në tru ose tumoret. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat