Pasurohet ekspozita e Filatelisë në Muzeun e Kosovës

Art

Pasurohet ekspozita e Filatelisë në Muzeun e Kosovës

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 15:08
Ekspozita e Filatelisë në Muzeun e Kosovës

Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e dyqindtë të pullave postare që kësaj here përmbajnë imazhe të festave të fundvitit, si dhe ka pasuruar me rreth 100 pulla të tjera ekspozitën e vet të përhershme në Muzeun e Kosovës, që është e hapur për të gjithë vizitorët.

Shumica e pullave promovojnë dhe nderojnë personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare të popullit dhe shtetit të Kosovës.

Po ashtu, pullat postare të Filatelisë së Postës së Kosovës bartin edhe pamje të florës dhe faunës së vendit tonë, qyteteve, trashëgimisë së pasur kulturore e fetare, si dhe arritjeve të mëdha të sportit vendor.

Image

“Ndonëse e re, Filatelia e Postës së Kosovës ka të arritura të mëdha. Ne krenohemi me fondin e pasur të pullave postare dhe vlerat e tyre. Si dëshmi e punës së suksesshme janë edhe shpërblimet në konkurse të ndryshme ndërkombëtare. Disa herë jemi renditur më lartë se shumë Administrata Postare të vendeve më të zhvilluara të botës që kanë traditë qindravjeçare në filateli”, ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija.

Në tetor të vitit 2017, pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”  është zgjedhur pulla më e bukur postare në botë, e tematikes religjioze, në një konkurs i mbajtur në Veronë të Italisë.

Pulla të tjera, siç është “Evropa 2016 – Mendo gjelbër”, po ashtu janë shpërblyer me çmime në vende të ndryshme evropiane.

Ndryshe, Filatelia e Postës së Kosovës është themeluar më 15 mars të vitit 2000, kur edhe u emetua edicioni i parë i pullave postare që kishte si tematikë promovimin e paqes.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat