GKK vazhdon me ekspozita virtuale, Agani: Publiku po na përgëzon për këto iniciativa

Art

GKK vazhdon me ekspozita virtuale, Agani: Publiku po na përgëzon për këto iniciativa

Më: 6 maj 2020 Në ora: 17:16
Arta Agani

Periudha e fundit nëpër të cilën po kalon bota përfshi këtu edhe vendin tonë, ka bërë që institucionet në Kosovë të zhvillojnë shumë aktivitete virtuale duke qenë kështu më afër artdashësve, në mënyrë që të mos ketë ngecje të mëdha as në zhvillimet kulturore.

Ndër këto institucione, afër dashamirësve të artit ka qenë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, përmes ekspozitave virtuale në kuadër të platformave ‘Artisti në karantinë’ dhe ‘Muzeu virtual’.

Edhe pse dyert e këtij institucioni si shumë institucione të tjera për publikun nuk kanë qenë të hapura, Galeria Kombëtare e Kosovës ka vazhduar punën parreshtur përmes ekspozitave virtuale të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme dhe efektive për adhuruesit e artit dhe artistët të cilët janë prezantuar përmes tyre.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka treguar se janë në pritje të përmirësimit të gjendjes, dhe se nëse kjo krizë shkon drejt përmirësimit pritet që nga fundi i muajit maj të vazhdojnë me ekspozita, ndërkaq në rast se gjendja përkeqësohet apo vazhdon pa ndonjë ndryshim, Agani tregoi se Galeria është e obliguar të vazhdojë me këtë mënyrë, poashtu të krijojë edhe ndonjë platformë të re.

‘Ekspozitat virtuale ka qenë të gatshme, sepse nga shkurti i vitit të kaluar kemi filluar t’i dokumentojnë ekspozitat në këtë mënyrë, ndërsa tash i kemi publikuar me radhë’, vazhdoi tutje Agani.

Platformat ‘Artisti në karantinë’ dhe ‘Muzeu virtual’, të cilat si nismë e Galerisë Kombëtare, kanë filluar në mënyrë që të angazhohen artistët duke publikuar koleksionet e tyre, këto platforma kanë qenë mjaft të suksesshme dhe publiku i ka pritur mjaft mirë.

Këto dy platforma kanë përfshirë artistë të ndryshëm si Zeni Ballazhi, Artan Hajrullahu, Driant Zeneli, Driton Selmani e të tjerë, artistë këta që përmes artit të tyre kanë qenë prezent në shtëpinë e secilit prej artdashësve.

‘Publiku e ka pranuar tepër mirë këtë mënyrë të ekspozitave, po na përgëzojnë për këto iniciativa’, shprehet Arta Agani.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat