Europa ime: Viktor Orban e Benjamin Netanjahu - Vëllezër në ideal

Analiza

Europa ime: Viktor Orban e Benjamin Netanjahu - Vëllezër në ideal

Nga: Norbert Mappes-Niediek Më: 22 korrik 2018 Në ora: 09:59
Norbert Mappes-Niediek

Viktor Orban vizitoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, vizita në Izrael të tërheq vëmendjen: Dy jo liberalë i tregojnë botës, ne e ndjekim rrugën tonë. Një fenomen e një problem, mendon Norbert Mappes-Niediek.

Pikërisht Hungaria e pikërisht Izraeli: Kush mendonte se i njeh koordinatat e politikës botërore, mund të vetëm të hapë sytë në pritjen miqësore të kryetarit të qeverisë hungareze, Viktor Orban nga ana e homologut izraelit, Benjamin Netanjahu. Dhe vërtet këtë e bëjnë shumë izraelitë. Habiten. Nuk po e rehabiliton Orbani, regjimin prej vitesh antisemitist para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore? E nuk ishte ai që zhvilloi një fushatë zemërimi kundër miliarderit me origjinë hebreje George Soros duke përdorur çdo klishe antisemitiste? Çfarë kërkon një njeri i tillë në Izrael?

Por koordinatat e politikës botërore janë në ndërrim e sipër, dhe krahas prishjeve të aleancave po krijohen të reja. Më shumë se qëndrimin ndarës për historinë, kryeministrin hungarez dhe atë izraelit e bashkon sot opozita kundër asaj bote që u ngrit pas rënies së komunizmit dhe si e njohim ne sot. Një rend botëror, që bazohet në ide e vendime të përbashkëta i mbështetur nga organizata multilaterale. Por tani… mjaft më me konferenca dhe rezoluta, Ka ardhur koha e „deal"-ve mes burrave të shtetit.

Bota e burrave të fuqishëm

Burrat e fuqishëm karakterizohen nga ajo që nuk i lidhin idetë, dhe që nuk e çajnë kokën për të tretë. Në Izrael përçmimi ndaj rendit botëror multilateral ka një histori të gjatë. Dhe një thelb racional të fortë: Nëse ky shtet do t'u ishte nënshtruar vendimeve të Kombeve të Bashkuara, nuk do të ekzistonte sot. Në vend që të bënin lobing për vete në bashkësinë ndërkombëtare, gjenerata të tëra politikanësh izraelitë në rajon kanë pasur më shumë besim tek fuqia e tyre ushtarake dhe në botë janë lidhur me fuqinë më të madhe, SHBA. Përçmimi për rrugëzgjidhjet multilaterale, e bën sot këtë Izrael objekt admirimi të burrave të fortë. Ashtu si Netanjahu, edhe Trumpët, Putinët, Erdoganët dhe Kaczynskit e kësaj bote e shohin çdo vullnet ndërkombëtar si kufizim të lirisë së tyre të veprimit. Njëra palë nuk pranon kritikat për mënyrën e veprimit me lirinë e medias, drejtësinë apo pranimin e refugjatëve.

Të tjerët duan të jenë të lirë nga çdo detyrim tregtar ndërkombëtar, dhe t'i vënë vetë kushte vendit blerës apo as nuk duan t'i nënshtrohen asnjë të drejte të njeriut apo drejtësisë ndërkombëtare. Ata nuk duan t'i përmirësojnë organet problematike të bashkësisë ndërkombëtare, por t'i shpërbëjnë ato, ose t'u kthejnë kurrizin. Izraeli, mendojnë Brexit-erit e kësaj bote e ndjek këtë model: Vetëm është më mirë. Netanjahu dhe Orban po e bëjnë këtë.

Secili për vete

Në sytë e këtyre organizateve të uni-t, Bashkimi Europian është si lajmëtari i një bote që po fundoset. Logjika e BE bazohet në ujditë dhe kontrollimin  e asaj që është arritur nga institucione të rrepta. Nuk mjafton që unioni kërkon t'i zbatojë këto por vete, por madje edhe i eksporton: Kush kërkon të jetë anëtar i tij, ose të bashkëpunojë me te, duhet t'u përmbahet këtyre rregullave dhe t'u nënshtrohet këtyre vlerave.

Netanjahu e ka thënë hapur, se kjo nuk i pëlqen: BE është e vetmja organizatë ndërkombëtare, që ndihmën e saj ndaj Izraelit e lidh me kushte, ankohet ai. Nuk duhet t'u japësh mend vendeve të tjera, e mbështet Orban. Çdo komb është një organizëm në vetvete, ka interesat  veta, dhe bën mirë t'i mbrojë ato. Por për Izraelin kjo gjë mund të kthehet në kërcënim, nëse vende të tjera ndjekin shembullin e tij. E për iluzionin se kombet janë organizma natyralë, si familje të mëdha në Gjermani, por edhe Hungari e kudo në Europën Qendrore u përjashtuan vite me radhë pikërisht hebrenjtë, u përndoqën dhe në fund u vranë.

Diktati i shumicës

Formula e „fundamentit hebre-të krishterë" mbi të cilin pretendojnë se bazohen kombet europiane dhe Viktor Orban e përdor me dëshirë është hipokrite: Hungarizmi, për të cilin flet me dëshirë Viktor Orban, po ashtu si gjermanizmi janë konstituuar në dasi me elementin hebraik. Kur Orban flet së fundmi për trashëgiminë hebraike të Hungarisë, origjinën hebraike të këngëve popullore hungareze e madje edhe tingëllimin e himnit kombëtar sipas një jeremiade të testamentit të vjetër, nuk pohon multikulturalitetin me këtë. Ky është betim për një unitet të ri të gabuar. E kush bën pjesë aty, e përcakton „demokracia joliberale", shumica. Askush nuk ka të drejtë të pretendojë.

Sot ky përjashtim prek myslimanët. Askush nuk ka pse të habitet, nëse nesër do të jenë hebrenjtë sërish. Nga pak madje që tani. Në përbetimet e tij për „trashëgiminë hebraike", Orban nuk e përmend me asnjë fjalë Holokaustin. Diktatori Miklos Horthy është për të „një burrë shteti i jashtëzakonshëm": Pikërisht ai njeri, që në vitin 1920 futi në sistem një rregullore përjashtuese studimesh për hebrenjtë, më vonë sipas modelit gjerman nxorri ligje racore dhe në fund dërgoi qindra mijëra vetë në Aushvitc. Aty ku predikohet „ajo që është e popullit", bëhen shpejt viktima hebrenjtë. Në këtë kuptim koordinatat e politikës botërore kanë mbetur të pandryshuara.

Norbert Mappes-Niediek jeton në Grac, Austri dhe punon si korrespondent për disa gazeta gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat