Kthimi i Kainit

Analiza

Kthimi i Kainit

Nga: Jorie Horsthuis Më: 16 korrik 2021 Në ora: 16:50
Vojisllav Sheshel

Në tavolinën e një restoranti në Beograd ulet një burrë i veshur me një këmishë me kuadrate të vogla kuqeblu. Mjekrra e thinjur është e qethur me mjaft kujdes dhe në gjoks i varen syze leximi të varura pas një rripi. Jashtë bie shi. Koha e keqe i kujton burrit vendin në të cilin ka kaluar 10 vjet të jetës së tij. Edhe atje binte shi gjithmonë, por kjo gjë nuk e bezdiste edhe aq shumë: qiellin e hirtë e Hollandës mund ta shikonte vetëm nga dritarja. Më pas, më 2015, kthimi në kryeqytetin serb. Disa lagje nuk i njihte më. Gjatë mungesës së tij qenë ngritur pallate dhe qendra tregëtare. Publiciteti gëlonte nëpër ekranë të mëdhenj, ngjyrat e ndezura thuajse i vrisnin sytë. Të gjithë mbanin nëpër duar smartfonë, kurse ai ishte ende i mësuar me Nokian e tij të vjetër. Kishte fantazuar shumë lidhur me atë sesi do të ishte kur të kthehej në vendin që më parë kishte qenë atdheu i tij përpara se shpërthente lufta dhe gjithçka të shkonte për dreq. Ëndërronte të shtrihej në dyshemenë e apartamentit të tij, i lumtur që ndodhej sërish në shtëpi. Ëndërronte të jepte mësim në universitet: në fund të fundit, kishte një doktoraturë në Sociologji dhe, me përvojën e tij, do të ishte shumë i dobishëm për studentët e tij. Vinko Pandureviç është 61 vjeç dhe ka kaluar 10 vjet në burgun e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Scheveningen të Hollandës. Më 2001 u akuzua për genocidin e Srebrenicës, ku në 1995 ushtria dhe milicitë e serbo – boshnjakëve vranë më shumë se 8000 myslimanë boshnjakë. Me cilësinë e komandantit, ka qenë vartës direkt i gjeneralit Ratko Mladiç, kreut ushtarak të serbo – boshnjakëve.

“Isha në makinë kur dëgjova në radio se isha akuzuar”, tregon Pandureviç. “Nuk po arrija t’u besoja veshëve”. Menjëherë e kuptoi se procesi do të ishte shumë i gjatë: genocidi është krimi më i rëndë që mund të kryhet. Vendosi të fshihej. Kishte dy djem 3 vjeçarë, binjakë. “Nuk mund t’i braktisja”. Qëndroi në kërkim për më shumë se 3 vjet, derikur u dorëzua më 2005. “Kishte një shumë për kokën time, nuk isha më i sigurtë në asnjë vend. Ime shoqe dhe fëmijët e mi ndiqeshin. Sikur të shkoja t’i takoja, do t’i vija në rrezik. Pastaj, isha i vetmuar, nuk po duroja dot më”. Ditën e parë në burgun e Scheveningen, në pajdos, ju afrua i çorientuar një grupi të vogël burrash. Duke i shikuar më mirë, njohu midis tyre ish presidentin serb Sllobodan Millosheviç, e pyeti menjëherë se çfarë kishte ndodhur në Srebrenicë. “Zoti president, nuk e di as unë”, ju përgjigj Pandureviç, të cilit Millosheviçi ja preu shkurt: “Jeni të gjithë gënjeshtarë!”. “Jugosllavia e vogël”: kështu quhej burgu i Scheveningen. Në ato hapësira, njerëz që gjatë luftës kishin luftuar njëri kundër tjetrit shkonin për mrekulli dakord. Gatuanin me radhë, luanin futboll dhe sikonin televizor në sallën e përbashkët. Pandureviçi frekuentonte një kurs joge me dy kroatë, dallimet kombëtare nuk vlenin më. “Ishte paksa si dikur në ushtrinë jugosllave”, buzëqesh komandanti. “Mungonte vetëm një portret i Titos në mur”. Por më pas shton se nuk ishte gjithçka idiliake në burg. Atmosfera e çtensionuar, tregon ai, i detyrohej rrethanave: ish armiqtë ndodheshin në të njëjtën varkë dhe kërkonin ta jetonin sa më mirë situatën. Veç kësaj, drejtori ishte i huaj. Sikur të kishte qenë Ballkanit, gjithçka do të ishte ndryshe.

Të lirë

Në vitin 2015 Pandureviç u dënua për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit. Në rastin e tij, akuza për genocid nuk u demonstrua. Dënimi: 13 vjet burg. Prej frustrimit të familjarëve të viktimave të Srebrenicës, disa muaj më vonë qe sërish i lirë. Kishte vuajtur 2/3 e dënimit dhe, për pasojë, plotësonte kushtet për lirimin e parakohshëm. Në burg ishte sjellë mirë dhe kryetari i gjykatës mendonte se do të mund të rehabilitohej. Ai i Pandureviçit nuk është rast i izoluar. Nga 90 serbët, kroatët dhe boshnjakët e dënuar në Gjykatën e Hagës, pjesa më e madhe është liruar. Për saktësi, 59 persona. Kush besonte se në gjendje të lirë këta persona do të kërkonin të qëndronin në hije gabohej. Shumë prej tyre, në aeroportet e Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjë – Hercegovinës ju është rezervuar një mikpritje prej herojsh: njerët të eksituar, muzikë. Disa të dënuar puthnin tokën sapo zbrisnin nga avioni, midis fjalimesh zyrtare të përfaqësuesve të qeverisë: më së fundi, burrat tanë sërish në shtëpi pas padrejtësisë së madhe të pësuar në Hagë. Ndonjërit i është ofruar post publik, të tjerëve ju është vënë në dispozicion një apartament me shpenzimet e shtetit.

“Kthimi im në shtëpi ka qenë një festë e madhe”, tregon Veselin Shljivançanin, 67 vjeçar, ish oficer i ushtrisë jugosllave, që ashtu si Pandureviçi ka qenë për vite me radhë në kërkim përpara se të kapej nga autoritetet serbe më 2003. Kur vendosi që të arratisej mbante veshur një brez eksploziv: do ta aktivizonte në rast se kapej, shkruan gazetari britanik Julian Borger në librin e tij The Butcher’s Trail lidhur me gjuetinë e kriminelëve të luftës në Ballkan. Shljivançanini u arrestua ditën e lindjes. Kishte shkuar të takonte vajzën. Qe një gabim trashanik. Ndërsa forcat speciale kërkonin të shembnin një mur të apartamentit të tij sepse nuk po arrinin të futeshin nga dera e blinduar, vajza e bindi të dorëzohej. U dërgua në Hagë me pantallonë të shkurtëra dhe pandofla. Shljivançanini ka qenë një prej kriminelëve të parë të luftës të dënuar që u kthyen në Beograd saktësisht 10 vite më parë. Më 2010 ishte dënuar me 10 vite burg për krime lufte të kryera në Kroaci, por duke parë se në atë kohë kishte vuajtur tashmë 2/3 e dënimit, pak kohë më pas ka mundur të kthehej në atdhe. “Familjarë, miq… Të gjithë më prisnin në shtëpi, gati gati nuk arrija të futesha brenda”, rrëfen duke qeshur në zyrën e ish avokatit të tij. “Kemi pirë deri në 2 të natës. Televizioni kombëtar donte të më intervistonte dhe jam ftuar edhe nga ministri”.

Sjellje e mirë

ICTY celebrities. Kështu Barbora Hola dhe Joris van Wijk e Vrije Universiteit të Amsterdamit, studiues të rehabilitimit të kriminelëve të luftës, i quajnë të dënuarit e ish Jugosllavisë: të famshëm në vendet e tyre vetëm pse janë sshfaqur përpara Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë në Hagë, që në anglisht njihet me akronimin ICTY. “E drejta penale ndërkombëtare nuk ka treguar kurrë interes për fazat e mëtejshme të dënimit”, thekson Van Wijk. “Proceset kanë kushtuar miliona euro, por gjithçka ka mbaruar me dënimet. Për periudhën më pas nuk është marrë askush”. “Në burg nuk dinë sesi të sillen me këta njerëz”, vazhdon Hola. “Nga njëra anë janë “armiqtë e njerëzimit” që kanë në ndërgjegjen e tyre krime të tmerrshme, unikë në llojin e tyre. Nga ana tjetër janë për më tepër zotërinj shumë të edukuar që sillen në mënyrë shembullore, edhe falë të kaluarës ushtarake të tyre. E respektojnë hierarkinë e burgut, mbajnë të pastër qelinë dhe respektojnë rregullat”. Sjellja e mirë është një prej kritereve më të rëndësishëm për lirimin e parakohshëm, lexohet qartë në vendimet e ICTY. “Për ekstremistët islamikë ka programe çradikalizimi; kush dënohet për dhunë seksuale mund të mbështetetm mbi grupe dëgjimi”, rrëfen Van Wijk. “Kurse kriminelët e luftës lihen në vetëvete. Tani që janë sërish të lirë, shumë i mohojnë mizoritë e kryera dhe vazhdojnë të përhapin idetë e tyre. Është një fenomen shqetësues, sidomos po të mendohet se ICTY është krijuar jo vetëm për të bërë drejtësi, por edhe për të lehtësuar pajtimin midis popujve”.

Nuk pendohem

Në janarin e 2019 Carmel Agius, Presidenti i ri i Mekanizmit Residual të Tribunalëve Penalë Ndërkombëtarë, i krijuar pas mbylljes së ICTY, e ka ndryshuar rrënjësisht politikën e lirimeve të parakohshme: për të siguruar lirinë tashmë është thelbësore që  i dënuari duhet të demonstrojë vrasje ndërgjegjeje për krimet e tyre. Papritmas, thuajse më askush nuk kishte më kërkesa për lirim të parakohshëm. Sot pjesa më e madhe e kërkesave të tilla refuzohet. “Ndryshimi i kursit ka ardhur shumë vonë dhe është jokorrekte”, komenton Hola. “Nuk mund të ndryshohen rregullat në rrugë e sipër. Veç kësaj, është vështirë të presësh që të dënuarit të shfaqen të penduar kur në burg askush nuk është marrë ndonjëherë me këtë aspekt”. Përkundrazi, kriminelët e luftës e kanë përdorur kohën e kaluar në Scheveningen për të pastruar imazhin dhe mprehin armët e tyre ideologjike. Kuptohet mirë nga sasia e librave që kanë shkruar gjatë kohës së burgut. Në burgun hollandez kanë parë dritën e botimit të paktën 119 libra: poezi, romane, analizi ushtarake, kujtime. “Pjesa më e madhe e shkrimeve kanë të bëjnë me luftën dhe “proceset e padrejta” të Hagës”, shpjegon Vladimir Petrović, një historian që i ka studiuar këto dokumenta. Boshnjakë, kroatë, serbë: të gjithë kanë shkruar diçka. Petroviçi ka mbetur i befasuar nga një pjellori e tillë dhe është bërë kureshtar nga përmbajtja e këtyre librave. Nëpërmjet leximit shpresonte të penetronte në shpirtin e kujt i kishte shkruar, siç i kishte ndodhur kur kishte studiuar letërsinë e burgut e personazheve historike të tillë si Miguel de Cervantes, Hugo Grotius, Lenin dhe Hitler. Por ka mbetur i zhgënjer. “Janë pisllëqe të vërteta”, thotë ai. “Me ndonjë përjashtim të rrallë, këta njerëz nuk dinë të shkruajnë, por gjëja që më ka goditur më shumë dhe se nuk kanë asnjë lloj reflektimi për veprimet e tyre. Janë të bindur që nuk kanë bërë asgjë të keqe”. Për Petroviçin këta libra janë demonstrimi i dështimit të drejtësisë penale ndërkombëtare: “Sapo kanë rënë në burg, komuniteti ndërkombëtar është çinteresuar për ta. Por çfarë kuptimi ka një dënim në rast se i dënuar nuk stimulohet që të reflektojë lidhur me përgjegjësitë e e veta?”.

Pasojat e këtij çinteresimi janë shumë të rënda. Faktikisht, me librat kriminelët e luftës arrijnë të ushtrojnë një influencë të madhe mbi shoqëritë e të cilave janë pjesë, sidomos tani që janë sërish të lirë dhe mund t’i përhapin idetë e tyre  nëpërmjet gazetave dhe televizioneve. Padyshim që autori më pjellor është 66 vjeçari Vojislav Sheshel, zëvendëskryeministër serb në kohën e luftës së Kosovës më 1999. Shesheli ka botuar më shumë se 60 libra, midis të cilëve një seri prej 12 vëllimesh (secili me të paktën 1000 faqe) me transkriptimin e akteve të procesit të tij në Hagë. Midis titujve spikasin Biri i kurvës hollandez Alphons Orie (kushtuar një gjykatësi të ICTY) dhe Një banane për Kofi Annanin (për ish Sekretarin e Përgjithshëm e Kombeve të Bashkuara). “E  kam rrafshuar tribunalin”, thotë Shesheli në selinë e Partisë Radikale Serbe, formacionit ultranacionalist të themeluar prej tij më 1991. “Thotë” është një eufemizëm: çdo herë që hap gojë, duket sikur sokëllin. Në tribunal gjykatësit duhej të ulnin volumin e kufjeve kur vinte radha e tij për të folur. Në ngarkim të tij ka ende një procedim në zhvillim për ofendim të trupit gjykues dhe pse botuar në një prej librave të tij emrat e 3 dëshmitarëve të mbrojtur, por Shesheli nuk ka ndërmend të kthehet në Hagë. Është i rrethuar gjithmonë nga mbështetës trupmëdhenj dhe kokërruar që e mbajnë në pëllëmbë të dorës. Metaforikisht, duke qenë se lideri i tyre peshon tashmë afër 200 kilogram. “Me librat e mi kam demonstruar se tribunali është i paligjshëm dhe antiserb”, vazhdon triumfues nga prapa skrivanisë së tij prej mogani. Muret e zyrës janë të mbuluara me librari, të gjitha plot me vepra të tij. Vepra e fundit e Sheshelit është një seri me 3 pjesë mbi Srebrenicën, ku shpjegon se pse nuk kemi të bëjmë me geoncid. Në 2020 i ka shpërndarë 40000 kopje në Serbi. “Kanë vdekur maksimumi 1000 njerëz”, thotë ai. “Vetëm robër lufte”. Sipas tij, ngjarjet e Srebrenicës duhet të konsiderohen një operacion ushtarak legjitim dhe e gjen qesharake dënimin me burgim të përjetshëm të Mlladiçit. “Në atë kohe nuk ndodhej as në Bosnje”, thotë ai. Vojisllav Shesheli shfaqet shpesh në televizionet serbe dhe shumë i vlerësojnë ndërhyrjet e tij. I sulmon të tërë dhe nuk ka frikë nga asgjë. Si argëtues funksionon shumë mirë. Shpesh është aq i ekzaltuar sa që duket si komedian më shumë sesa politikan, por sipas shumë njerëzve pikërisht këtu lind rreziku i tij.

Një rezistencë e vogël

Edhe Veselin Shljivançanini është prani fikse në mjetet serbe të informimit, me 4 libra, prodhimtaria letrare e tij është shumë më e reduktuar se ajo e Sheshelit, por gjithësesi i mjafton që të ftohet në çdo cep të vendit. “Janë thënë shum të vërteta për mua sa që kam menduar se duhet të shkruaj një libër”, thotë ai për veprën e tij të parë, Kam mbrojtur të vërtetën: 2450 ditë në hagë. “Nuk është as narrativë dhe as fantazi: është thjesht kronikë e bazuar mbi fakte”. Parasëgjithash, Shljivançanini dëshiron t’u flasë të rinjve serbë. “Njerëzit që kanë luftuar për lirinë tonë nuk duhen harruar”, thotë ai. Thuajse çdo ditë dikush e njeh dhe e ndalon në rrugë, rrëfen ai me një krenari të spikatur. “Disa më pyesin a jam vërtet unë dhe të gjithë duan të bëjnë një fotografi me mua”. Në fytyrë i shfaqet një e qeshur. “Sidomos gratë e reja”. Historia e tij, shton, është shumë e qartë: “Jam burrë i ndershëm dhe i sinqertë. Sikur të kisha qenë oficer i keq, sot nuk do të isha kaq popullor”.

Por disa vite më parë, në prezantimin e një libri të tij është organizuar një protestë. Një incident i pavlerë, rrëfen Shljivançanini. “Qenë vetëm 3 apo 4 kroatë”, thotë ai. “Asgjë serioze. Me siguri i kishte dërguar ndokush”. Ivan Xhuriç, Marko Milosavljeviç dhe 7 arkitektë të këtoj akti demonstrativ kanë kujtim ndryshe për atë natë. Ndërkaqq qenë të gjithë serbë. Disa kanë mbetur lehtësisht të plagosur dhe protesta u ka kushtuar 50000 dinarë gjobë për kokë, rreth 420 euro. “Nuk mund ta shikonim Shljivançaninin tekssa i bënte publicitet hapur librit të tij pa bërë asgjë”, shpjegon Xhuriç, një serb 32 vjeçar, koordinator i Youth Initiative of Human Rights, një organizatë nga Beogradi aktive në ruajtjen e të drejtave të njeriut. “Një kriminel lufte i dënuar me gjykim të formës së prerë që minimizon publikisht krimet që ka kryer dhe mohon fakte të sqaruara është një gjë e rëndë. Ama që ta ftojnë të flasë si partia, ashtu edhe qeveria është akoma edhe më e rëndë”. Kur kanë parë njoftimin e prezantimit të librit në Beshka në veri të Serbisë kanë diskutuar me zjarr nëse duhej tëë shkonin apo jo. “Kisha frikë se do të ishte e kotë”, thotë Xhuriç. “Për më tepër, ishte ftohtë, të paktën 15 gradë nën zero. Rruga ishte e ngrirë, ishte edhe e rrezikshme”. “Ama duhej të shkonim”, shton 29 vjeçari Marko Milosavljeviç. “Si të rinj, duhej të rebeloheshim”. Disa vite më pparë djemtë serbë e kishin pritur si çlirim arrestimin dhe dorëzimin në Hagë të Mlladiçit, i fundit i atyre në kërkim.

“Tani më së fundi mund të  ecim përpar’, mendonim atëhere. ‘Fajtorët janë pas hekurave, mund ta lëmë pas krahëve këtë periudhë të historisë tonë’”. Por lehtësimi i tyre  nuk ka zgjatur shumë. Të shangur kan asistuar ndaj pamjeve të mikpritjes festive dhe zyrtare të rezervuar kriminelëve të parë të luftës që ktheheshin nga Hollanda. “Atë moment kemi kuptuar se kishin humbur”, thotë Xhuriç. “Kishim kërkuar gjithmonë të nënvizonim diferencëm midis individëve që  qenë njollosur me krime lufte dhe shoqërinë serbe në tërësinë e saj. Kurse mesazhi zyrtar i qeverisë në fakt ishte: jemi të gjithë serbë, jemi një trupp i vetëm dhe pjesa tjetër e botës është kundër nesh”. Si përfundim, 9 të rinjtë serbë janë nisur me dy makina në një rrugë që shoqëronte Danubin, drejt veriut. Të ngjeshur në sedilet e prapme, kanë hartuar një plan: “Kisha veshur një pallto të gjatë në mënyrë që të mund të fshihja një poster”, rrëfen 29 vjeçarja Sofija Todoroviç. “Sapo Shljivançanini do të ngjitej në skenë, do t’u frynim bilibilave dhe do të shpalosnim posterin”. Salla ishte e mbushur plot, kanë pritur me durim që krimineli i luftës të merrte fjalën. Kur u ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve, grupi ka nisur t’u fryjë bilbilave. Todoroviç nuk ka pasur shumë kohë për ta shpalosur posterin: janë nxjerrë menjëherë jashtë nga salla. Makinat e tyre kanë qenë dëmtuar dhe kanë arritur t’ia mbathin tamam në kohë. Todoroviç dhe Milosavljevië kanë qëndruar në spital deri në orët e para të mëngjesit prej plagëve në kokë, në duar dhe në këmbë. Nuk kishin mbrritur ende në shtëpi që nga tabloidet e aafërta me qeverinë dilnin artikujt e parë lidhur me gjestin e tyre. I quanin “fashistë” dhe “tradhëtarë të huaj”. “Më shumë se një vit më vonë, gjykata lokale i ka dënuar me gjobë”, rrëfen Todoroviç. “Donim të bënim rekurs, por na është mohuar”.

E kujt është e vërteta

Por 20 vjeçarëve nuk e mbyllin gojën lehtë. “Unë kam lindur më 1992 në Beograd, gjatë rrethimit të Sarajevës”, thotë Todoroviç, “por kam dëgjuar të flitet për të vetëm në moshën 19 vjeçare. Të duket e mundur? Nuk dija asgjë”. Autoritetet serbe, shton ajo, po e rishkruajnë sistematikisht historinë. “Në shkollë, në gazeta dhe nga televizionet kam mësuar vetëm që serbët qenë përzënë nga Kroacia, se Kosova i ishte vjedhur Serbisë dhe se serbët fajësoheshin për gjithçka, ndërkohë që viktimat serbe nuk i njihnin. Mendoja edhe se isha një studente e mirëinformuar”. Me OJF e saj, Todoroviç dhe të tjerë kërkojnë që t’u flasin të rinjve të të gjithë Ballkanit. “Vetëm duke njohur të vëërtetën mund të jetojmë në paqe”, thotë ajo.

“Në fillimet e viteve 2000 ishim optimistë, sidomos pasi përzumë Millosheviçin”, thotë sociologia 74 vjeçare Natasha Kandiç. “Shpresonim në një të ardhme pa urrejtje, por në Ballkan udhëheqësit politikë nuk e konsiderojnë njëri tjetrin fqinjë, por e konsiderojnë armiq”. Me OJF e saj, Humanitarian Law Center, Kandiç shpresonte të nxirrte në dritë të vërtetën lidhur me konfliktin dhe krijuar një hapësirë ku të diskutohej tema e përgjegjësisë kolektive. “30 vjet nga lufta mund të konkludojmë vetëm se e kemi humbur betejën për drejtësinë. Çdo vend avancon versionin e tij të historisë dhe faktet manipulohen në mënyrë të vazhdueshme”. Sipas Kandiç, gjëja më e keqe është se në Ballkan nuk ka dalë as edhe një politikan që të ketë ndërmend t’i ndryshojë seriozisht gjërat: jo në Serbi, jo në Kroaci, jo në Bosnje – Hercegvinë. “Intekeltualët që kishin ende energji pas rënies së Millosheviçit janë lodhur. Të lodhur nga nepotizmi, nga korrupsioni, nga sistemi mafioz. Pastaj, shumë prej tyre varen nga qeveria: rrezikojnë punën në universitet nëqoftëse rezultojnë shummë kritikë”. Për pak kohë Kandiç i mbështetur shpresat e saj tek Bashkimi Europian dhe tek presionet që mund të ushtroheshin mbi qeveritë e rajonit. “Por sot nuk mund të mbështetemi më tek Europa. Bashkimi Europian është thellësisht i përçarë dhe ka për çfarë mendojë përkundrejt pajtimit të Ballkanit”. E demoralizuar, Kandiç nënvizon se kriminelë lufte me një dënim mbi shpatulla ftohen nëpër talk show me cilësinë e ekspertëve, ndërssa njerëzve si ajo ju mbyllet goja. “E kuptoj se nuk mund të vazhdojmë t’i ndëshkojmë, e kanë vuajtur dënimin e tyre në burg, ama nuk duhet ta helmmojnë shoqërinë me gjuhën e tyre të urrejtjes dhe sigurisht jo të rinjtë tan, që e kanë të ardhmen përpara”.

Bardhë apo zi

Në restorantin e Beogradit, Vinko Pandureviç hedh sheqer në kafen e tij. Jeta e tij është shënuar, jo vetëm nga lufta, por edhe nga procesi që ka ardhur prapa. Ditë pas dite, për vite me radhë, janë paraqitur në sallë dëshmitarë që rrëfenin historitë e tyre. “Edhe pse nuk flisnin direkt me mua, ka qenë e vështirë të dëgjoje viktimat”, thotë ai. “Në çdo fjalë rijetoja luftën”. Për Pandureviçin nuk është e lehtë të rifillojë. Shpresa se mund të jap mësim në universitet është venitur dhe, në ndryshim nga shumë të dënuar të tjerë, nuk ka arritur të gjejë punë. Ndoshta pse roli i tij në Srebrenicë ka qenë më kompleks se ai i ushtarakëve të tjerë të rangut të lartë. Sipas tribunalit, Pandureviç nuk ka qenë vetëm bashkëpunëtor në vdekjen e mijëra myslimanëve boshnjakë, ka luajtur edhe një rol vendimtar në shpëtimin e mijëra të tjerëve, por në rrëfimin e luftës së viteve Nëntëdhjetë ka vetëm bardhë e zi. Ka shumë pak hapësirë për grinë. Kur Pandureviç është ftuar në një program televiziv, reagimet kanë qenë në pjesën më të madhe kritike, tregon ai. Si të dënuarit e tjerë, e mohon përfshirjen e tij në masakrën e Srebrenicës dhe e konteston numrin e të vdekurve të caktuar nga tribunali, por njëkohësisht mizorinë e atyre ngjarjeve. “Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, si serbë nuk mund të jemi krenarë”, thotë ai dhe citon filozofin gjerman Karl Jaspers, sipas të cilit ekzistojnë forma të ndryshme përgjegjësie. “Nga pikëpamja juridike nuk ndjehem përgjegjës, por nga ajo morale po: ndodhesha në atë territor dhe do të  duhej ta dija se çfarë po ndodhte”. Për shumë ka qenë një pozicion i vështirë për t’u pranuar. “Nacionalistët serbë mendojnë se nuk jam patriot i mirë, ndërsa aktivistët e majtë më konsiderojnë si mohues të genocidit dhe fashist. Në Serbi ka dy fraksione dhe asnjë prej të dyve nuk e di mirë çfarë të mendojë për mua. Le të themi se deklaratat nuk i pëlqejnë askujt”. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat