Mona Lisa, piktura që fitoi famën vetëm pas vjedhjes

Art

Mona Lisa, piktura që fitoi famën vetëm pas vjedhjes

Më: 26 prill 2020 Në ora: 15:44
Mona Liza

Përse Mona Lisa konsiderohet piktura më e famshme në botë?

Për shkak të buzëqeshjes së saj enigmatike?

Për misterin që e rrethon?

Ngaqë kishte për autor Leonardo Da Vinçin?

Përgjigja është Jo.

Sigurisht, ajo është një kryevepër. Por në fillim të viteve 1900 ajo nuk ishte e famshme. U bë e tillë falë një hajduti që e vodhi atë në 21 Gusht të vitit 1911.

Vincenzo Peruggia ishte një emigrant Italian që punonte në Muzeun e Luvrit në Francë.Një ditë e ngarkuan të bënte një kornizë qelqi për pikturën. Atë pasdite pasi e mbaroi kornizën, ai nuk u largua nga galeria.

E kaloi natën i fshehur diku brenda saj. Të nesërmen në mëngjes kur u hap galeria Peruggia ishte larguar me pikturën e Mona Lisës të mbështjellë si tub dhe të fshehur nën xhaketë.

Ditën e parë askush nuk e vuri re mungesën e pikturës. Punonjësit e Galerisë kishin menduar se Mona Lisa ishte në proçes riparimi në laboratorin e Muzeut. Mona Lisa nuk ishte e njohur në atë kohë e prandaj nuk i kushtohej ndonje mbrojtje dhe vëmendje e madhe nga rojet e galerisë.
Aq e parëndësishme ishte si pikturë, saqë nuk e kishin varur as në mur, por e ekspozonin të mbështetur pas murit mbi dy kolltuqe të vegjël.

Por dy ditë më vonë në Galeri u shfaq një vizitor i cili kishte ardhur për të riprodhuar me laps portretin e Mona Lisës nga origjinali, një proçedurë rutinë e lejuar e asaj kohe dhe ky ishte momenti kur u kuptua që piktura ishte vjedhur.

Lajmi u shkruajt edhe në gazetat e mëdha të botës me imazhin e pikturës në faqen e parë.

Luvri u bë edhe më i famshëm. Njerëzit tashmë shkonin në Luvër për të vizituar vendin bosh të pikturës së vjedhur.

Policia ishte e paaftë të gjentë ndonjë gjurmë të saj. Mes të dyshuarve për këtë vjedhje ishte edhe Pablo Pikaso.

Hajduti Peruggia ishte zhdukur pa nam e nishan e kështu, në dy vitet në vazhdim kjo histori u harrua.

Në vitin 1913 Alfredo Geri, një sekser veprash arti, mori një letër të çuditshme.Autori i letrës pretendonte se kishte vjedhur dhe kishte në zotërim MonaLisan origjinale dhe ia ofronte për shitje. U takuan të dy në Firence. Geri u bind menjëherë që ajo Mona Lisa e njeriut të panjohur ishte vërtet origjinali i vjedhur dy vjet më parë, të cilin Peruggia e kishte mbajtur të fshehur në bodrumin e vet gjatë gjithë asaj kohe.

Peruggia u arrestua menjëherë nga policia. Kur e pyetën në gjyq se pse e kishte kryer atë akt, ai tha që kishtë rënë në dashuri me Mona Lisën. Gjithashtu Peruggia nënvizoi faktin që piktura i përkiste Italisë përderisa autori i saj Leonardo ishte italian, e prandaj ai kishte dashur ta rikthente pikturën në atdheun e vet.

Por Peruggia gabohej. Leonardo I kaloi vitet e fundit të jetës së tij në Francëdhe ia pati shitur Mona Lisën mbretit të Francës, Fransua I.

Kështu, falë avokatit të vet që e paraqiti vjedhjen si xhest patriotik Peruggia u dënua veç me një vit burg, ndërsa Mona Lisa u rikthye në Luvër, këtë herë e famshme, më e famshme se çdo pikturë tjetër e botës.

Në vitin 1947 një person emrin Vincenzo Peruggia vdiq në Haute-Savoie. Gazetarët kujtuan se bëhej fjalë për hajdutin e famshëm te Mona Lises dhe nxituan të mbushnin faqet e gazetave dhe minutazhet e radiove me lajmin e vdekjes së tij.

Por të nesërmen u mesua që Peruggia i vërtetë kishte vdekur në harresë të plotë 22 vjet me pare, në vitin 1925, në moshën 44 vjeçare ne qytetin francez Saint-Maur-des-Fossés ku kishte punuar si mirëmbajtës veprash arti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat