Ekspertët e artit “ia gjejnë fillin” buzëqeshjes së Mona Lizës

Art

Ekspertët e artit “ia gjejnë fillin” buzëqeshjes së Mona Lizës

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 17:35
Mona Liza

Buzëqeshja e Mona Lizës, ndoshta më e analizuara dhe më e vëzhguara në histori, mund të jetë thjesht një “gënjeshtër”, thonë shkencëtarët.

Një ekip ndërkombëtar i studiuesve shqyrtoi simetrinë e buzëve të saj dhe muskujt e sipërm të fytyrës, për të arritur në përfundimin se gruaja në portretin e famshëm të Leonardo da Vinçit nuk ishte duke buzëqeshur realisht.

Njohësit e artit kanë qenë prej kohësh të hipnotizuar me identitetin e modelit në pikturë dhe emocionet që përcjell buzëqeshja e pakapshme e saj. Disa kanë sugjeruar se asimetria në buzëqeshjen e saj mund të jetë për shkak të dobësimit të fytyrës nga ndonjë problem shëndetësor, tip tik nervor. Por analiza e fundit shikon shprehjen asimetrike të modelit nga perspektiva e neuropsikologjisë.

“Sipas disa teorive të neuropsikologjisë emocionale, ne interpretuam buzëqeshjen asimetrike të Mona Lizës si një buzëqeshje jo të vërtetë, që gjithashtu mendohet se shfaqet kur personi shtiret apo gënjen”, shkruan ekipi në studimin e tyre, me titull “Zhvendosja e asimetrisë së buzëqeshjes së Mona Lizës”.

Hulumtuesit si Dr. Luca Marsili, neurolog nga Universiteti i Cincinnati College, Dr. Lucia Ricciardi i Universitetit të St. George në Londër; dhe Matteo Bologna i Universitetit Sapienza në Romë ,vunë në dukje se Mona Liza pasqyron magjinë e përhershme të atit, e megjithatë teknologjia gjithnjë e më shumë ka çuar në njohuri më të thella dhe të nuancuara në veprat e tilla klasike.

Buzëqeshja asimetrike, e njohur edhe si një buzëqeshja non-Duchenne (me gojë të mbyllur), pasqyron një emocion jo të vërtetë dhe mendohet të ndodh kur personi gënjen.

“Një mundësi tjetër intriguese,” thonë hulumtuesit, “është se Leonardo qysh atëherë e dinte kuptimin e vërtetë të buzëqeshjes asimetrike dhe ilustroi qëllimisht një buzëqeshje që shpreh një emocion “që nuk përjetohet”.

Nëse Da Vinçi në fakt e kuptonte atë që buzëqeshja asimetrike përcjell, autorët spekulojnë se buzëqeshja e Mona Lizës mund të fshehë mesazhe të fshehta të tipit “piktura ishte portret i një burri ose i një gruaje të vdekur”. Kjo bazohet në teoritë e kaluara që piktura përmban simbole latente.

Kjo nuk është hera e parë që shkenca e ka deshifruar Mona Liza-n. Këtë vit, shkencëtarët gjermanë debatuan konceptin e famshëm se sytë e Mona Lizës i ndjekin shikuesit që lëvizin përpara pikturës të vendosur në muzeun e Luvrit në Paris. Kjo njihet si “Mona Liza Effect”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat