Riadhje Lombarde e Artizanatit

Art

Riadhje Lombarde e Artizanatit

Nga: Andi Bica, Beti Kumi Më: 11 janar 2020 Në ora: 08:10
Riadhje Lombarde e Artizanatit

Unik në botë Muzeu i Mëndafshit, mund të mahnisë çdo kategori vizitorësh. Është hapur në vitin 1990 dhe është krijuar për të ilustruar ciklin e tërë të punimit të copës së mëndafshit. Gjithçka ilustrohet nga makineritë, objekte teknike, instrumenta të ndryshme të përdorura nga viti 1850 deri 1950 të cilat janë akoma funksionale.

Që nga viti 1960 industria e tekstilit pësoi rënie të thella derisa, në vitet tetëdhjetë, fabrikat thuajse braktisën vendet e tyre historike. Deri në vitin 1900, prodhimtaria e manifakturave mbulonte jo vetëm Veriun e Italisë, por eksportonte materialin e çmuar në mbarë botën. Kjo sferë e industrisë në kohët e sotme, erdhi duke u tkurrur sepse u rikthye në Kinë nga dhe kishte filluar ciklin. Por Komo në Itali, mbijetoi dhe vijon me përpunimin e mëndafshit. Pra, burimi i lëndës së gatshme për shumë shtëpi mode e stilistë të njohur, mbetet Komo, referencë e rëndësishme për metropole si Milano, Roma, Firence, Parisi, Londra, New York e deri te Stambolli.

Muzeu ofron dokumentacion historik, arkivë dixhitale, fotografi e libra të ndryshëm të zhvillimit social ekonomik e urban të qytetit të ndikuar nga industria tekstile. Reklamat e shekullit të shkuar me piktura të damave të salloneve mondane tërheqin me shprehinë e figurave ftuese në postera.

Image
Artistet

Në një tjetër sallë na shohin sikur dialogojnë me vizitorin portretet e themeluesve në vite të këtij artizanati luksoz të ngritur në kult. Patjetër që këtu janë të pranishëm me portretin e qëndisur edhe personalitete të njohur botërisht të qytetit si Plini i Ri i Agrokulturës dhe Aleksandër Volta i shkencës. Ata të thërrasin nga drita e mëndjes  ku ndodhen, të jetosh bukur çastin e jetës  “Carpe Diem! Prite o udhëtar i kohës trëndafilin e mëndafshit që bie në fluturim”!

Tipar dallues i produkteve të mëndafshta është kënaqësia e butësisë dhe komoditeti i të veshurit.

Muzeu ruan aksesorë të veshjeve me dizenjo relative, skica e kampione të pëlhurës, si dëshmi e kreativitetit e prodhimit seri në Komo, i cili deri tani është në progres të vijueshëm e të njohur në botë.

Në sallat e Muzeut Didaktik të Mëndafshit, punojnë njerëz pasionantë si Ester Geraci drejtuese në zyrën e medias dhe Françesko, të cilët na shpjeguan me durim e koshiencë vlerash, arritjen e krijimit si edhe mbajtjen gjallë të këtij institucioni shumë funksional në turizëm, studim, histori e biznes. Një befasi ishte demonstrimi në praktikë i proçesit nga zgjedhja në kompjuter nga 3 deri 25 ngjyra deri tek stampimi i tyre.

Surprizë ishin tre cilindra të veshur me piktura kineze që tregonin çaste pune nga zeja e tekstilit të mëndafshit. Këto objekte të cilat qëndronin si kolona të Muzeut, dikur ishin gjetur rastësisht nga vullnetarët të hedhura si mbetje në oborrin e një ndërtese të vjetër. Falë insistimit, ishin marrë gratis e vendosur në sallën filmike në qendër të Shtëpisë së Mëndafshit në Komo. Edhe sot artizanët antikë duket sikur na flasin me vështrimin tek e tashmja ku në kohë krizash  profesionet artizanale po rimerren.

 Si vetë jeta e krimbit që zvarritet mbi gjethet e manit, kështu edhe mëndafshi ka një sërë etapash drejt kurorëzimit të thurjes. Këto momente e pasurojnë mendjen e vizitorit në Muzeun e Mëndafshit në Komo. Atje ku ruhet historiku njerëzor dhe teknologjia e një fabrike gjigante, tregohet se kjo industri mbante dikur me aktivitet qytetin liqenor të Italisë Veriore.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat